Rama premtoi insulinën dhe fishat falas për diabetikët, reagon shoqata: Nuk e besojmë!

Nga Anxhela Ferra

Rreth 5% e popullsisë në botë është e prekur nga diabeti dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo dhjetë vjet.

Në Shqipëri të paktën 70 000 persona janë duke u trajtuar nga diabeti. Sipas mjekëve shqetësuese është edhe rritja e shpejtë e diabetit tek fëmijët dhe moshat 40 vjeçare.

Asim Toro, drejtor i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, është diagnostikuar në moshën 5 vjeçare me diabet dhe prej 27 vitesh vuan nga kjo sëmundje. Thotë për Dritare.net, se të jetosh me diabet jo në Shqipëri, është një motiv për të qenë i shëndetshëm, të kujdesesh më shumë për veten. Kurse në Shqipëri me mos plotësimin e kushteve dhe lënien në harresë, është e vështirë ta shohësh pozitivisht situatën.

Asim Toro

Kushtuar muajit Nëntor, i cili është muaji kundër diabetit, Shoqëria organizoi një sërë aktivitetesh dhe fushatash sensibilizuese. Pjesë e të cilës ishin dhe shumë vipa shqiptarë.

“Ne nuk patëm asnjë mbështetje financiare, për të përcjellë zërin tonë e të krijonim një impakt kaq të madh. Ndaj zgjodhëm metodën e vetë ndërgjegjësimit dhe gjetëm një mbështetje të madhe prej tyre. Kjo gjë bëri që qeveria sot të ishte në një prej familjeve dhe të dëgjonte problemet. Por, në Shqipëri janë më shumë se 70 mijë diabetikë, ndaj situata është shumë shqetësuese.”

Një prej kërkesave të tyre është rimbursimi i fishave, për të cilën Kryeministri Edi Rama tha sot se buxheti i 2018 e parashikonte një gjë të tillë. Por, Toro thotë për Dritare.net se këtë premtim Kryeministri e ka dhënë që në mandatin e parë, edhe pse situata vazhdon të jetë e njëjtë.

“Unë nuk e besoj shumë premtimin e Kryeministrit. Ne jemi lodhur me këtë situatë pasi ka kaluar shumë kohë dhe ne jemi përsëri njësoj. Por, kam shpresën se diçka do të ndryshojë dhe tani ne presim rezultatet e këtij premtimi.

Sigurimi i fishave është problemi kryesor për diabetikët. Shteti rimburson insulinat apo kokrrat për të kuruar diabetin, por për mua është një rimbursim i shkuar dëm. Pasi ne që kërkojmë prej vitesh rimbursimin e fishave, e kërkojmë sepse duke ditur nivelin e sheqerit në gjak, llogarisim sa insulinë duhet të injektojmë për të mbajtur sheqerin në vlerat normale. Në këtë mënyrë ne parandalojmë probleme të tjera që lidhen me zemrën, veshkën, gjymtyrët, dëmtimin e syve etj.

Ne nuk kemi as ndihmë ekonomike dhe kostot e një diabetiku janë shumë të larta. Kostot vjetore të një diabetiku janë më shumë se 3 milionë lek, ku përfshihen të gjitha ekzaminimet.

Kompanitë farmaceutike në Shqipëri e kanë të vështirë të sjellin medikamente të reja. Kjo gjë na privon ne të provojmë insulinat e reja.

Këto janë kërkesat tona kryesore, lehtësim për marrjen e insulinave, të bëhet rimbursimi i fishave dhe të sigurohen ndihma ekonomike për familjet në nevojë që kanë pjesëtarë me diabet.”

Diabeti është shkaktari kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, humbjes së shikimit, insuficiencës renale dhe amputieve të gjymtyrëve të poshtme. Sa më herët që personi të diagnostikohet aq më shpejt fillon edhe trajtimin, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të rrezikshme dhe të kushtueshme. Ndaj është shumë e rëndësishme që të bëhet depistimi, diagnostikimi dhe dhënia e trajtimit të duhur, njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti./Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*