5 ditë në jug, çfarë gjeta në Jalën tjetër … pa shampanjë!

Nga Xhuliana Jakimi

Një udhëtim në jug, në Jalën e mrekullueshme, pa shampanjë, e luks të shfrenuar…

Punojmë një vit dhe presim me padurim që ditët e pushimit t’i planifikojmë siç duhet. Bashkë me mikeshat e mia e vendosëm që këtë verë një pjesë të pushimeve t’i kalonim në jug. Pasi pamë versione të ndryshme dhe paketa të shumta turistike, zgjodhëm një guidë turistike nga data 26 deri më 30 korrik. Guida përfshinte qëndrimin në kamp, ushqimin dhe eksplorimin e rivierës me skaf kundrejt një pagese të kënaqshme. Pasi rezervuam disa ditë më herët, po prisnim me padurim mëngjesin e datës 26.

Nisja u bë në orën 6:00 nga qendra e Tiranës. Të rinj e të reja me çanta në shpinë, valixhe në duar, entuziastë, ishim më energjikë se kurrë për të nisur udhëtimin 5 ditor.

Shumë prej tyre në grupe të vogla, dikush me shok e shoqe, disa kushërinj, disa vëllezër apo të tjerë me familjen, të gjithë zunë vendet dhe u bënë gati për një rrugëtim rreth 6 orësh.

Gjergji, guida jonë, na përshëndeti të gjithëve dhe na foli për atë çfarë na priste kur të mbërrinim në destinacion, ndalesat që do bënim rrugës dhe këshilla të nevojshme për udhëtimin.

Nisja ishte shumë e heshtur. Ndoshta dhe për shkak të orëve të para të mëngjesit, apo sepse nuk njiheshim me njëri-tjetrin.

Ndalesa e parë ishte byrektorja e famshme e Lushnjes ku shijuam pafund byrekët e gatuar si në asnjë vend tjetër në Shqipëri.

Shumëkush e kishte parë jugun, shumë të tjerë jo dhe kureshtja i shtynte më shumë për të vizituar natyrën e bukur, kryesisht plazhet e jugut.

Ndalesa e radhë ishte në Llogara, në një mjedis që të falte qetësi, akoma pa u futur brenda.

Gjithë gjelbërim, ca shtëpiza të vogla druri, një park lojërash me ngjyra jete, ca stola të vëna në vendet më të përshtatshme dhe ajo që të shtonte më shumë dëshirën për të ndenjur aty ishin sorkadhet, të ëmblat sorkadhe të cilave turistët iu ofroheshin pa problem.

Një pamje të tillë nuk mund t’i rezistoje pa e fotografuar dhe filmuar.

U nisëm sërish, dhe ndalesa tjetër ishte shumë e shpejtë, te Qafa e Lllogarasë. Një pamje piktoreske, aty ku dukej sikur qiell, tokë dhe det bëheshin bashkë.

“Uauu e mrekullueshme”, thamë njëzëri ndërsa zbrisnim nga autobusi.

Por ajo që tërhoqi me shumë vëmendjen ishte një dyshe, që bo bëheshin gati në hidheshin me parashutë.

Të gjithë me kureshtjen më të madhe u përqëndruan të shihnin fluturimin e tyre, të bukur, plot adrenalinë por dhe të frikshëm njëkohësisht. Dyshja u bë gati, dhe ne me celularë e aparatë në duar po filmonim gjithë kërshëri.

Si një publik që po priste fitoren e skuadrës së tyre, sapo parashuta u shkëput nga toka të gjithë brohoritëm njëkohësisht, “bravoooo” dhe duartrokitjet s’kishin të ndalur. Parashuta po qëndronte në ajër, mbi ujin e kristaltë blu, të pastër e të tejdukshëm si një pasqyrë.

Në ato moment po mundohesha të imagjinoja ç’po përjetonin dy parashutistët që qendronin në ajër, mbi det, me pamjen e mrekullueshme. Teksa i shihja vendosa, me një guxim që të vjen aty për aty dhe ti thjesht nuk do t’ia dish për frikërat e kësaj bote.

“Nuk do vdes pa e bërë një çmenduri të tillë”, i thashë vetes por kjo hedhje nuk ishte planifikuar ndaj çmenduria e guximi im mbetën për t’u provuar një herë tjetër.

Tashmë deti ishte shumë pranë nesh… herë fshihej nga shkëmbinjtë e malet, e herë na shfaqej pjesërisht.

