Vëllai i Marthës: Ju tregoj motrën time autike, piktoren më të mirë në botë!

Nga Anxhela Ferra

Në zonën e Dropullit, ndodhet fshati Derviçan, vetëm një kilometër larg rrugës nacionale që  të çon drejt jugut, në Kakavijë. Banorët kryesisht janë minoritet grek, edhe pse shumë e dinë edhe shqipen, më së shumti flasin greqisht. Edhe pse në rrugët, herë të mbushura me pellgje uji ende nga përmbytjet e disa ditëve më parë, janë të pakta lëvizjet e njerëzve.

Së bashku me fëmijët e UndeRadio Gjirokastër, shkojmë në shtëpinë e Marthës Goxha. 22 vjeçaren e gjejmë në oborrin e shtëpisë, së bashku me prindërit dhe dy vëllezërit. “Mezi po ju priste”, na e kthen Jorgo, vëllai i madh. Rrugën drejt dhomës kryesore na e prin Martha dhe me gëzimin e fëmijës kur i dhurojnë lodrën e parë, na drejton tek tavolina. Pasi aty është byreku, që vetë ajo ka gatuar për ne.

Nuk i pëlqen të qëndrojë në të njëjtin vend për kohë të gjatë, do të lëvizë. Dhe teksa Martha shëtit në ambientet e shtëpisë, Jorgo rrëfen për Dritare.net historinë e motrës së tij, vështirësitë e jetës si autik dhe pasionin e saj për pikturat.

“ Prindërit e mi e kuptuan pas moshës 1 vjeçare që diçka nuk shkonte me Marthën. Ajo nuk reagonte kur e thërrisnin, nuk fliste.  Martha ka lindur në vitin 1995 dhe në atë kohë ende nuk flitej për autizmin, ndaj edhe për ne ka qenë e vështirë të merrnim përgjigje.

Madje, kemi shkuar e në Greqi, por edhe atje nuk dinin çfarë të na thoshin. Pas shumë takimesh me specialistë të ndryshëm, na thanë që vajza vuante nga autizmi. Që prej atëherë, ne jemi munduar të krijojmë një ambient, i cili e përfshinte plotësisht edhe atë. Pra, ne jemi përshtatur me të.

Unë dhe Martha kemi 5 vite diferencë, ndaj unë deri kur isha 10 vjeç nuk kuptoja gjë. Në fillim ka qenë shumë e vështirë, pasi përveç pranimit me veten, shokët e klasës më thoshin që kam një motër të sëmurë. Por, me kalimin e kohës, duke jetuar dhe pranuar këtë gjë, kuptova që është një jetë pak ndryshe nga të tjerët. Unë jam i lumtur që kam Marthen motër dhe nuk do ta ndërroja me asnjë motër tjetër”

Jorgo thotë për Dritare.net se ata ndjekin një program të detajuar gjatë ditës për ta mbajtur Marthën të angazhuar dhe zor se kalon një ditë të mos e zbatojnë.

“Edhe pse në familjen tonë ne punojmë të gjithë, përsëri kemi krijuar një program për të mos e lënë asnjëherë Marthën pa aktivitete dhe secili prej nesh ka një dorë në edukimin e saj. Psh., ishte babai ai që i mësoi shkronjat qëkur ishte e vogël. Por, Martha më tepër do të shkruajë mendimet e veta dhe jo çka i diktojnë të tjerët.

Madje kemi shkuar në një qendër specializimi që është në Gjirokastër, por ata thanë që Martha nuk ishte për atë qendër. Pasi, ato gjëra të cilat ata i mësojnë, ajo tashmë i dinte.

Aktivitet që ne bëjmë janë të shumta, ndaj edhe rastet kur Martha acarohet e mërzitet, janë të pakta.”

Edhe pse ditët e Marthës janë gjithmonë ndryshe, është diçka prej të cilës 22 vjeçarja nuk ka hequr dorë. Ajo është piktura. Ka nisur që në moshë të vogël të pikturojë. Dhe si te jesh duke parë pikturat e Barnett Newman, pikturat e Marthës të ftojnë në një botë abstrakte, plot me ngjyra.  Jorgo na thotë se shumë prej këtyre pikturave gjenden në Gjermani, Belgjikë e Itali.

“ Ajo filloi të pikturonte pa e marr vesh ne. Që në moshë të vogël 5 vjeç, filloi të bëjë kubizëm abstrakt.

I pëlqen shumë të pikturojë kubizmin abstrakt të piktorëve të mëdhenj të botës. Por, e veçanta e Marthës është që ajo nuk i sheh gjëkundi, janë piktura nga mendja e saj.

Kur Martha pikturon, ajo futet në botën e saj, aq saqë ndonjëherë edhe djersin, aq shumë përfshihet në pikturën që bën. Pikturat e Marthës nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin tonë, ajo pikturon veç ndjenjat e saj. Ato janë abstrakte dhe i lënë mundësinë çdokujt t’i interpretojë ndryshe. Janë shumë të thella si piktura, madje edhe kur bën një shtëpi, ajo bën planimetrinë.

Vetëm në shtëpi janë mbi 50 piktura, ndërkohë shumë të tjera kryesisht i kemi dhuruar. Nuk i kemi shitur, pasi nuk duam të bëjmë tregti me vajzën. Edhe pse duam që vitin e ardhshëm të hapim një ekspozitë, me disa prej këtyre pikturave,”-tregon Jorgo për Dritare.net.

Teksa Jorgo na tregon pikturat, Martha ulet pranë organos së vogël, që ka në cep të dhomës dhe nis të luajë disa nota. I pëlqen shumë muzika, madje në ditët kur është në humor të mirë, edhe i interpreton.

Jorgo thotë për Dritare.net se Martha nga shteti merr vetëm 90 mijë lekë të vjetra, ndërkohë bën thirrje për ndërgjegjësim të shoqërisë, të hiqet stigma dhe shteti të mobilizohet për krijimin e qendrave për autizmin në zona të ndryshme të vendit, veçanërisht në fshatra.

“Në Dropull ka disa familje, fëmijët e të cilave janë me autizëm dhe ato nuk duan ta nxjerrin këtë gjë. Kjo pasi kanë turp dhe nuk duan ta bëjnë pjesë të shoqërisë. Janë prindër të cilët nuk dinë se si të trajtojnë një person autik dhe se çfarë duhet të bëjnë për ta ndihmuar atë.

Unë nuk arrij ta kuptoj, përse këta prindër kanë turp. Përkundrazi, për familjen tonë Martha është një bekim. Kështu janë edhe ata fëmijë të tjerë, të cilët janë autikë. Prandaj, autizmi nuk duhet të shihet si sëmundje. Por, as nuk duhet të lihet pas dore.”

Teksa largohemi nga shtëpia e familjes Goxha, Martha na shoqëron deri te dera. Vazhdon të jetë entuziaste, duke na përqafuar të gjithave me radhë na thotë në greqisht, “Gëzuar Vitin e Ri”. Gëzuar qofsh Martha! Qoftë vit më i mirë, me ty dhe me mua!/ Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*