Erdogan, vizitë historike në Athinë, takon krerët më të lartë të vendit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po zhvillon këtë të enjte, një vizitë historike në Athinë. Ai është i pari president turk që e viziton Greqinë, pas 65 vjetësh. Erdogan mbërriti në Athinë në orën 10:30, i ftuar nga homologu i tij grek Prokopis Pavlopoulos, të cilin do ta takojë rreth orës 12:00, pasi të vendosë një kurorë me lule në monumentin e “Ushtarit të panjohur” para Parlamentit grek.

Më pas, rreth orës 13:30 ai do të takohet me kryeministrin Tsipras, me të cilin do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët shtypi pak para orës 15:00.

“Kjo vizitë është një mundësi për të bërë hapa përpara në miqësinë midis dy vendeve”, ka deklaruar kryeministri Tsipras.

Ndërsa në një intervistë për televizionin privat “SKAI”, Erdogan ka thënë se marrëdhëniet e këqija midis dy vendeve i përkasin së shkuarës, por ka kërkuar një rishikim të Traktatit të Lozanës, duke parashtruar përsëri kërkesën për deportimin e 8 ish-ushtarakëve turq, që u arratisën pas grushtit të dështuar shtetit, për në Greqi.

E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Athinës zyrtare, në të cilën theksohet se,Traktati i Lozanës është guri themeltar dhe i panegociueshëm, mbi të cilin mund të ndërtohet bashkëpunimi i sinqertë i të dyja vendeve.

Presidenti turk do të takohet me udhëheqësin e opozitës, Mitsotakis, si dhe do të ketë një darkë zyrtare mbrëmjen e së enjtes me homologun i tij grek. Të premten, Erdogan do të vizitojë krahinën verilindore të Trakës, ku jeton pakica myslimane në Greqi./L.P./Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*