Disa shijonin qendrimin në stola nën hijen e ullinjve, dikush lëkundej në lisharëse dhe të tjerë luanin ping-pong.

‘Kjo do jetë shtëpia juaj për 5 ditë”, -na kujtoi Gjergji, guida jonë.

“Tani ejani grupe grupe, që të akomodoheni në çadrat dyshe dhe treshe siç i keni kërkuar”.

Morëm çantat dhe pritëm derisa Gjergji na akomodoi të gjithëve.

Të flija në çadër për 5 netë, poshtë hijes së ullinjve, pa krevat…, më pëlqeu, ndonëse duhej të prisja deri ditën e fundit për të kuptuar nëse do kisha po të njëjën ndjesi.

Bashkë me dy miket e mia lamë çantat, veshëm rrobat e banjos, nga një fustan të lehtë sipër, morëm kuletat dhe mbyllëm zinxhirin e çadrës, ose siç e quajtëm për 5 ditë “derën me çelës”.

Ishte kohë dreke, na mori uria. Shkuam në ambientet ku hahej. Ishte vetëshërbim. Nuk dinim se çfarë do na ofrohej për drekë. Menuja e përbashkët e drekës së mërkurës ishte, fileto pule, patate furre dhe tarator.

Sa na shijoi ajo drekë! Por çfarë po prisnin me padurim të shikonim, ishte deti i Jalës, vetëm 3 minuta larg kampit. Por për të shkuar atje duhej të kalonim rrugën e paasfaltuar, gjithë pluhur. Po mendoja se përse nuk kanë investuar në atë vend, që ishte një mrekulli e natyrës. Por pamja e rrugës m’u fanist disi kur përballë sytë më zunë këtë pamje piktoreske. Deti i kristaltë, gurët që shkëlqenin, ca shkëmbinj në njërin krah … parajsë!

Hoqëm rrobat dhe u zhytëm menjëherë në ujë. S’isha një notare e shkëlqer por deti të mbante vetë sipër. U ktheva me fytyrë nga dielli, dëgjoja zhurmën e dallgëve që shpeshherë më mbulonin dhe një pjesë të fytyrës. Aty ndjeva qetësinë dhe relaksin pas një rruge të gjatë prej 6 orësh.

U kthyem pas 3 orësh në kamp, u lamë në dushet prej dërrase të vendosura në një cep të kampit, u ndërruam brenda në çadër, hëngrëm darkën e po prisnim të organizonim mbrëmjen.


Gjergji na tha që do ndezim një zjarr pranë në bregdet, ashtu do njiheshim më mirë me njëri-tjetrin. Kishte të drejtë. Unë i kisha me vete katër miq të mirë por isha kurioze të njihja dhe pjesën tjetër të grupit. Udhëtimet janë mënyra më e mirë për të njohur njerëz të rinj, për të shkëmbyer, ide, eksperienca por qoftë edhe për të ndezur debate, në të cilat unë kam aq shumë qejf të përfshihem kur janë konstruktive dhe sjellin përplasje argumentash.

Ndezëm zjarrin, u ulëm këmbëkryq të gjithë pranë tij dhe nisëm të prezantoheshim.

I pari ishte Gjergji, guida jonë i cili ishte diplomuar për drejtësi, por prej 4 vitesh merrej me guida.

Heraldini, ishte 23 vjeçari nga Tirana që jetonte në Amerikë. Kishte zgjedhur të vizitonte jugun me mikun e tij të fëmijërisë Hulion, dhe kishte zgjedhur pikërisht kampin, jo për të kursyer, por për të njohur njerëz të rinj, për të kaluar këndshëm, për të eksploruar vende të reja.

Myslymi ishte djali që ndiqte shkollën profesionale në Tiranë, i cili kishte ardhur me familjen e tij në Jug. Më vonë Myslymi, që të gjithë e thirrnin Lymi, u bë fotografi ynë profesional, që bënte foto video nën ujë. Ai që me humorin e tij na bëne të qeshnim me lot në çdo moment.

Enea ishte një tjetër student që studionte për mjekësi në Itali, i cili punonte dhe jetonte atje prej 8 vitesh. Enea kishte preferuar të kalonte pushimet me vëllain e tij të vetëm Alvin, në këtë mënyrë kompesonte disi dhe kohën që nuk mund të kalonte gjatë vitit me të.

Xhorxhina ishte 19-vjeçarja që studionte për fizikë dhe kishte ardhur të kalonte pushimet me babain.

