Nga Toto Riina, tek Al Capone, kumbarët e famshëm të mafias

Kanë qenë të shumtë bosët që, ashtu si Salvatore Riina, kanë krijuar kupola mafioze, por pak kanë arritur të godasin në zemër institucionet, siç bëri ai. Bota.al sjell në shqip një listë të bosëve që shkruan historinë e përgjakur të mafias, nga Italia në Amerikë

SALVATORE RIINA: ME MIZORI

Mbi bosin e Palermos rëndojnë shumë vrasje, përveç atyre të Prefektit Carlo Alberto Dalla Chiesa (1982) dhe sulmeve të Capacit (maj 1992) dhe Rrugës Amelio (korrik 1992): ku u vranë Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. I arrestuar në vitin 1993, Totò, i thirrur “‘u curtu” për shkak të gjatësisë vetëm 158 cm, u dënua me shumë dënime të përjetshme. Metodat që ai përdori për të sjellë klanin e tij në krye të Cosa Nostra-s, ishin të nëjtat me ato të përdorura nga “baballarët e tij shpirtërorë”, shumë prej të cilëve kishin vdekur pa bërë asnjë ditë burg: ja cilët ishin mafiozët më të famshëm.

VITO CASCIO FERRO: BOSI I PARE

“Fateci vagnari ‘u pizzu” – “na lagni sqepin”: ishte kjo mënyra me të cilën mafiozët u kërkonin para tregtarëve në fillim të shekullit që kaloi. Ishte Vito Cascio Ferro (1862-1943), një prej të parëve bosë të mëdhenj siçilianë, që e bëri zhvatjen një biznes i cili më pas u eksportua në Amerikë. I lindur në Palermo, në pak vitet që kaloi në Nju Jork konsolidoi marrëdhëniet me kriminalitetin e përtej oqeanit dhe u njollos me makabrin “krimin e fuçisë” (ku futi, të bërë copë-copë, një mashtrues i cili donte të bënte biznes në territorin e tij). Ia hodhi paq plot 69 herë, por të shtatëdhjetën arrestimi ishte fatal: në vitin 1930 prefekti i hekurt Cesare Mori e dënoi me burgim të përjetshëm. Cascio Ferro vdiq i harruar në burg në Pozzuoli, pa ushqim dhe pa ujë, gjatë evakuimit të 1943.

LUCKY LUCIANO: ME INFLUENTI

Në moshën 19 vjeç, Salvatore Lucania (1897-1962) e ndryshoi emrin e tij në Charlie Luciano. “Lucky” erdhi pasi i mbijetoi në Nju Jork rrëmbimit prej mafias, që i la një shenjë në fytyrë dhe pseudonimin. Me origjinë nga Lercara Friddi (Padova), pasi eleminoi rivalin Joe Masseria u bë shefi i familjes Genovese (dhe revista Time e vuri në listën e 20 burrave më me ndikim të shekullit të 20-të). Në vitin 1936 u arrestua në Shtetet e Bashkuara dhe u dënua me 50 vjet burg. Ai doli nga burgu 10 vjet më vonë: sipas disa historianëve e fitoi lirinë dhe një të drejtë largimi për Itali, duke punuar me amerikanët për të favorizuar zbarkimin e aleatëve në Siçili në vitin 1943. (bota.al)

AL CAPONE: NJERIU SIMBOL

Më shumë se një bos i mafias, ai ishte një gangster dhe përfundoi duke u bërë simbol i krimit italo-amerikan. Biri i emigrantëve nga Campania, Alphonse Gabriel Capone (1899-1947), me emrin Al, lindi në Bruklin. Që i ri në moshë mori një shenjë plage me thikë në faqe (ndaj edhe nofka Njeriu me Shenjë), për mbrojtjen e nderit të motrës së tij. Pasi u transferua në Çikago u shpall “Armiku publik nr. 1”, por për ta arrestuar atë u deshën 9 agjentë të pakorruptueshëm (Të paprekshmit, të rrëfyer në filmin e 1987 nga Brian De Palma). Ai u dënua në vitin 1931 me 11 vjet burg, por për evazion fiskal.

CARLO GAMBINO: DHELPRA

Ishte një nga emigrantët e shumë, Carlo Gambino (1902-1976), kur në moshën 19 vjeç erdhi në Nju Jork nga Siçilia. Por në gjysmë shekulli të aktivitetit kriminal, ai themeloi, në fund të viteve 1950, një nga familjet më të fuqishme në Nju Jork: Gambinot. Pa u ekspozuar shumë, i lidhur me vlerat më tradicionale të mafias, ai e bëri dinakërinë armën e tij (por nuk tërhiqej shumë, kur bëhej fjalë për të vrarë kundërshtarët). Me stilin e tij “të vjetër”, ai u bë një nga modelet e personazhit të Vito Corleones në filmin The Godfather (Francis Ford Coppola, 1972). Ai vdiq nga një atak në zemër duke parë një lojë bejsbolli në TV.

