Lini celularët, shijoni vjeshtën!

Nga Fjorda Llukmani

Stina ime e preferuar është vjeshta, mbase sepse kam lindur në shtator. Këtë mëngjes u zgjova pak më herët se zakonisht. Hëngra mëngjes, bëra dy pare muhabet me mamin dhe u nisa për në punë. Në përgjithësi ngaqë jam gjithmonë vonë, marr autobusin për të shkuar në punë. Kur dal nga shtëpia vetëm nxitoj dhe me kokën ulur lundroj në Instagram deri në stacionin e autobusit. Vetëm kur shoh një foto vjeshte të një mikeshës sime. “Oh sa vjeshtë e bukur”- po mendoja me vete. Shyqyr kemi këtë Instagramin për të parë copëza të bukura të Tiranës, pasi jeta është e mbushur plot negativitet. Në mëngjes nuk zgjedh të lexoj lajme, sepse më prishet dita.

Ndalova dhe mendova “Ore po unë pse nuk e shijoj vjeshtën me sytë e mi, po rri e shikoj në Internet?” Mu kujtua gjyshi që kur më sheh me pajisje elektronike në dorë më thotë “O kokulurit e shekullit!” Fus urgjentisht telefonin në xhep dhe vendos ta bëj në këmbë rrugën për punë. Diku tek 30 min nga Materniteti i Ri në Bllok, eca buzë Lanës. Isha këmbësorja më e lumtur e qytetit!

Ndonjë bori makine ma prishte terezinë, por nuk i vija faj sepse kishin ngecur në trafikun e mëngjesit. Nuk ja uroj asnjërit të jetë shofer në rrugët e Tiranës. Ka lezet këmbësori, shijon vjeshtën dhe nuk stresohet që në sabah. Tentova të shkel disa gjethe për të dëgjuar zhurmën “kërrc-kërrc”, por harrova që kishte rënë shi. Më shijoi aq shumë sa zgjodha ta pi kafen vetëm me terezi, për të shijuar gjethet e fundit ngjyrë ari. Mu kujtua që dhe im atë e donte shumë vjeshtën, aq sa ka shkruar plot poezi për këtë stinë. Madje njërën prej tyre e botova në gazetën e shkollës kur isha në klasë të shtatë.

Lërini telefonat dhe negativitetin në mëngjes dhe shijoni super ngjyrat e tokës. Nuk i dihet kur mund ta shikoni përsëri Tiranën kështu!/Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*