S’mund të lë pa përmendur dhe Sajmirin nga Pogradeci, i cili kishte fituar Lotarinë Amerikane dhe shumë shpejt do ikte nga Shqipëria. Saimiri po kërkonte “kandidaten” e duhur për t’u “arratisur” drejt SHBA-së.

Pastaj u prezantuan dhe grupi i miqve të mi, me të cilin isha organizuar për të kaluar 5 netë në Jug.

Gerta juriste, Geni dhe Sara maturantë të cilët po presin përgjigjet për të nisur studimet në Universitetin e Tiranës, dhe Jupi që jeton në Itali.

Mund të kem lënë shumë pa përmendur, por këto ishin ndër personat me të cilët unë pata më shumë komunikim në ditët në vijim.

Nisëm të luanim dhe pa kuptuar ora shkoi 2:00 e natës. Asnjëri nuk donte të iknim, por do çoheshim të nesërmen herët…


Dielli në çadër ra që në orën 7:00 si për të na lajmëruar që duhet të zgjoheshim. Lamë dhëmbët në në disa lavamanë qeramikë të improvizuar posaçërisht, hëngrëm mëngjesin dhe po prisnim udhëzimet nga Gjergji për vendet që do vizitonim.

Në guidë përfshiheshin udhëtimet me skaf, te Shpella e Piratëve, në Gjipe, te Akuariumi.

Mirëpo Gjergji na dha lajmin e keq. “Skafet janë bllokuar. Po bëhen kontrolle në të gjitha subjektet, pasi një turiste ruse ka ndërruar jetë në ujërat e Vlorës. Dyshohet se shkak ka qenë një skaf”.

U mërizitëm për momentin, por Gjergji na tha që do iknim nga zona e Akuariumit në këmbë. Ishte rreth 20 minuta larg. I gjithë grupi nisëm rrugën. Në një vend që gëlon me turistë, infrastruktura të linte shumë për të dëshiruar.

Bukurinë ia shtonte vetë natyra, deti, shkëmbinjtë. U futëm në një rrugë të ngushtë, dhe aty ku s’e mendon se ka det, shikon një peizazh mahnitës, të rrethuar nga male, nga shkëmbinj, një pamje e kufizuar, por që dukej sikur ishte bërë pikërisht për ty.

Zbritëm në rrugicën e ngushtë. Ngulëm në gurë dy çadrat tona, e menjëherë, pa i rezistuar ujit dhe dëshirës për t’u hedhur nga shkëmbinjtë rreth e rrotull u zhytën të gjithë në ujë.

Gjergji dhe Lymi, kishin një “detyrë”, të bënin foto dhe video. Në një lartësi prej 10-15 metrash, një nga një por dhe në grup, të gjithë hidheshin nga sipër. Ndërsa një grup i tërë bënte tifo duke thirrur emrat e secilit.

Nuk ishim më grupe të vogla, të gjithë ishim “përzierë” me njëri-tjetrin. Dikush luante top, dikush lahej, dikush luante letra, dikush bisedonte për jetën, për pasionet, dëshirat, realitetin e vendit, dhe si gjithmonë dhe për politikë, ndonëse në ditë pushimi.

Kreshniku, i riu nga Fieri kishte ardhur i shoqëruar me të fejuarën e tij. Një çift që kur i shihje bashkë përcillnin mesazhe aq pozitive e të bukura dashurie.

Niku, ndryshe nga ne kishte ardhur në kamp me makinën e vet, dhe s’kishte lënë gjë pa marrë nga shtëpia. Madje dhe lëngun e kumbullës të bërë nga e ëma e tij. Një shije që linte pas çdo lloj pije të mundshme.

“Recetën nuk ta tregoj, është ekskluziviteti i mamit tim”, tha Niku me humor, teksa na mbushi të gjithëve nga një gotë. E ëma e tij mori urimet më të mira nga të gjithë ne që na freskoi me pijen e saj “magjike”, në një ditë me diell përvëlues. Por Niku dhe Brisi, i kishin marrë masat mirë. Ishte rradha e pjepërit të ndahej në pjesë për vizitorët e Akuariumit…

Pas dreke, tryezat e kampit mbeteshin sërish plot. Të ndarë në grupe, të gjithë luanin me letra. Loja bëhej dhe serioze. Shpesh dëgjoheshin duartrokitje kur një palë fitonte, apo tone mërzitie kur pala tjetër humbte.