JOHN GOTTI: BIZNESMENI

Jo të gjithë mund të kenë të gjithën për vete një kopertinë të revistës Time, si ajo  e Andy Uarhol projektuar në vitin 1986 për John Gottin (1940-2002), bosi i familjes Gambino të Nju Jorkut, i cili u gjykua për vrasjen e paraardhësit të tij Paul Castellano. Nën pamjen e njeriut të botës, Gotti ishte një vrasës i pamëshirshëm dhe një narkotrafikant i madh. I quajtur “doni i teflonit”, për shkak të aftësisë për t’u rrëshkitur akuzave, doli i pastër nga çdo gjyq deri kur, në vitin 1992, krahu i tij i djathtë e tradhëtoi.

GAETANO BADALAMENTI: PIZZA CONNECTION

Pica dhe mafia: nga kjo pikëpamje Gaetano Badalamenti (1923-2004) ishte një italian tipik. KReu i mafias së Cinisit (Palermo), don Tani ishte një prej eksponentëve më të fuqishëm të Cosa Nostras, i dënuar në 1987 në SHBA me 45 vite burg, për të ashtuquajturën pizza connection (nga emri i hetimit). Nga 1975 deri në 1984 Badalamenti menaxhoi një trafik ndërkombëtar heroine dhe kokaine, mes Palermos dhe SHBA. Shpërndarja ndodhte në pjesën e pasme të disa picerive italiane në Amerikë, ku droga vinte e fshehur mes produkteve tipike italiane. Me emrin e tij është e lidhur edhe vdekja e Pepino Impastatos (1978), aktivist antimafia që nga mikrofonët e radios Aut përqeshte veprimtarinë e “Tano sedutos”. Për këtë vrasje Badalamenti u dënua me burgim të përjetshëm në 2002.

JOE BONANNO: ME I RIU

Një gazetar i hutuar, në një gazetë amerikane lokale, e shndërroi emrin e tij në Joe Bananas: ai pseudonim i mbeti, por Joe Bonanno (1905-2002) u bë themeluesi i një familje mafioze të Nju Jorkut. Me origjinë nga Castellammare del Golfo (Trapani), në vitin 1931, në moshën 26 vjeçare, ai u bë shefi më i ri i mafias së Amerikës. Ai kishte një prirje për biznes (të paligjshëm, por jo vetëm), dhe ndër aktivitetet e tij kishte funeralet. Dhe jo rastësisht: ai përdorte metodën e “arkëmortit të dyfishtë” për të fshehur viktimat e vrasësve të tij nën ato të “pronarëve” legjitimë. Në vitin 1983 ai shkroi nën një pseudonim, një libër autobiografik, por … i bindur se fotografia në kapakun e tij e paraqiste atë si një gangster pesëlekësh, denoncoi botuesin e tij.

JOE VALACHI: I PENDUARI

Joseph Valachi (1903-1971) ishte i penduari i parë i madh, ai që foli publikisht për ekzistencën e mafies dhe e përcaktoi atë me termin “Cosa Nostra”. I lindur në Rumani, ai jetonte në Nju Jork në kontakt të drejtpërdrejtë me fuqinë e Cosa Nostras (ai ishte shoferi i Gaetano Reinas, klan i fuqishëm i Joe Masserias) dhe mori pjesë në Luftën e Mafias të nxitur nga Joe Masseria, Vito Genovese dhe Lucky Luciano kundër rivalëve napolitanë. Rrëfimet e tij ndihmuan në rindërtimin e organigramës së organizatës mafioze dhe në kuptimin më të mirë të rregullave që qeverisin mafien. Ai vdiq nga një atak në zemër pas një përpjekje për vetëvrasje (1971): historia e tij frymëzoi personazhin e Frankie Pentangeli në The Godfather II (Francis Ford Coppola, 1974).

JOE MASSERIA: THE BOSS

Në Amerikë e quanin Joe Masseria (1886-1931), ose Joe the boss, por emri i tij i vërtetë ishte Giuseppe Masseria. Me origjinë nga Castellammare del Golfo, në krahinën e Trapanit, në moshën 43 vjeç, ai fitoi një emër të denjë, diçka si “njeriu që mund të shmangte plumbat”, për shkak të një prite nga e cila doli mrekullisht i paprekur dhe me dy vrima plumbi në kapelën e kashtës. Që nga viti 1920 ai komandoi bandën Morello, një nga klanet më të fuqishme në Nju Jork. Vrasjen e tij në  vitin 1931 ishtee urdhëroi bosi Lucky Luciano gjatë konfliktit të udhëheqjes italo-amerikane, që u luftua në Nju Jork mes Maranzanove dhe Masseriave. / Burimi: Focus. Përgatiti: Bota.al

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*