Petullat e Nashos

Nga Edlira Ruzi

Ishte viti 2013 kur kriza greke e detyroi Thanas Rondon, një emigrant si shumë të tjerë, të kthehej në atdhe. Kur gruaja e pyeti se ç’do bënte që po kthehej në Shqipëri, ai iu përgjigj: “Po iki të bëj petulla”. Kështu Nasho, siç e njeh gjithë Himara, u kthye në tokën e gjyshit, në Livadh. Ne e njohëm tek Nasho’s Camping, por ai vetë tregon se kur erdhi nga Greqia as e dinte kuptimin e fjalës kamping. Dhe ashtu siç i tha gruas, vërtet çdo gjë filloi nga petullat. Vitin e parë të punës Nasho gatoi vetëm petulla e peshk, pothuaj krejt i vetëm.

Ndërsa tani puna ndryshon. Shihni vetë se çfarë ndodh në kuzhinën e tij të hapur, ku mund të hedhë një sy e mund të japë një dorë çdo turist që ka vendosur ta kalojë ditën aty. Kur e pyeta Nashon se çfarë ka aty ndryshe nga kampingjet e tjera, ai u përgjigj: “Kujdesi për gatimin dhe fakti se është i vetmi kamping që qëndron hapur 360 ditë të vitit”. Të vetmet ditë pushimi Nasho i merr për Krishtlindje.

Këtë vit ai tregon se shumicën e klientëve të tij e përbënin polakët, me 80%. Ata preferojnë muajt korrik-gusht. Ndërsa ata që e frekuentojnë më herët plazhin e Livadhit, që në muajin maj, janë gjermanët e austriakët. Muajt e nxehtë ata rrallohen dhe rikthehen përsëri me shumicë në shtator e tetor. Dhe kur dimri rikthen qetësinë, Nasho i rikthehet zanatit të vjetër të gurgdhendësit duke ndihmuar himariotët të riparojnë shtëpitë.

Në restorantin e vogël, buzë detit, qarkullon aromë dhjosme e dafine. Një atmosferë rehatie të bën të ndihesh më mirë se në shtëpi, si ne që jemi vendas ashtu edhe turistët që kanë bërë mijëra kilometra. Përpara një pjate të madhe me petulla, djathë e mjaltë, e pyes Nashon çfarë e ka bërë Livadhin një vend kaq të preferuar dhe ai thotë: “Mos kujto se është bërë punë e mirë nga ana e qeverisë për këtë. Është puna jonë. Vetë të huajt përhapin lajmin gojë më gojë dhe sjellin miqtë e tyre. Ata që kanë qenë, rikthehen gjithmonë”./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*