Ju tregoj drejtoreshën e Ramës!

Nga Luna Ruvina*

Qeveritë shkojnë e vijnë e sa herë fillojnë të rrëfehen se sa shumë e kanë shtuar, apo do ta shtojnë profesionalizmin dhe paanshmërinë në radhët e administratës, më vjen ndër mend një prej tyre, një prej “ushtarëve” të hershëm të kësaj administrate. Në fakt, është drejtoreshë diku. Një mesogrua e bëshme si nga trupi, ashtu edhe nga autoriteti. E kam fiksuar si fytyrë që në fillimet e punës sime me organizata të huaja që punojnë në Shqipëri.

Një ditë u gjenda me të në të njëjtin komision vlerësimi. Në komision ishin edhe dy gra të tjera, të huaja këto. Komisioni duhet të fillonte punën që në orën tetë e gjysmë të mëngjesit në një sallë takimesh të një prej hoteleve të Tiranës. Ishin ftuar më shumë se njëzetë vetë të prezantonin projektet që propozonin të ndërmerrnin në këmbim të disa granteve jo të vogla. Të gjithë kishin ardhur përveç asaj, drejtoreshës. Ia ndjemë hapat që në korridor. Hyri si furtunë, duke thënë: “Ua, po unë kam gjysmë ore që ju pres në zyrën time!”. Askush nuk foli. M’u duk sikur ishin mësuar me “keqkuptime” të tilla.

Dhe filluan më në fund prezantimet. Anëtaret e huaja të komisionit kujdeseshin që t’i mbulonin të gjitha pyetjet në bazë të të cilave do të plotësohej formulari i vlerësimit e do të zgjidhej më pas fituesi. Drejtoresha ishte gjatë gjithë kohës duke marrë e duke çuar mesazhe me iPhone-in e saj. Puna e donte që t’u bënte edhe ajo ndonjë pyetje prezantuesve dhe ajo nuk përtoi, i sajoi aty për aty nja dy pyetje-paragrafë që tingëllonin më shumë si kërkesë llogarie sesa si pyetje. Mesazhet i vazhdonin, kështu që nuk kishte kohë të dëgjonte përgjigjet. Pas çdo prezantimi, komisioni për disa minuta diskutonte se si iu duk projekti i propozuar dhe vendoste pikët për secilën nga fushat e vlerësuara. Drejtoreshës nuk po i gjendej që nuk po i gjendej karari. Nuk përtoi t’ua nxinte të gjithëve propozimin. Nuk ma kishte marrë mendja se ishte duke dëgjuar edhe prezantimet ndërkohë që merrej me telefonin. Në fakt, dikur u kërkoi ndjesë të huajave duke u thënë se po krijohej qeveria e re dhe kishte shumë gjëra që duhet të merrnin udhë. Të huajat, si zakonisht, u treguan shumë mirëkuptuese. Buzëqeshën si për të thënë: “Po, po, e dimë”.

Fill pas kësaj, drejtoresha nuk u mor më me mesazhe. Filloi me telefonata ndërkohë që dëgjonte prezantimet për të cilat m’u duk se i kishte përgatitur me kohë vërejtjet. E mes gjithë këtyre, para komisionit u paraqit një mesogrua, pak a shumë në moshën e drejtoreshës, e cila drejtonte një organizatë, një nga ato që aplikonin për grante. Kur i erdhi radha drejtoreshës për t’i bërë edhe ajo ndonjë pyetje, ajo,e përqendruar siç nuk e kisha parë ndonjëherë, ia priti “Po ç’pyetje t’i bëj!? I sqaroi kaq bukur të gjitha, i kam të gjitha të qarta”. Në vlerësimin rutinë të komisionit, sapo u largua gruaja që më pas mora vesh se ishte shoqe e ngushtë e drejtoreshës, kjo e fundit i dha pikët maksimale. Pas kësaj, telefoni vazhdoi punën. Drejtoreshës i kishte bërë aq shumë përshtypje ai projekt, saqë as edhe një nga propozimet në vazhdim nuk ia zbehu shijen e mirë.

Anëtaret e huaja të komisionit prodhuan një gjysmë buzëqeshje tipike. Nuk i pashë të nxirrnin telefonat as kur mbaruan me vlerësimet. Drejtoresha, nga ana tjetër, pasi u sigurua se projekti i saj i preferuar ishte patjetër një nga ata tre që do të merrnin ca mijëra Euro, u largua me nxitim, duke folur nuk e di se me kë.

Nuk ma merr mendja ta ketë hequr drejtoreshën kjo qeveria e fundit, se ajo, ndër të tjera, foli edhe me vetë ministren e sapoemëruar, se e dëgjoja kur thoshte: “Po, zonja ministre. Patjetër. Mos ki merak”. Më pas mori 3-4 vetë të tjerë dhe iu referuar ministres. Jo, jo, duhet të jetë akoma atje, duke drejtuar ndonjë drejtori edhe më të madhe në administratën tashmë të zvogëluar ndjeshëm./dritare.net

*Historitë e këtij blogu janë të gjitha reale. I trilluar është vetëm emri i autores.

3 Comments

  1. Do ta besoja autoren dhe do te perkulesha me respekt para saj nese ajo do te tregonte emrin e kesaj drejtoreshe famemadhe. Keshtu kam te drejte te theme se shkrimi eshte i pabesueshem ne gjykimin tim. Pra dokrra !

  2. i di si i thone kesaj moj luna
    futja kot, shkruaj “tallava ” ( njesoj si kendoj tallava)
    po pse nuk e shkruan me emer ,apo ndonje saktesim apo ben llafe kot
    ta lexoje edhe rama,
    mireli n e ka kap shume mire , por edhe gjithe te tjeret

  3. Sidomos drejtoreshat e LSI keshtu jane,po mundohen ta rregullojne dhe me qeverine Rama2.Takova nje dite nje drejtoreshe ne rajonin e sig lezhe dhe me nje habitje tha pse vjen ketu tek zyra e drejtoreshes ,per mos me ardhe ketu kam lene nje zyre pritje qe cdo dite pret qytetaret nga nje shef (pra lene punen e vet per cilen marrin rrogen e kalojne ne zyren e pritjes pamvaresisht eshte i fushes qe drejton )vetem e vetem qe mos te shkojne tek zyra e drejtoreshes Z.Dila Nikolli.Nuk pyet kush per hallet e populli dhe per zgjidhjen e problemit.Ajo e kishte shtruar ne arkiv duke hanger e pi pa per qytetaret ardhe nga fundi i mirdites nuk don tja dije.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*