Gazetari i përgjigjet Rita Petros për incestin në poezi: Devijacionet psikopatiko-seksuale nuk janë letërsi

Poezia e Rita Petros “Mallkimi i parë”, ka ngjallur shumë reagime të shumta. Gazetari Denis Dyrnjaja ishte i pari që e kritikoi këtë poezi duke e quajtur të neveritshme pasi fliste për incestin mes vëllait dhe motrës. Autorja Rita Petro reagoi duke thënë se nuk e kishin lexuar mirë nëntekstin e poezisë së saj.“Kjo është një poezi që Denisi dhe shumë të tjerë i kanë lexuar vetëm pjesën e dukshme. Kur të lexojnë nëntekstin, se poezia ka nëntekst, mbase do jetë vonë po më mirë vonë se kurrë. Nuk ka asnjë lidhje me dukurinë e incestin, lidhja e një vajze me një baba është shumë biologjike, është shumë instiktive, ka lidhje me psikoanalizën, me instiktin e njeriut, me edukimin seksual. Njihet lidhja e nënës me djalin apo babanë e vajzën.  Ashtu e kam ndjerë dhe kam guxuar ta them atë që ndjej”, tha ajo për Newsbomb.al.

Por, Denis Dyrnjaja i është përgjigjur sërish autores. Nëpërmjet një postimi të gjatë, Dyrnjaja shkruan se nuk repolikon me Ritën por me mendimet e saj. “Vegimet dhe devijacionet psikopatiko/seksuale nuk janë art ose letërsi sido t’i argumentosh!”, shkruan Dyrnjaja.

Postimi i plotë

Replikë jo me Ritën, por me mendimet e Ritës

Reagimi im i parë nuk kishte lidhje me Ritën si individ. Ndaj pas qindra mijëra komenteve, po bëj një sqarim për ata që kanë keqlexuar mesazhin tim. Rita është ashtu siç është, me fantazitë e saj, as se paragjykoj, as nuk dua t’i ndryshoj mendimet dhe fantazitë e saj, impresionuese edhe për regjisorët më ekstremë të pornografisë botërore. Është e lirë të mendojë të fantazojë trillet e saj kontroverso/seksuale. Deri kur këto mendime qëndrojnë brenda Ritës, nuk ka problem.

Problemi nis kur fantazia e Ritës e konkretizuar në inçest dhe dëshirë të shprehur për inçest, por e kamufluar sipas autores me metaforë, del në publik. Dhe këtu nuk ka prapë faj Rita, por ata që i hapin “Portat Mediatike” mendimeve të Ritës që i thur një poezi të tërë inçestit e definon qartë dhe thotë fola për inçest, por nuk kisha parasysh inçestin (sqarimi i autores për poezinë Mallkimi i Parë). Dhe kur them inçest ju mos kini parasysh inçestin si akt real, sugjeron Rita. Pra dezekuilibrimi logjik është i dukshëm dhe ky nuk është prapë problemi i Ritës, ajo thjeshtë mund ta ketë seriozisht ose jo, e bën për lojë, për provokim kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Edhe unë po të isha si Rita njësoj do të mendoja, por nuk jam si Rita dhe meqë s’jam si Rita sugjerova të mos merremi me Ritën fare. Ndaj për atë që besoj se jam dhe i përkas bëra një thirrje publike për të mos i publikuar jetimet e shfrenuara të saj dhe gjithkujt si Rita. Sepse arti dhe ndërgjegjja janë të ndarë deri kur logjika nuk funksion. Kur logjika funksion dhe i jep kuptim atyre që lexon në vargjet e Ritës, vëllait i vjen rëndë të shohë të motrën e anasjelltas, sepse i del para Rita, jo si njeri por si poezi. Ndaj nuk është Rita problemi, por ajo që përfaqëson dhe përçon Rita. Po nëse nesër një 16 vjeçar përdhunon motrën 11 vjeçe, e një tjetër prapë, e një tjetër sërish dhe fenomeni të bëhet viral se kështu u inspirua dhe karikua nga ato që shkroi dhe predikoi Rita, në fund të fundit se kështu e kuptuan ata që lexuan poezinë e Ritës, do bëjmë lajme dhe emisione për këtë skandal.

Pra në mënyrë hipokrite do merremi me pasojën, jo me shkakun. Nëse nesër ndodh një inçest nuk kemi pse të fajësojmë dhe gjykojmë protagonistët, ata janë viktima, fajtorë pa faj në aksion. Madje fajtore nuk është as Rita, as fantazitë e saj porno/tribale. Fajtorë jemi ne që i japim hapësirë dhe vëmendje mediatike të tillë individëve që në Europë dhe botë civilizimi i konsideron si mbetje ciklike. Ky është tribalizëm i mveshur me pseudomodernizim!

Vegimet dhe devijacionet psikopatiko/seksuale nuk janë art ose letërsi sido t’i argumentosh!/L.P./Dritare.net

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*