Saimir Tahiri si viktimë e gjeopolitikës

Nga Dritan Hila

Dalja e dosjes së përgjimeve të Saimir Tahirit në fakt nuk ka lidhje me atë drejtpërdrejtë. Thënë ndryshe, nuk u hap me synimin final kokën e tij. Aktualisht ai është një deputet i thjeshtë dhe pa ndikim në rradhët e policisë, sikur edhe për të kaluar edhe një kile hashash, pasi pasardhësi i tij Xhafa i fshiu sapo erdhi.
Saimir Tahiri ka fajet e tij në kanabizimin e vendit. Nëse ish deputeti Kokëdhima ishte ideologu i legalizimit të hashashit, Tahiri ishte ai që e lejoi; aty ku nuk e lejoi u tregua indiferent dhe aty ku nuk u tregua indiferent, mori në qafë vetëm ca kurbane për publicitet mediatik. Tahiri nuk kishte forcë të ndalonte një politikë që përcaktohej më lart nga ai, por nuk mund të pretendojë se nuk ishte në dijeni. Nga shefat e sektorëve e përpjetë kanë qenë kompetencë ekskluzive e tij, njerëzit që kontrollonin daljet doganore ishin besnikë të tij, ndaj ai ka gjynahet e tij që nuk i lan dot me ujë çezme.
Por goditja në këtë moment vjen më shumë për arsye gjeopolitike. Le të jemi racionalë. Dosja e përgjimeve nuk është rezultat i punës investigative të gazetarëve shqiptarë. Ajo është e ardhur me porosi nga përtej detit. Duke goditur Saimir Tahirin, goditet Edi Rama. Nuk është hera e parë që i bëhet kjo goditje në kërcinj. Ka ndodhur edhe në mandatin e parë, por pa rezultat. Dhe kjo ka ardhur jo për shkaqe qibari apo fluksi narkotikësh që vinin nga brigjet e Shqipërisë, por për shkak xhelozie gjeopolitike.
Që nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 trualli shqiptar iu la nën kujdes Italisë. Ajo ishte edhe kumbara e shtetit të ri shqiptar dhe ka qenë vija e kuqe ku frenoheshin interesat gjermane apo rajonale të grekëve dhe sllavëve. Italia ka qenë gjithmonë xheloze për Shqipërinë dhe e ka konsideruar oborr të pasëm. E ka pushtuar kur ka pasur mundësi ose ka investuar kur ka qenë në paqe dhe anasjelltas ka qenë dritaria nga shqiptarët edhe në kohën e diktaturës komunikonin me perëndimin.
Me ardhjen e Edi Ramës në fuqi, u pa se politika e jashtme shqiptare morri kurs tjetër. Për të përballuar fuqitë rajonale ai shpalli Turqinë si partner strategjik. Ndërkohë duke parë trendin e Evropës, Rama bëri lidhje të shkurtra me Berlinin duke iu afruar atyre vendin në pjatë të argjendë. Në fakt ai nuk bëri ndonjë akt armiqësor kundër Italisë, por as i qëndroi politikave tradicionale. Nëse deri vonë Italia e merrte me shaka Shqipërinë për të investuar në sektorë strategjikë dhe ishte më e interesuar për tregun serb, Rama i ofroi gjermanëve kontrata shumëmilionshe dhe hapësira fiskale të cilat nuk ia u kishte ofruar italianëve, të cilët për të qenë realistë as nuk ia kishin kërkuar. Gjithsesi kjo me siguri ka ngjallur xhelozinë e fqinjëve tanë të cilët që nga koha e Gronkit, nuk kanë guxim të shpallin asnjë ambicie të tyren. Por që natyrisht nuk ndihen mirë kur shikojnë se Merkeli po i zbyth nga hapësirat tradicionale të ndikimit të tyre me të njëjtën vendosmëri dhe përpikmëri të një makinerie lufte që vetëm gjermanët dinë ta bëjnë.
Port pyetja që kuriozon të gjithjë është nëse do ia dalë dosja Tahiri të rrëzojë Ramën? Kjo është e vështirë. Shqipëria është zonë e influencës amerikane. Vetë SHBA përjashto vektorë të mëdhenj gjeostrategjikë, nuk është e interesuar për tregun shqiptar. Kaporali që ka caktuar për kontinentin është Gjermania. Franca nuk ka më ambicie mjaft të ruajë shtetin e welfare; Anglia iku, ndërsa Italia është tepër e pamësuar me politikë të madhe që nga koha e Musolinit dhe shumë e dobët nga sherret e brendshme. Ndaj zgjedhja e Ramës për Gjermaninë nuk ngjan e pa llogaritur.
E shumta që mund të sjellë kjo stuhi është rënia e kokës së Sajmir Tahirit cili zbatoi me përpikmëri detyrat e vëna për të fituar zgjedhjet. Saimir Tahiri e humbi shansin të jetë pasardhës i Ramës në parti. Pas ca kohësh Rama do ia gjejë një vend në drejtorinë e gjelbërimit. Mjafton që të mos flasë./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*