Ca shëmbuj për Ramën sesi bëhet noti

Nga Dritan Hila

Janë pasardhës të vikingëve dhe të tillë kanë mbetur ende në shpirt. Jeta e tyre varet nga peshkimi dhe është e lidhur me oqeanin. Që nga viti 1944 e kanë lëndë të detyrueshme në shkolla mësimin e notit dhe një fëmijë 7 vjeçar është në gjendje të përshkojë 200 metra pa pasur nevojë për ndihmë. Për çdo 1.200 banorë ka 19 varka, një kishë dhe një pishinë. E megjithatë deri në vitin 2008 uji rrëmbente 20-50 shtetas të këtij kombi të vogël të përbërë nga vetëm 335 mijë banorë. Bëhet fjalë për Islandën. Shpenzimet për mësimin e notit dhe mirëmbajtjen e pishinave janë zëri më i madh në buxhetin e ishullit e megjithatë deri në vitin 2008 një fëmijë bangladeshas që nuk dinte not kishte më shumë shanse të mos mbytej nga një bashkëmoshatar i tij nga ishulli vikingëve. Danezët që kanë kulturë dhe klimë të ngjashme me Islandën dhe ata që nuk dinë not janë dyfishi i islandezëve, megjithatë kanë dy herë më pak mbytje sesa ishullorët. Dhe e dini pse? Sepse kur përballesh me detin asnjëherë nuk vlen forca fizike apo pregatitja e një mamiferi si njeriu të përballojë një ambjent jo familjar si uji. Por vlen ajo që na ka bërë mbretin e planetit Tokë: mendja. Sado i pregatitur të jesh si notar, uji të lejon aq minuta mbijetesë sa gradë është. Pa llogaritur këtu dallgët dhe rrymat. Këtë kuptuan dhe islandezët të cilët pas kësaj filluan ti kushtojnë vëmendje të madhe çështjeve të sigurisë në dete dhe oqeane. Për të arritur në vitin 2008 kur ishulli nuk shënoi asnjë mbytje.

Tani le të vijmë në rastin shqiptar. Nuk ka ditë që kronika shqiptare të mos shënojë të mbytur. Vjen për shkak se nuk dinë notin, nuk njohin zonën, i kap paniku dhe deri në arsye të cilat kanë lidhje me rregullat e lundrimit dhe sigurinë e bregdetit.
Në asnjë nga këto raste nuk ndihet prania e shtetit as në kushtet e sigurisë dhe as në rregullat e lundrimit. Pas katër mbytjeve në Vlorë, kryeministri u përpoq të vinte vetulla por nxorri sytë duke shastisur publikun me shpikjen e ca plazheve që qenkan miratuar nga ministria e Milvës. A thua se bëhet fjalë për të shpikur rregulla partie që t’ia hedhë Ben Blushit dhe jo për ligje që kanë të bëjnë me jetë njerëzish.
Por le të kthehemi tek sistemi që kemi. Shqipëria ka një vijë bregdetare të pasur me plazhe. Do të ishte e udhës që në secilin prej tyre të kishte roje bregdetare tokësore. Këta jo vetëm që shmangin mbytjet në ujëra të cekëta vetëm pak metra larg bregut dhe që vijnë për shkak të panikut të viktimës, por sidomos të atyre që tentojnë të ndihmojnë njerëzit e rrezikuar dhe pastaj duke mos qenë të specializuar, mbyten vetë. Nëse plazhi i Zvërrnecit do të kishte roje, e sigurtë është që Benjamin Ferati nuk do të ishte mbytur, e ndoshta as dy vajzat.
Në Shqipëri mungon roja detare. Edhë në kohën e komunizmit, në vendet e populluara kishte varka me motor të cilat shkonin në ndihmë të rrezikuarve. Aktualisht Shqipëria ka vetëm disa anije ushtarake të paafta për ndihmë ndaj personave të rrezikuar dhe disa pak skafe të policisë që nuk janë të specializuar në këtë fushë. Ndërkohë Mali i Zi me gjysmën e vijës tonë ujore ka 360 mjete lundrimi të afta të kontrollojnë gjithë hapësirën detare. Ata kontrollojnë edhe rregullat e lundrimit. Dhe këtu vijmë në një pikë që ka viktimat e saj makabre. Vjet dhe sivjet dy rusë janë vrarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës nga zotërues mjetesh lundrimi. Moratoriumi jo llogjik 8 vjeçar i qeverisë Berisha dhe paaftësia 4 vjeçare e qeverisë Rama, e kanë bërë vijën tonë bregdetare një zonë të egër. Me ligjin aktual nuk lejohet që një motor mbi 40 kuaj fuqi të niset pa patentë. Ndërkohë në Shqipëri vështirë se gjen motorr nën këtë fuqi. Por duke qenë se mjete të tilla lundrimi i zotërojnë njerëz të pasur, askush nuk i verifikon.
Jo vetëm kaq. Asnjë mjet lundrimi nuk mund të qarkullojë në hapësirën 500 metra nga bregu (nëse ai është shkëmbor) në drejtim të thellësisë ose 1.000 m nga bregu (kur bregu është ranor), nëse kjo vijë është e frekuentuar nga njerëz. Besoj gjithkush është dëshmitar se motorra uji dhe varka lundrojnë me shpejtësi të çmendura mes pushuesve.
Asnjë mjet lundrimi nuk mund të lundrojë me shpejtësi mbi 3 nyje (afërsisht 5.5 km/h, sa është ecja e një këmbësori) nga vendi ankorimit e deri sa të kalojë zonën e sigurisë. Ndërkohë të gjithë e dimë që nuk kemi porte të standarteve evropiane dhe ato që janë, janë të improvizuara.
Duke iu qasur edhe njëherë shembullit të Islandës, që të shmangë kasaphanën që përjeton çdo vit, Shqipëria do të ishte e udhës të rriste sistemin e sigurisë duke përshtatur legjislacionin me atë të vendeve civile dhe ta zbatonte atë. Nuk do të kemi asnjëherë turizëm cilësor pa roje tokësore dhe detare, pa porte jahtesh, pa ligje detare dhe njerëz që të kontrollojnë zbatimin e tyre dhe çdo verë do dëgjojmë lajme me mbytje apo vrasje në det, deri ditën që një prej tyre mund të jemi ne./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*