Videoja skandal që shfajëson policinë

Nga Andi Bushati 

Pamjet rrënqethëse që u trasmetuan të hënën në mbrëmje në emisionin “Opinion”, ku 12 policë të drejtuar nga numri dy i drejtorisë rajonale të Elbasanit qëndrojnë si hunj, të frikësuar, të shushatur dhe të tredhur për t’u vënë në ndjekje të atij që i kishte sulmuar, nuk është vetëm një akuzë për uniformat blu.

Edhe gjatë emisionit, edhe më pas në mediat e tjera, filloi të diskutohet se përse, policia nuk u vu në ndjekje të Audit të blinduar që guxoi të përplasej me ta?

Pse uniformat blu, megjithëse në kushtet e flagrancës, nuk riskonin ta kapërcenin pragun e tregut agro- ushqimor?

Pse, ashtu sikurse duket edhe në pamjet filmike (shiko videon poshtë), ata nuk përfitojnë nga dera që ndenji për disa kohë e hapur, por qëndrojnë hezitues dhe të dërrmuar përpara saj?

Pse, në fund të fundit, ata nuk guxojnë as t’a përmendin në komunikata dhe në komunikimin publik emrin e të dyshuarit të cilin opozita e ka treguar me gisht duke thënë se është Suel Çela?

I gjithë ky enumeracion pyetjesh diskredituese të bën të mendosh për një implikim të policisë lokale me bandat e qytetit. Ashtu si në rastin e trafikantëve të drogës, ashtu si në rastin e dhjetra krimeve ordinere, mendja të shkon te keqbërësit e provincës që fitojnë aq para sa të paguajnë punonjësit e rendit, për të siguruar paprekshmërinë e tyre.

Dhe natyrisht, ky version, nuk përjashtohet edhe në hipotezat e asaj që ndodhi në mbrëmjen e 18 shtatorit në Elbasan, kur ai që guxoi të godiste zv/drejtorin e policisë u la të ikte në drejtim të paditur.

Por, kqyrja disa herë e atyre pamjeve, fakti se policëve u ishte përdhosur shefi i tyre, se kjo kishte ndodhur në mënyrë të bujshme dhe në syte e mbi dhjetë dëshmitarëve, të bëjnë të ngresh edhe një hipotezë tjetër.

Ajo të çon të mendosh se policia e kishte të pamundur të shkonte më tej. Pafuqia e atyre njerëzve që nuk bënin dot një hap më shumë drejt detyrës, flet shumë. Sa më shpesh e shikon videon, kalamendjen, hezitimin dhe ankthin, për të vazhduar aksionin, përpara një porte që po mbyllej pa kthim, fillon të kuptosh edhe se ç’kanë menduar në ato momente ata policë.

“Ja dhe vazhduam më tej, do e kapim agresorin, pastaj do ndërhyjë dikush nga lart, pastaj do bëhet një proces fallco, pastaj të gjithë do të jenë të lirë dhe vetëm ne do të kemi një armiqësi mbi shpinë”.

Po të kqyrësh me kujdes ato pamje duket sikur hyn në botën e brendshme dhe në mendimet më të thella të atyre njerzve të ligjit që në fakt janë “viktima” të një paligjshmëre më të madhe. Ne mund t’i kërkojmë atyre të bëjnë trimin e çartur, mund të presim nga ata të luajnë skena filmash si ato të Korado Katanit, me të cilat jemi mëkuar në fëmijëri, por ne nuk mund të harojmë për asnjë çast, se nuk mund të ketë kurrë heronj për sa kohë ata tradhëtohen nga lart, nga eprorët, politika, qeveria.

Kjo është në fakt fabula që kemi parë disa herë. Kështu u sollën edhe ata policë që tentuan të ndalojnë dikur Mark Frrokun i cili mbante një trafikant në veturën e tij. Ngjarjet e mëpasme treguan se e gjithë ministria e brendëshme qe e implikuar në fshehjen e bëmave të deputetit. Prandaj policët e rrugës nuk mund t’a linin veçse të largohej.

Të njëjtat skena, përjetoi edhe ai grup i gatshëm që u nis të prangoste Kostandin Xhuvanin (disa kohë më para se të merrte katër jetë) kur ai shkoi e u shfaq në oborrin e parlamentit. Por, një urdhër nga lart e ktheu makinën e tyre në mes të rrugës, nga frika se mos krijoheshin implikime politike.

Këto histori të trishta nuk kanë si të mos të të kujtohen teksa vëzhgon videon e Elbasanit dhe pafuqinë e atyre 12 policëve, që shohin t’u mbyllet porta para syve.

Ndoshta impotenca e tyre buron pikërisht nga kjo gjë. Nga fakti se ata dinë më shumë se ne që u kërkojmë të luajnë heroin. Ata e kuptojnë të parët se ka dyer që u janë mbyllur nga lart. Ata e ndjejnë se nuk kanë më shumë kompetenca, se ato të aktorëve të neveritshëm të videove amatore.

Dhe për këtë duhen shfajësuar. Gjurmët e krimit të çojnë tjetërkund. /Lapsi.al

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*