A e bëri dalje sot Edi Rama, Tahirin?

Nga Dritan Hila

Fjalimi i sotëm i Edi Ramës ngjan si një shitje që i bëri Sajmir Tahirit por ajo është vetëm një lëvizje taktike e tij. Nisur nga faktet që ka paraqitur deri më sot prokuroria, Sajmir Tahirit i marrin të keqen. Bisedat e të tretëve apo fakti i makinës si më i rëndi, kanë peshë në opinionin publik por jo në gjykatë. Megjithatë Rama duke mos ditur se çfarë përmban dosja e italianëve dhe çfarë vendimi është marrë për të në dhomën e butonave, i doli përpara situatës duke e bërë dalje publikisht ish ministrin e brendshëm duke i faturuar gjithë emërimet, politikat dhe iniciativat që kishte ndërmarrë. Këtë vështirë ta besojë kush, por gjithsesi Tahiri e kreu rolin e tij duke u bërë mburojë ndaj Ramës në të ardhmen e afërt.
Po ashtu qëndrimi i Ramës ndaj Tahirit nuk ka lidhje me ndonjë kërcënim të mundshëm të këtij të fundit ndaj kryeministrit. Do të ishte tepër mendjelehtë të mendohej kjo. Tahiri është një njeri i ardhur në PS nga Rama (e kujtoi edhe ai vetë në fjalim) dhe gjithë fuqia i buron prej Ramës dhe PS. Tahiri nuk është Beria, dhe nëse do ti shkrepej të përdorte ndonjë incizim apo material që ka në zotërim, një kryeministër ka gjithë mekanizmat të të mbylli gojën duke filluar që nga çuarja në një qeli me Gjutajn apo Shullazin, të kujton gruan dhe fëmijët e shumë mënyra të tjera për të mbyllur gojën. Këtë Tahiri e di.
Nxjerrja jashtë loje e Tahirit në publik nuk do të thotë se ai do të jetë jashtë kujdesit të Ramës. Vetë fakti që PS nuk lejon burgosjen e tij, është shenjë përkujdesi. Dhe kjo nuk vjen për shkak të ndonjë afeksioni të veçantë të Ramës dhe as hipotezës infantile të materialeve sekrete që mund të ketë Tahiri, por për faktin se po lëshoi Tahirin, fillon efekti domino i shthurjes së pushtetit.
Ndërkohë sa i takon prokurorisë, tregoi se është në nivelin e Llallës. Jo për shkak të provave të dobëta që ka sjellë, por për konstatimin se gjithë akuza e saj mbështetet tek qëmtimi i letrave të italianëve. Sikur kaq sa ka bërë të ishte puna e saj, do të merritonte respekt për vullnetin. Por të mbështesësh akuzat për një ministër në sa thonë të pandehurit e prokurorisë italiane, është tepër diletante.
Pala e tretë në lojë duhet të ishte opozita por në fakt janë ndërkombëtarët. Në takimin e fundit të ambasadorit amerikan me atë italian me siguri është folur edhe për motin por kjo ka qenë tema e fundit. Dhe ne mund të bëjmë vetëm hamendësime, ashtu si parashikimet e motit se çfarë është folur për situatën shqiptare. Nëse Italia ka problematikën e influencës rajonale dhe të drogës e cila e ka shtyrë prokurorin e saj antimafia në dëshpërim derisa të kërkojë legalizimin e hashashit, përfaqësuesi i Uashingtonit ka edhe axhenda të tjera. Rusi tek portat; një politikë e jashtme shqiptare e çoroditur; një opozitë totalisht e papërgatitur për të ardhur në pushtet dhe me probleme të rënda kredibiliteti; një reformë në drejtësi në fazën delikate, janë të gjitha arsye që amerikani të kërkojë heqjen e këmbës nga gazi prej palës italiane. Se çfarë udhe do të marrë afera është pak si shpejt të gjykohet. Ajo që mund të thuhet deri tani është se kariera e Tahirit ka marrë fund dhe për këtë nuk ia ka fajin askush. Ndërsa makina e Edi Ramës megjithëse me bojë të dalë dhe motorr që bën më shumë zhurmë sesa punë, do vazhdojë edhe për ca kohë të lëvizë, ku shoferi më shumë sesa fakti që di të lëvizë timonin, ka meritë që ka edukuar një opozitë të aftë për ti shtruar asfaltin e rrugës./dritare.net

1 Comment

  1. A e dini fenomenin “DOMINO”? Cifti Like -Mona jane mbreterit e LSI! Mund t’ia lene trashegimi njeri tjetrit LSI! Por na qenka dhe nje cift tjeter Dritani -Rudina?! Jetojme ne koherat moderne te shqiptareve te Shqiperise! Mund te ndrojme bindjet si kostumet qe veshin gazetaret tane! “Per inat se sime vjehre do te fle me mullisin”?!

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*