Ndërsa pema e mbushur plot me priza për të karkikuar celularët, gjatë mëngjesit, drekës dhe darkës mbushej plot me karikuesa. Unë e quajta madje “Pema teknologjike”, që furnizonte celularët me energji për të bërë foto, video pa fund dhe për t’i ndarë me miqtë.

Pasditeve fusha e volejbollit mbushej plot me të rinj për të luajtur. Shpesh prisnim dhe në rradhë. Ndonëse këmbët vriteshin nga gurët, askush nuk dorëzohej. Dhe gjithmonë ca vajza, përfshirë dhe mua, bënim tifo për skuadrën tonë, sidomos kur luanin me të rinjtë e partive politike që qëndronin në kampin ngjitur.

Në orët e vona, zhvilloheshin “party”, kështu ata që dëshironin kishin mundësi të shkonin në club-in që ishte afër kampit për të kërcyer apo dëgjuar këngëtarët e tyre të preferuar “live”.

Ditët iknin shumë shpejt. Çdokush nga ne kishte hequr dorë nga puna e përditshme, nga shkolla, apo angazhime të tjera. Kishim krijuar një familje të madhe në kamp.

Në ditën e fundit, disi të keqardhur që pushimeve u erdhi fundi, mblodhëm gjërat në çadër, hipëm në autobus dhe u nisëm drejt “Porto Palermos”, që njihet si kalaja e Ali Pashë Tepelenës.

Vizituam çdo cep të saj. Që lart duke pamja e mrekullueshme, e rrethuar nga uji, që vetëm nga ai kënd mund ta shihje si në “pëllëmbë të dorës”.

Ndalesa ishte në Himarë, në Himarën e vogël, të këndshme, plot gjallëria. Aty ndihej atmosfera e qytetit. Me një pedonale të mrekullueshme buzë detit.

Na priste rrugë e gjatë, prandaj në orën 15:00 nisëm rrugëtimin prej 6 orësh drejt Tiranës.

Rruga e kthimit nuk ishte më monotone dhe e qetë. Gallata pa fund, gacmime ndaj Guximit, të cilit i pëlqente shumë kosi me arra, foto në furgon, duartrokitje, këngë, etj.

Por ndjenim trishtim kur në destinacione të ndyshme, që nga Fieri, nisën të zbrisnin disa prej tyre. Megjithatë minutat do shfrytëzoheshin në maksimum deri në destinacionin e fundit.

Nisëm të luanim me pantomime. E personi që duhej të gjente “tarakosjen” mundohej e stërmundojej nga grupi.

Pushimet mbaruan…të gjithë u shpërndanë, por me një ndjesi shumë pozitive.

Të gjithë ishin të lumtur që nga një eksperiencë 5 ditore, jo vetëm kishin vzituar vende të bukura, ishin çlodhur, por kishin shkëmbyer eksperienca të këndshme, kishin njohur miq të mirë.

Grupi i “Whats Upp” ku jemi pjesë të gjithë, akoma gëlon nga mesazhet, nga fotot, dhe nga përshtypjet e mira që na la gjithsecili.

Për të kaluar këndshëm, nuk është e thënë të shpenzosh shumë para, por të organizohesh, të përshtatesh, mbi të gjitha të njohësh njerëz të rinj. Nga çdo eksperiencë e shkëmbyer mëson diçka të re dhe ne mësuam shumë.

Të rinj nga Veriu, Jugu, nga Shqipëria e Mesme, të gjithë bashkë kaluam këndshëm dhe mësuam të reja nga tjetri.

Niku ftoi të gjithë ata që do kalojnë në Fier, të ndalojnë pranë karburantit buzë rrugës e ta takojnë sa herë që munden…dhe Sajmiri me Ninon na ftuan në Amerikë, por dhe ne të Tiranës për kafe në kryeqytet… /Newsbomb.al/

1 Comment

  1. Ndalesa e parë ishte byrektorja e famshme e Lushnjes ku shijuam pafund byrekët e gatuar si në asnjë vend tjetër në Shqipëri. Sa pafund sa byreke hengret?? Pafund byreke???? Sa pafund shijuat?? Nga Lushnja deri sa mbarove shkrimin apo ska mbaruar akoma shijimi??? Pffffffff Vetem per keta dy rreshta sduhet ta kishit botuar kete shkrim. Ditari i nje 12 vjecari me pushime do kish qene me interesant.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*