A shërohet lotaria amerikane?

Nga Dritan Hila

Muaji tetor është muaji i aplikimeve në lotarinë amerikane. Ka gjasa, shifra e aplikantëve ta kalojë vitin që shkoi, kur arriti në 200 mijë. Ende askush, politikan apo sociolog, nuk jep një përgjigje kurajoze pse po ikin shqiptarët. Të parët e përdorin për arsye politike me të njëjtën gjuhë të drunjtë e të varfër. Të dytët kanë ikur për vete.
Pse pas 27 vjetësh të eksodit të parë, tashmë kur standarti i jetesës është shumë herë më i lartë se ai i i çastit kur ra komunizmi, hemorragjia nuk ndalet?
Arsyet janë së pari nga pushteti. Ikja e Berishës dhe ardhja e Ramës u mendua si mbarimi i tranzicionit dhe fillimi i erës së politikanëve që ishin rritur në demokraci. Fatkeqësisht ishte një zhgënjim. Edi Rama iu kthye të gjitha politikave ekonomike të Berishës, por me më pak rezultat. Kopja është gjithmonë më e zbehtë se origjinali. Koncesionet janë një ndër treguesit.
Në rafshin politik Rama u tregua autoritar si Berisha, duke eleminuar zërat kundërshtarë brenda partisë dhe asfiksuar zërat e pavarur të shoqërisë. 27 vjet më pas, shqiptarët shohin se politikanët e dikurshëm me tituj profesorë, janë zëvendësuar nga hajdutë ordinerë apo qënie amorfe në rrafshin kulturor që edhe gjuhën komunikuese e kanë tepër bazike.
Pas fitores së mandatit të dytë, Rama mund t’i mbushë mendjen vetes dhe të vetëve që qeveria është më efikase, por shqiptarë që e dinë si funksionon një shtet e kuptojnë që kjo është vetëm një mënyrë për të zhdukur transparencën dhe ngushtuar rrethin e vendimmarrësve dhe përfituesve në një grusht besnikësh që zbatojnë urdhërat pa fjalë. Sot, gjithë vendi është në dorë të tre njerëzve: Ahmetaj, Gjiknuri, Xhafaj. Këtë e di shtresa e mesme që e njeh mekanizmin ndaj duan të ikin. E kuptojnë edhe të tjerët, dhe shkojnë në dyert e ambasadës.
Askush nuk shikon një perspektivë ekonomike në vend. Njeriu i cili duhet t’i jepte krahë me politika ekonomike shtresës së mesme dhe vegjëlisë, rezultoi mik i të pasurve.
Po aq përgjegjëse në këtë bjerrje morale të vendit është opozita. Madje kur vjen puna për shpresën, kjo është më përgjegjëse se pozita. Me figura që janë vetëm formë dhe aspak brendi; me njerëz që nuk prodhojnë asnjë ide, por presin që Rama të bjerë; me personazhe që dallohen kilometra larg që e vetmja brengë që kanë është se pse po vjedhin socialistët dhe jo ata, vështirë se i bëhet kujt të rrijë në këtë vend. Zgjedhjet e fundit në PD më shumë se procedurë e trukuar, ishte bezdisëse për publikun pasi përballë formacionit pa ngjyrë të Bashës, ishin figura të konsumuara në të shkuarën. Në vend që të jetë i hapur për prurje dhe ide të reja, karakteri i Bashës ngjan tepër sektar, dhe mbase pret në breg të Lanës më shpresën që një ditë të shohë kufomën e armikut të pluskojë në të. Por harron se Lana është lumë i cekët, ku e shumta derdhen ujërat e zeza, por nuk mbyten njerëz.
Ndërkohë vendi po humbet shtyllën kurrizore të tij. Tashmë nuk janë 20 vjeçarët që ikin në kërkim të aventurës, por 40-50 vjeçarët, profesionistë të mirëedukuar të cilët në mos vetë, po nisin fëmijët me studime jashtë bashkë me amanetin që mos të kthehen.
Por a kanë faj vetëm politikanët apo edhe shqiptarët kanë pjesën e tyre? Edhe në këtë rast faji është me babë dhe nënë. Shqiptarët ndoshta nuk mund të akuzohen pse nuk votuan opozitën në kohën kur opozita ishte e shpartalluar ende pa shkuar në votim. Por nuk mund të gjejnë justifikim pse i dhanë 50 mijë vota më shumë Ramës ndërkohë që bilanci i tij ishte katastrofik dhe programi i tij vetëm barcaleta me timon e tepsi. Shqiptarët nuk janë fajtorë pse dolën në votime, por nuk mund të justifikohen (sidomos shtresa e mesme) pse nuk ishin në gjendje të prodhonin një alternativë të re.
Cila është rrugëdalja? Vështirë të thuhet. Ikja masive po na çon drejt injorancës. Mjaft të mendosh se Universiteti Shtetëror u katandis në kioskë ga Dhori Kule dhe delfinët e tij, ndërsa serbatori i qeverisë për strategji zhvillimore apo resurse njerëzore është bërë universiteti i Henri Çilit. Kombi po plaket dhe pas dy dekadash nuk dihet kush do të paguajë pensionet. Dhe më e rëndësishmja, me pakësimin e popullsisë, Shqipëria po humbet peshën demografike në Ballkan dhe rrjedhimisht pozicionin politik dhe ekonomik nga i cili ka ardhur edhe pavarësia e Kosovës. Kjo është një çështje për të cilën duhet të mblidhet këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe të hartohen strategji urgjente për frenimin e hemoragjisë. Fatkeqësisht askush nuk mendon për këtë. Kush nuk është në gjendje të vjedhë, lutet t’i dalë lotaria amerikane./dritare.net

