Moralisti i madh, Emmanuel Macron nuk është as Kennedy, as De Gaulle. I ngjan më shumë jakobinit Robespierre

Krejt papritur këtë verë, një i ri francez krejt i panjohur në skenën globale deri tre vjet më parë, u shndërrua në shpresën e madhe liberale të botës perëndimore”, shkruan Robert Zaretsky, profesor i historisë në Universitetin e Houstonit, për “RealClear World. “Fitoret e njëpasnjëshme në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të Emmanuel Macronit dhe të “Republique En Marche!” kanë rritur shumë shpresat e një kombi të prekur për një kohë të gjatë nga “declinisme”, por edhe u kanë dhënë kurajë vëzhguesve evropianë e amerikanë, të cilët druheshin se Franca do të ishte guri i radhës i dominosë, që do të binte përballë marshimit të pandalshëm të populizmit dhe autoritarizmit. Pashmangshmërisht, komentatorët panë nga e kaluara për të shpjeguar të tashmen”, duke e krahasuar presidentin e ri të Francës me atë amerikan, John F. Kennedy, apo me bashkatdhetarin e tij, Charles de Gaulle. E megjithatë, për Zaretskyn, Macron i ngjan më shumë revolucionarit jakobin, Maximilien Robespierre.

“Kur erdhi momenti i sfidës elektorale, Macroni ishte pa përvojë dhe si pasojë, i pakontaminuar. Gjatë fushatës së tij, premtoi të pastrojë politikën, premtim që e përsëriti gjatë fjalimit të kthjellët të fitores. Me bindjen e atij që beson vërtetë, ai shpalli se “rigjallërimi i jetës publike do të fillojë që nesër”.

Që nga dita e tij e parë në detyrë, deklaroi Macron, ‘moralizimi’ i jetës publike do të bëhej ‘themeli’ i vendimeve të tij”.

Për këtë arsye duhet të ketë “më shumë se një gjurmë të pranisë së Të Pakorruptueshmit, tek Macroni. Natyrisht, ka përngjasime sipërfaqësore: të dy vijnë nga veriu i Francës dhe të dy u ngjitën, nga asgjëja tek fama, nga sot-nesër, të shtyrë prej forcave që ishin shumë më të mëdhaja se ata vetë. Megjithatë, më e rëndësishmi është fakti që të dy duken të bashkuar prej idealeve të virtytit dhe transparencës republikane. I mbështetur me tepri tek shkrimet e Jean-Jacques Rousseau-së, Robespierre premtoi rigjenerimin kolektiv përmes virtytit individual, një ide e ngjashme me premtimin e ringjalljes kombëtare, që ka bërë Macroni.

Pikërisht ashtu si Robespierre, qoftë për nga sinqeriteti, qoftë për nga hipokrizia, Macroni instrumentalizoi virtytin, për të marrë pushtetin. Për të zëvendësuar udhëheqësit e dorëhequr të MoDem (partia centriste aleate në qeveri, disa prej pjesëtarëve të të cilës janë nën hetim për përdorim të rimbursimeve në parlamentin europian), Macroni emëroi teknokratë. Pashmangshmërisht ata do të jenë shumë më të dobët nën këtë mbretërim të ri të virtytit, për faktin që nuk janë anëtarë të asnjë partie. Fundi i Republikës së Parë franceze (1804) na kujton se një përqëndrim i ngjashëm i pushtetit, ndoshta nuk është një paralajmërimi mirë. Sot nuk është më terrori që artikulon rendin publik, por mund të jetë gabimi”. / Përgatiti: Bota.al

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*