Myslym Pashaj: Greqia nuk tërhiqet për detin, ja çfarë duhet të bëjë Shqipëria!

I ftuar në emisionin #Dritaremerudinën, në Vizion Plus, Koloneli Myslym Pashaj ka folur për marrëveshjen e parë për ndarjen e detit, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai ka quajtur marrëveshjen më të dëmshme për Shqipërinë, por që fatmirësisht u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Ai u shpreh se ka informacione që pala greke ka çuar një hartë të re për marrëveshjen për detin.

“Por unë këtë qëndrim të ri të Greqisë nuk e besoj. Kam dëgjuar dy intervista të ministrit Bushati në Kretë dhe Athinë, ku ai ka thënë se në tryezë janë shtruar të gjitha pikat për diskutim, dhe këto diskutime do të vazhdojnë në Shqipëri. Pra, nuk ka thënë konfirmime të kësaj natyre, që pala greke të ketë pranuar të rinegociojë për marrëveshjen e detit.

Unë gjithashtu jam informuar edhe nga miq të tjerë në lidhje me këto diskutime, të cilët e kanë cilësuar si fitore të madhe faktin që pala greke të pranojë rinegocim për marrëveshjen e detit, por në gjykimin tim, duhet pritur derisa palët të dalin me një deklaratë zyrtare të përbashkët.

Por unë, të jem i sinqertë, nuk e besoj një gjë të tillë, pasi është e vështirë që një shtet si Greqia të pranojë të tërhiqet nga një marrëveshje, e cila e favorizon, pavarësisht që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar.

Në kushtet në të cilat Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë këtë marrëveshje, unë them që të dyja palët tona duhet të ulen edhe të fillojnë bisedimet e t’i trajtojnë marrëdhëniet me besueshmëri me njëri-tjetrin”, tha Pashaj./Dritare.net

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*