Zgjedhja e kryeprokurorit/ Rama e ftoi Bashën për pakt të ri, por ja çfarë bën PD!

Kryeministtri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook, i bëri ftesë opozitës që të ulen dhe të diskutojnë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

“Natyrisht opozitës nuk i kërkon kush që të heshtë, aq më pak mund të më shkojë mua në mendje diçka e tillë. Çka unë i kërkoj opozitës është të konsiderojë pa humbur kohë ftesën që të ulemi në tryezë për çështjen aktuale të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të bëjmë një Pakt Kombëtar për Europën që duam. Të thjeshtë, të qartë dhe serioz. Me disa hapa të përbashkët drejt çeljes së negociatave (dhe pse jo edhe përtej nëse ka mundësi në rrugën e arsyes), si shprehje e vullnetit të mirë për ta vënë Shqipërinë mbi partitë dhe axhendën e përbashkët kombëtare mbi axhendat e përveçme të politikës së ditës”, shkruante Rama.

Nuk ka vonuar shumë përgjigja e të djathtëve. Partia Demokratike i është drejtuar me një letër Kryetarit të Kuvendit ku radhit arsyet, se pse procedura e nisur nga Kuvendi është antikushtetuese. Aty thuhet se  nuk mund të procedohet as për zgjedhjen e një prokurori të ri, qoftë të përkohshëm,

Letra e plotë e PD

Fakti i parë –Kushtetuta e thotë qartë: Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo kompetencë e KLP parashikohet në pikën 2 të nenit 148/c të Kushtetutës, ku thuhet se “Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur të drejtësisë.

PD shprehet se ajo nuk ka qëndrim përfundimtar për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm. Përgjigjen për këtë dilemë nuk mund ta japë politika, por e jep vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni i vetëm që deklaron mbarimin e mandatit.

PD vëren se një situatë të ngjashme për Inspektorin e Lartë te Deklarimit të Pasurive, kjo mazhorancë e zgjidhi duke ia zgjatur mandatin nga 5 vjet që e kishte me ligjin e vjetër, në 7 vjet me ligjin e ri. PD i sjell në vëmendje mazhorancës se nuk mund të bëjë interpretime të ndryshme të një situate të njëjtë në varësi të qëllimit të saj për të kontrolluar politikisht zyrtarin përkatës.

Fakti i dytë – Neni 109 i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm pasi ai parashikon zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshsëm vetëm kur Prokurorit në detyrë i ndërpritet mandati para kohe. Aktualisht nuk ekziston një rrethanë e tillë. Edhe nëse do të ishim në rrethanat e ndërprejes së mandatit, neni 109 për Prokurorin e Përkohshëm, përcakton se  duhet të përmbushen dy kushte:

 1-    Kandidatët për Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm duhet të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut.

2-    Kryeprokurori i Përkohshëm zgjidhet me votat e 3/5 e anëtarëve të Kuvendit.

Në përfundim, PD shprehet se:

·        Të merret vlerësimi/opinioni i Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e boshllëkut/ngërçit kushtetues apo ligjor.

·        Deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues dhe ligjor apo deri në krijimin e KLP, është e pamundur që të procedohet me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm.

·        Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet i përfunduar vetëm nga KLP dhe neni 109 është i pazbatueshëm. Për këtë shkak PD kërkon nga mazhoranca ndërprerjen menjëherë të procedurës që ka nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

PD thotë se “Çdo veprim i kundërt nga mazhoranca do të ishte provë e qartë e vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”./L.P./Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*