Profesor Kabo, shfaqja duhet të vazhdojë

Nga Dritan Hila

Ka qenë shkurt i vitit 2016 dhe kisha vetëm disa ditë që kisha hapur portalin dritare. net, kur rreth orës 01 të mëngjesit gjithë gazetat e rëndësishme perëndimore në variantin online, si ato amerikane ashtu edhe evropiane dhanë lajmin se Antonin Scaglia, gjykatës kyç i Gjykatës së Lartë të SHBA kishte ndërruar jetë. Iu futa punës duke e përkthyer e botuar, një lajm shumë të rëndësishëm , sipas meje, për njerëzit e ligjit.
Në fakt paskam qenë mendjelehtë.
Testimi i fundit që u bë, tregoi se juristët shqiptarë as që duan t’ia dinë nga ai krah.
Mënyra e testimit dhe videoja e transmetuar ka ngjallur debate se përse duheshin futur pyetje që kanë të bëjnë me formimin e përgjithshëm të tyre dhe jo me kulturën thjesht profesionale.
Personalisht mendoj që është bërë shumë mirë, dhe kjo për disa arsye:
Së pari këta njerëz kanë një pushtet i cili pasi fitohet një herë, do të jetë i përjetshëm. Nuk mud të lejojmë që një herë që na jepet mundësia të kalojmë gomerët për kuaj.
Së dyti, kultura e përgjithshmë tek njerëz që kanë në jetë fatet njerëzore është e domosdoshme. Një gjykatësi, prokurori, i duhet të ketë lexuar letërsinë e madhe e cila ka lindur mbi drama të mëdha njerëzore. Jo më kot edhe ligji për të njëjtin krim njeh shkallë të ndryshme dënimi. Kjo niset pikërisht nga fakti se drama të ndryshme njerëzore, psikologji të ndryshme individuale, reagojnë në mënyra të ndryshme që duan gjykim të ndryshëm. Dhe këtë qasje ta jep letërsia dhe informacioni i përditshëm nga mediat. Një prokuror apo gjykatës duhet të jetë para së gjithash një njeri me zemër të madhe.
Së treti, fakti që shumë prej tyre nuk kishin njohuri mbi Falkonen dhe Borselinon ishte skandaloz. Dhe kjo nuk ka lidhje me kulturën e përgjithshme dhe as me filmat që mund t’i shohin apo jo. Falkone dhe Borselino ishin të parët jo për faktin që luftuan mafien, pasi shumë të tjerë para tyre e kishin bërë. Por Falkone dhe miku i tij ishin të parët që e profilizuan atë, zbuluan kodet e saj, mënyrën e operimit dhe psikologjinë. Ishin ata që përdorën të penduarit në mënyrë efikase. Duke qenë se është e njëjta mafie që kooperon me mafien shqiptare, madje aq shumë sa nuk dihet ku fillon njera dhe mbaron tjetra, të njohësh jo vetëm manualet por edhe jetët e tyre është kusht i domosdoshëm.
Së katërti, dikujt iu duk normale mosnjohja e Alush Dragoshit. Mua do më dukej normale të skualifikoheshin edhe për aq. Mos njohësh memorjen institucionale në 25 vitet e fundit është e pafalshme. Personalisht njoh gjithë ministrat e jashtëm të 25 viteve të fundit, megjithëse kam punuar vetëm 10 vjet në atë institucion.
Së pesti, Di Pietro nuk është thjesht një emër. Është njeriu që shembi një klasë politike të koruptuar të shtetit fqinj. Është pikërisht ajo që presim të bëjnë kandidatët e rinj me klasën tonë politike. Por mesa duket të gjithë në atë sistem e kanë mendjen të bëjnë ndonjë lek dhe asgjë nuk i frymëzon më.
Së gjashti është i nevojshëm testi psikologjik. Duke qenë në pozicionin e njerëzve të gjithëfuqishëm dhe pak të kontrollueshëm; në kushtet kur njerëzit që janë objekt i punës së tyre janë të frikësuar dhe pa njohuri për atë që i pret, janë të gjitha kushtet që të kemi abuzime të tyre. Tashmë janë edhe të xhiruara rastet, kur femrat që kanë pasur punë me gjykatat apo prokuroritë , kanë pasur ngacmime nga punonjësit e këtyre organeve, për të arritur edhe në raste presioni të hapur për të pasur marrëdhënie në këmbim të lehtësive. Kjo nuk do të thotë që fenomeni është sëmundje që ka prekur gjithë sistemin, por gjendja është e rëndë.
Dikush mund të mendojë që edhe sistemi i drejtësisë do të reflektojë nivelin e shoqërisë shqiptare. Personalisht nuk kam shpresë të madhe se do të ndryshojë ndonjë gjë. Por të paktën Përparim Kabo eleminoi disa injorantë, që nesër do të kishin në dorë përzgjedhjen e atyre që do të masin me kandar farmacisti dhe presin me shpatë fatin tonë, siç edhe dha një shans që ato vende të zihen në të ardhmen nga profesionistë të hajrit që nuk mungojnë./dritare.net

1 Comment

  1. Jam plotesisht dakort me shkrimin. Ajo qe po vret shoqerine shqiptare eshte mungesa e “kultures”. Me shume se juriste, ekonomiste apo gazetare profesioniste, na duhen “njerez” profesioniste.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*