2 Comments

  1. Ne fakt i gjithe shkrimi ishte i pikasur. Po ajo qe nuk kuptova dot ishte fjalia mbyllese. Une nuk ika ne USA se nuk vidhja dot, Z. HILA. Ne fakt, te vjedhesh eshte profesion ne Shqiperi. Une ika ne USA, se kuptova me ne fund pas 50 vjetesh te jetes time qe Shqiperia nuk do te behet ndonje here Shtet. Kete e them me shume, po shume keqardhje por qe te pakten tani fillova ta pranoj kete fakt brenda vetes. Dhe ne profesionin tim, kur individi pranon qe dicka nuk shkon mire,reagimi nenkupton fazen e sherimit. Sipas zotit Hila, gjithkush qe nuk lutet ti bie llotarija qenka i zene me punen e vjedhjes!!!

  2. Kam tashme dy vite qe jetoje ne Shqiperi dhe ky ishte nje gna artikujte me te sakta qe kam lexuar per sa i perket realitetin a Shqiperise sot. Zoti HIla permendi dhe kritikoje te gjita ata qe kan kontribuar ne arsyet qe Shqiperia eshte sic eshte sot ,edhe nuk hezitoje te permedi dhe fajin qe mund te ket populli per gjendjen atuale ( meghithese, sipas mendimit tim, populli ka me shum faje sesa zoti Hila atributon tek ata.). Ate qe do deshiroja ishte qe gazetari ta kishte mbyllur artikujn ne menyre me positive ose, me mir, me pak optimizëm per te ardhmen e kti shtetit por, duke jetuar ketu, njeri vetem optimism nuk mund te eshte. Do vashdoj te ndjek shkrimin e zotit Hila, sepse zera si te atij duhen ne nje shtet qe do ta konsideroje veten e civilizuar dhe me një të ardhme. Lottaria amerikane, qe per shumicen a shqiptareve eshte nje burim endrave, shpresave she me ne funde, mbase, lumturise, per mua perfaqeson zhgënjimin dhe dorëheqjen e shqiptarëve nga çdo përpjekje për të ndrequr atdheun e tyre.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*