E vërteta e prishjes së kullës së Prek Calit, deputeti që fshihet pas

Edhe pse debati ka shpërhyer ditët e fundit, kulla dy katëshe e heroit kombëtar Prek Cali, ende pa shpallur monument kulture, është shembur që më 16 gusht të këtij viti, dhe denoncimin për këtë fakt, e ka bërë vetë trashëgimtari i kësaj pasurie kulturore.
Nipi i Prekë Calit, djali i vajzës së tij, Ndue Dok Dreshaj, ka bërë ankesë zyrtare me shkrim në Bashkinë e Malësisë së Madhe, se i është shembur kulla e dajës së tij, Prek Cali. Express mëson, se nipi është pikërisht trashëgimtari i tokës ku është ndërtuar kulla historike. Ankesa e tij është verifikuar nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit një ditë më pas (më 17 gusht), ku ka rezultuar se kulla ishte shembur nga persona të paautorizuar dhe e vetmja pjesë historike e mbetur prej saj, ishte vetëm një faqe muri. Express ka kontaktuar me banorë të zonës së Velipojës në Vermosh ku qëndronte kulla e Prekë Calit, prej të cilëve mësohet se pas kësaj ngjarje të rëndë, fshihet një interes i ngushtë financiar. Bëhet fjalë për jë projekt që sipas tyre mban firmën e ish-kryekomunarit të Kelmendit, Gjeto Dukaj, me profesion inxhinier, në plan-projektin e të cilit, përfshihet shndërrimi i kullës historike në ambient biznesi duke e ngritur në tre kate, nga dy që ka qenë kulla. Projekti nuk është prezantuar zyrtarisht në asnjë institucion përgjegjës.
Burime nga kjo Bashki thanë për Express, se në tokën që qëndronte kulla e Prek Calit, tashmë e shembur, u gjetën edhe punëtorët dhe fadromat, që po ndërtonin me beton sipas projektit të ri. Atyre u është kërkuar nga IVMT dokumentacioni, për të mësuar nëse kishte leje nga autoritetet për këtë veprim, por ky lloj dokumenti, nuk disponohej prej tyre. Në këto kushte, veç pezullimit të punimeve, IVMT ka vendosur edhe gjobë për shkeljen e kryer ndaj një kulle historike. Sakaq, të njëjtat burime sqarojnë se çështja nuk do të mbetet me kaq, dhe se Bashkia e Malësisë së Madhe do të ndjekë në rrugë ligjore duke denoncuar në prokurori shembjen e kullës së Prek Calit. Më tej i takon prokurorisë të zbulojë se cilët persona fshihen pas këtij skandali. Por burimet për Express thanë se veç emrit të ish-kryekomunarit, pas financimit për vënien në jetë të këtij projekti, fshihet deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Tom Doshi. Edhe banorët e zonës e konfirmojnë këtë fakt.
“Meqenëse pranë Bashkisë Malësi e Madhe nuk u paraqit asnjë dokument qe lejon kryerjen e këtyre punimeve me datë 21 gusht është mbajtur proces – verbal për pezullimin e punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës duke ju dhënë mundësi që të paraqisnin dokumentacionin e kërkuar subjektit që po kryente punimet. Duke qenë se punimet vazhduan edhe pse ishte mbajtur proces – verbal për pezullimin e punimeve dhe gjatë kësaj periudhe nuk u paraqit asnjë dokument që lejon kryerjen e këtyre punimeve ne me datë 05 gusht kemi marrë vendim për dënim me gjobë në shumën 500 000 lekë per personin që po kryente punimet në këtë objekt dhe gjithashtu është marrë vendim për prishjen e punimeve të reja që ishin kryer gjatë kësaj periudhe në këtë objekt”, thuhet zyrtarisht nga IVMT burimet.
Fadromat e Inspektoritati Vendor të Mbrojtjes së Territorit kanë ndërhyrë më 14 gusht, veprim ky që shpërtheu në një lumë akuzash e kundër-akuzash politike me argumentin se ishte ky inspektoriat që kishte shembur kullën e Prekë Calit. Por burimet sqarojnë se të vetmet ndërtime të shembura, janë punimet e reja që kishin kryer personat e paautorizuar në tokën ku më parë kishin rrënuar kullën dy katëshe të Calit. Punimet e reja ishin mure rreth 1 metra të lartë me konture moderne që nuk ruanin formën historike që ka pasur kulla.
“Nuk është prishur apo rrënuar qoftë edhe një gur i vetëm nga shtëpia ekzistuese e Prek Calit”, thanë burimet zyrtare nga IVMT.
Në Kullën e Prek Calit prej vitesh nuk ishin bërë ndërhyrje për restaurimin e saj. Ajo ndodhej në gjendje thuajse të amortizuar, por kontaktuar nga Express, zyrtarisht Bashkia e Malësisë së Madhe u shpreh se mund të mirëpriste cdo projekt për rehabilitimin e kullës, të ardhur në rrugë ligjore, dhe që nuk do të shfrytëzonte emrin e heroit kombëtar Prek Cali për ta kthyer në përfitime biznesi, dhe aq më shumë me ndërtime pa leje.
Ankesa e nipit te Prek Calit

Ndërkohë, edhe kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, ka dhënë një sqarim për mediat

Reagimi i plotë

Lidhur me ndërhyrjen tonë të detyrueshme në Shtëpinë e Heroit Prek Cali, e ndjej veten shume keq për spekullimin mediatik me kete çështje.

Bashkia Malesi e Madhe ka qenë në pozita shumë të vështira, pasi ka kohë që në rrugë jozyrtare jemi vënë në dijeni të restaurimit të kullës së Prekë Calit. Kemi pritur dhe kemi premtuar se jemi gati të bëjmë gjithë dokumentacionin ligjor dhe të miratojmë projektin e një grupi shqiptaresh tanë në Diasporë. Por askush nuk ka ardhur me nje kërkesë ligjorë. Është spekuluar, duke kaluar permbi Bashkinë, pasi matrapëazët duket se kanë matur ndjeshmërinë tonë për figurën legjendare të Prek Calit. Kanë menduar se çfarëdo të ndërtojnë privatisht dhe jashtë çdo ligji e morali, ne do heshtim, duke u lënë atyrë hapësirë që të ndërtojnë dhe ta përdorin për vete emrin e banesën e Prek Calit, për biznes. Kjo do ishte krim që nuk do na e falnin shekujt.

Miq të mediave, më kuptoni, me shumë dhimbje, por Bashkia ishte e detyruar të ndërhynte. Gjykoni vetë, sa spekulim ka patur me ketë ndërtim pa projekt që do ishte në jetë të jetëveve pa administrator. Pra, një objekt historik ka projekt për sot e për nesër dhe dikush do e administrojë. Kush do e administronte godinën pas ndertimit pa leje dhe për çfarë do e përdornin matrapazët, për hoteleri, biznes privat a për çka. Ja pra pse Bashkia ndërhyri. Ndërhymë që Shtëpia e Heroit Legjendar Prek Cali të mos kthehet në një biznes privat të matrapazëve që nuk pranojnë ta bëjnë të ligjshëm objektin.

Siç deklarova, shqiptarët e diasporës duhej të paraqiteshin në Bashki dhe u prëmtoj që sot, le të sjellin projektin dhe dokumentacioni ligjor do jetë gati në kohë rekord. Nuk mund të kthejmë në biznes privat emrin dhe Shtëpinë e Heroit legjendar, figurës shumë të dashur tonën dhe gjithë Shqipërisë Prek Cali.

Kryetari i Bashkisë M. Madhe
Tonin Marinaj./Express

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*