Historia ime/ Ju tregoj si abuzoi me mua, im atë!

Nga Jonida Dama

Ornela është një vajzë që jeta e ka sfiduar pafund. Historia e saj është diçka që vërtet trondit themelet e familjes  dhe mbarë opinionin publik.  Në media kemi dëgjuar shpeshherë raste të ngacmimeve brenda familjes dhe për hir të së vërtetës, opinionit publik i është dashur një kohë shumë e gjatë që “ta rimarrë veten”.

Por çfarë ndodh realisht? Jo të gjitha rastet bëhen publike, dhe shumë vajza arrijnë ta mbajnë mbi supe me vite të tëra historinë e tyre, të ndihen në faj, nuk flasin në media,  por guxojnë të hapen vetëm në ato pak persona që  krijojnë besim. Edhe Ornela ka një histori të ngjashme dhe sot mori guximin ta ndajë me të tjerët dhe me dritare.net jetën e saj. Një baba që i ngacmon seksualisht që në moshë të vogël, abuzon me alkoolin, dhunon nënën dhe gjithë pjesëtarët e familjes.

Ajo është 23 vjeç por tmerrin që ka kaluar e tregon me detaje edhe sot, sikur të ishte e freskët, sikur të kishin kaluar ditë dhe jo vite. Edhe pse ka gjetur forcën të ecë përpara në jetë, pengesë pas pengesë, atë akoma e torturon e shkuara. Ajo që e vogël është dhunuar jo vetëm psikologjikisht, fizikisht, por edhe seksualisht nga babai. Ornela­­ ka lindur në një fshat të Sarandës, por nëse nga jashtë familja e saj ngjasonte me një familje tradicionale shqiptare me një baba fanatik dhe që kujdesej për familjen, e vërteta ishte shumë më ndryshe.

Në moshë fare të vogël ajo dhe familja e saj emigroi drejt Greqisë, por si duket asgjë nuk ndryshoi në familjen  e saj, ajo dhe motrat e saj po rriteshin, nëna dhunohej dita ditës, babai vinte i dehur në shtëpi, duke bërë edhe gjënë më makabre, të ngacmojë seksualisht të bijën.

Sado që mundohem të rindërtoj jetën, të nis dicka nga fillimi, të hap zemrën, të tregoj historinë e jetës sime. Jo se dua që t’i vijë keq tjetrit për mua, por vjen një moment që diçka më mblidhet në kraharor, kur njerëzit më thonë, “Je e fortë”.” Por pasi i tregoj atë që  më ka ka ndodhur, pendohem, sepse ndihem e gjykuar, e përçmuar, sikur e meritoj gjithçka kam kaluar”, rrëfen ajo për dritare.net.

“Isha 13 vjeç kur babai im më prekte, në fillim se kuptoja se isha fëmijë,  por kur arrita në moshën 15 vjeç  mora guximin dhe i thashë mamasë. Por ajo edhe pse ai e rrihte e donte shumë, nuk kam parë një dashuri të atillë. Mundohej të na mbronte ne, por ishte e pafuqishme para tij, siç ishim ne të pafuqishëm për ta mbrojtur, kur ai merrte thikën dhe ja drejtonte. Asgjë nuk ndryshoi në jetën time, as të familjes. Mendoja që kisha diçka që nuk shkonte më mua, urreja veten sa herë e shikoja në pasqyrë. Ëndërroja të gjeja një shpëtim, diku larg ku të ndihesha e mbrojtur dhe të kisha ngrohtësi.”, vazhdon të tregojë Ornela.

Por pas disa kohësh, ajo gjeti një vend ku të shprehej, të krijonte shoqëri, facebook-un,  i vetmi vend ku babai nuk e kontrollonte.

Filloi të fliste me një djalë, i shprehej për jetën, vuajtjet dëshirat, gjithçka tjetër . Por kur babai e zbuloi, kërkoi që ajo të martohet menjëherë me të.
“ Më kapi teksa po flisja në facebook. U nevrikos shumë dhe kërkoi që ai të vinte në shtëpi. Kështu ndodhi, ai erdhi dhe gjërat rrodhën shumë shpejt, u vendos data e martesës e të gjitha. Ishte njeri i mirë, më kuptonte, më jepte mbështetje. Por kur shkoja të jetoja me të gjithçka ishte ndryshe. Mori vesh historinë time, atë që më kishte bërë babai, sikur nuk ekzistoja më për të. Ulej para kompjuterit dhe ngrihej vetëm për të fjetur gjumë.  Kishte ditë që nuk më fliste fare, ditë të tjera vetëm një mirmëngjes. Kaloi një vit, asgjë nuk ndryshoi. Vendosa të largohesha, nuk kishte vend më për mua aty. I thashë që do iki, por nuk donte e provova të rrija edhe disa ditë, situata sërisht nuk ndryshoi. Ndaj u largova vetëm me rrobat e trupit, të tjerat m’i mbajtën aty. Nuk dija ku të shkoja, kam fjetur edhe rrugëve deri në momentin që gjeta një punë. Në atë kohë familja ime më mohoi ndaj provova të çaja vetë në Tiranë”, thotë Ornela duke qarë për dritare.net.

Për të Tirana nuk ishte e lehtë, mezi gjeti një strehë që të jetonte, një punë , por jo njerëz që ta vlerësonin.

“Në momentin që arrija të krijoja një raport sado miqësor me dikë, i tregoja për jetën time, familjen, babain, dhe së fundmi ndarjen time. Fillimisht kisha mirëkuptim, por më vonë ndryshonin qëndrim, nuk më kuptonin, më gjykonin. Punoj që të mbaj veten dhe jam përballur me çdo situatë të mundshme.”, vazhdon të tregojë ajo. Po fakti që Tirana është e madhe, ka vend dhe shpresë për të gjithë. Edhe për Ornelën e cila po ia del  e vetme, duke punuar banakiere që prej dy vitesh./dritare.net

Shënim- Ornela nuk është emri i vërtetë i personazhit, por është emër i vendosur nga dritare.net për të ruajtur konfidencialitetin.

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*