Emigrantët shqiptarë frikësojnë Italinë me bizneset e tyre

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali zotërojnë rreth 32 mijë biznese. Të dhënat janë bërë publike nga Unioni i Dhomave italiane të Tregtisë, në raportin vjetor mbi ecurinë e ndërmarrjeve të huaja.

Sipas raportit, në total shtetasit e huaj zotërojnë mbi 580 mijë biznese në Itali. Vendin e parë e mbajnë emigrantët marokenë, të cilët numërojnë mbi 68 mijë sipërmarrje. Në vendin e dytë e të tretë renditen shtetasit kinezë dhe ata rumunë, ndërsa shqiptarët rezultojnë komuniteti i katërt i huaj me numrin më të madh të ndërmarrjeve në Itali.

Sipas Unionit italian të Dhomave, fusha më e preferuar e shqiptarëve për të bërë biznes është tregtia, ndërsa në vendin e dytë renditet sektori i ndërtimit.

Të dhënat zyrtare nga Instituti italian i Statistikave tregojnë se, në Itali jetojnë rreth 450 mijë shtetas shqiptarë gjithsej. Një pjesë e madhe e tyre, veçanërisht ata që kanë emigruar në vitet e para, tashmë i kanë hyrë botës së biznesit duke qenë një nga komunitet më aktive në jetën ekonomike të Italisë.

Shifra prej 32 mijë biznesesh që emigrantët shqiptarë zotërojnë në Itali është gati sa 20 për qind e të gjithë bizneseve aktive në Shqipëri. Kjo do të thotë se shqiptarët tashmë nuk bëjnë biznes vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por janë sipërmarrës thuajse kudo nëpër Europë./ TCH

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*