A duhet ta njohë Shqipëria Jeruzalemin!

Nga Dritan Hila
Njohja nga ana e SHBA e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit ka ngjallur në botë reagime të cilat kalojnë nga miratimi dhe deri në revoltë ndaj tyre.
Në rastin shqiptar, për fat të mirë nuk ka qasje ekstreme si ato të botës arabe pavarësisht prezencës së madhe të myslimanëve shqiptarë. Ky është një faktor që qetëson gjithë ata që kanë merakun se mos këta shtetas shqiptarë kanë zgjedhur islamin politik përpara Shqipërisë.
Mund të rrinë të qetë pasi janë më përpara shqiptarë dhe besimin e kanë çështje vetjake.
Nuk mund të thuhet e njëjta në Kosovë dhe Maqedoni, ku ndikimi i shteteve të huaja që e përdorin fenë si armë imperialiste (Arabia Saudite dhe Turqia janë më kryesorët) ka pasur reagime, por këto deri më sot në planin individual.
Megjithatë mbetet pyetja: si do reagojnë shqiptarët në të ardhmen? Pasi do të vijë momenti kur edhe ne do të gjendemi përpara kërkesës për njohjen apo jo të këtij vendimi. Në mos si ultimatum, si kusht komplementar në zhvillimet diplomatike. Cilin krah do të mbajnë shqiptarët? Shtetet që kanë investuar politikisht në Shqipëri nën petkun e fesë, të cilët janë kundërshtarë, do të ushtrojnë presion. Rasti kur Erdogan prishi marrëdhëniet me Berishën vetëm pse ky votoi kundër pranimit të flamurit të Palestinës në OKB, mbahet ende mend. Gjithashtu BE si shumatore e politikave të jashtme të shteteve përbërëse, ku ka ende shumë të majtë nostalgjikë të Moskës dhe ish Jugosllavisë, nën emrin e bashkëjetesë dhe paqes, të kërkojnë mosnjohjen. Ndërkohë në krahun tjetër Izraeli ka një mik të madh që janë SHBA të cilët nuk do të ngurojnë të përdorin peshën e tyre në të ardhmen.
Por shteti hebre ka një aleat akoma më të madh në besnikërinë e të cilit nuk ka asnjë dyshim: diasporën e tij. Dhe këtu nuk flasim për pronarë restorantesh apo kafenesh, por për elitën e financës dhe industrisë botërore të cilët në çastet më kritike nuk kanë nguruar të përdorin peshën e tyre politike dhe financiare në ndihmë të shtetit që e shikojnë si vatër të tyren.
Për t’i hyrë kësaj analize nuk ndihmon historia, e cila interpretohet sipas dëshirës së atyre që kanë interesa dhe tifozëve. As teoritë komplotiste për krushqinë që paska Trumpi me hebrenjtë. Këto janë qoka që bëhen në komunat shqiptare, por jo nga një perandori. E vërteta është që SHBA po lëviz në të gjitha frontet. Irani, Koreja e Veriut, Rusia dhe Kina janë preokupimet e mëdhaja të Amerikës. Në këto rrethana i duhet të shtrëngojë rradhët dhe të heqë dorashkat. Dhe Izraeli është një aleat i madh i saj në rajonin e Lindjes së Mesme.
Por cili duhet të jetë pozicioni ynë? Ne nuk kemi potenciale që të ofrojmë në skenën botërore përveç besnikërisë. E në këtë kuadër duhet të bëjmë llogaritë. Por dhe të jemi të qartë. Së pari duhet të përjashtojmë komponetin fetar. Islami përdoret nga Arabia Saudite dhe Turqia si armë politike. Ndaj ky nuk duhet të ndikojë në vendimarrjen tonë. Nga një krah kemi vendet arabe të cilat kanë objektivat, por edhe problemet e tyre Janë të dobët politikisht, të paunifikuar në politikën e jashtme, të fortë ekonomikisht vetëm në petro-dollarë, madje me plot interesa kontradiktore mes tyre. Në krahun tjetër është diaspora më e madhe dhe me ndikim e botës e cila sigurinë e shtetit të tyre e ka primar. Janë të unifikuar në qëndrimet e tyre dhe të qartë në objektivat që kanë. Kanë influencë të jashtëzakonshme në shtetet më të mëdhaja dhe fuqishme të botës dhe nuk ngurojnë ta përdorin atë. Se kë duhet të zgjedhë një vend si Shqipëria nuk do shumë kalem. I vetmi problem është të kolaudojë hapat dhe as mos bëhet pishtar, por as vrima e fundit e kavallit. Pasi shqiptarët mbahen mend nga hebrenjtë, pasi bënë një akt që i dalloi nga trendi i kohës që ishte dorëzimi dhe vrasja e hebrenjve./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*