Në Kosovë qenkan çmendur të gjithë, veç Albin Kurtit

Një thirrje e Vetvendosjes për të votuar SPD-në, pra socialdemokratët gjermanë, ka shkaktuar një valë sulmi ndaj kësaj Lëvizjeje, a thua se ajo ka bërë thirrje për përkrahje ndaj ndonjë partie neonaziste. Në fakt është një thirrje normale e një partie politike e cila përveçse në sjellje politike, është evropiane edhe në qasjen e saj të përkorë ndaj thesit publik të parave.
Gjithsesi mund të kuptohej ky sulm nëse Kosova do të ishte në fushatë dhe publiku nuk ka kohë të bëjë analizat e tij. Por zgjedhjet aty kanë mbaruar, rrjedhimisht nuk kishte pse ngrihej kjo valë kundër një gjesti simbolik të Vetëvendosjes.
Por sa ndodh është një shenjë se koalicioni qeverisës ka probleme me identitetin e tij. Qeveria është një mishmash laraman që fillon me komandantët e luftës dhe përfundon tek Lista Serbe. E vetmja që ruajti parimet e saj gjatë fushatës dhe pas saj ishte Vetvendosja. Dhe ngjan se koalicioni në fuqi, kërkon që për çdo rast të përlyejë kundërshtarët në opozitë, qoftë edhe si një aset për zgjedhje të parakohshme.
E mbi të gjitha ka një injorancë të pafalshme në gjithë këtë sulm, sidomos kur artikulohet që nga kryeministri Haradinaj e deri te gazetarë si Arbana Xharra, që kalojnë kufijtë e mosmirënjohjes. Mesa duket të gjithë këtyre sulmuesve ju ka mbetur mendja në vitet ’80 të shekullit të shkuar kur Jugosllavia e Titos ishte edhe Meka e pushimeve të së majtës evropiane. Mbase kjo e majtë ka filluar prapë e flirton me Serbinë, por tashmë jo për arsye ideologjike por për faktin e thjeshtë se Serbia po tregohet më kompetitive dhe ndjellëse ndaj investitorëve të huaj, sesa vrimat e zeza të korrupsionit që janë dy shtetet shqiptare.
Por sa për kujtesë të djathtistëve të rinj të Kosovës që mendja iu ka mbetur ende në shpellat e Luftës së Dytë Botërore, amerikani Bill Klinton ishte i majtë. Britaniku Tony Blair ishte i majtë. Gjermani Gerhard Shreder ishte i majtë. Italiani Masimo D’alema ishte i majtë.
Të gjithë këta dolën kundër traditës të deriatëhershme dhe mbështetën lirinë e një populli i cili për shumëkënd në Evropë nuk thoshte asgjë dhe për shumë të tjerë ishin vetëm një grumbull muslimanësh të pagdhendur.
Ndaj mos u bëni bukëshkalë vetëm sepse nuk dini si të qeverisni një shtet që ia u dhuroi bota dhe e keni kthyer në një shëmtirë të korrupsionit, trafiqeve dhe tarafit. Për këtë nuk ju ka faj as e majta evropiane dhe as Vetvendosja./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*