Çështja çame nuk ekziston/ Ja si u paraqit takimi i Kretës nga mediat greke!

Gazetarja e Vizion Plus, Gerta Banushi e ftuar në emisionin #DritaremeRudinën, bëri një panoramim të takimit Bushati- Kiotzias dhe si u paraqit ai në mediet greke. Banushi tha se mediet greke paraqitën të gjitha çështjet që u diskutuan në takimin mes dy ministrave të Jashtëm.

“Në mediet greke janë diskutuar të gjitha çështjet që mendohet se janë diskutuar në takimin e Kretës. Gazeta greke “Kathimerini”, në një artikull të sajin, shkruan se çështja çame nuk ekziston, është një çështje e mbyllur me sukses dhe është e parevokueshme. Kjo çështje nuk është diskutuar në Kretë. Sipas partisë opozitare, Demokracia e Re, çështja çame nuk ekziston, nuk është diskutuar kurrë dhe nuk do të diskutohet në asnjë tryezë.

Mediet greke kanë shkruar para takimit, si dhe pas tij, me editoriale apo lajme të ndryshme. Në një shkrim në gazetën “Kathimerini”, politologu Kostandinos Filis, drejtor i kërkimeve në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Athinë, ka theksuar se Kreta nxori në pah problemet e mëdha me Shqipërinë, një pjesë e të cilave janë të pazgjidhshme. Sipas tij, problemet që qeveria greke ka me Shkupin, nuk janë aq të mëdha, sa janë ato me Shqipërinë”, tha Banushi.

Gerta Banushi tregoi se deputetë të opozitës, kanë kërkuar nga ministri Kotzias, të raportojë për takimin me Bushatin dhe përbërjen e komisioneve të përbashkëta, që do të merren me trajtimin e çështjeve të ndryshme.

“Mediet kanë qenë ditën e parë hermetike. Filluan të nxirrnin informacione ditën e shtunë, kur Kotzias dha deklaratën, që Greqia mbështet Shqipërinë, për të qenë anëtare e BE-së. Përpara takimit, opozita greke i ka dërguar një shkresë zyrtare Kotzias, ku kërkojnë të dinë për takimin, se si do të jenë të përbëra 4 grupet e përbashkëta, me profesionistë të fushave të ndryshme, si dhe grupi Ad Hoc, që do të finalizohej në Kretë. Ata e kanë përsëritur kërkesën  tyre pas takimit, por Kotzias ndodhet në Bruksel. Pritet që në ditët në vazhdim të ketë një interpelancë në Parlament”, tha Banushi./Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*