Po vijnë turistët rusë. Ja kush i sjell në Shqipëri!

Nga Anxhela Ferra

Tatyana Bajraktari, ukrainasja që pushtoi Shqipërinë me turistë, vjen me të tjera surpriza per vitin e ri. Ishte viti 2015 kur në aeroportin e Rinasit u ul charteri i parë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, pikërisht nga Kievi. Ky vit ishte po ashtu shumë i rëndësishëm, pasi në Tiranë u ul avioni i parë nga Bjellorusia. Ndërkohë në sezonin e ardhshëm, në Shqipëri do të vijë charteri i parë, nga  Moska në Tiranë.

Tatyana Bajraktari e ndan ekskluzivisht me Dritare.net, këtë lajm të mrekullueshëm për turizmin.

“Fluturimi do të zgjasë rreth 3 orë e 30 minuta, mendohet të niset rreth orës 11:00 nga Rusia. Madje ditën e djeshme na erdhi edhe rezervimi i parë që nga Rusia për të fluturuar me charter. Avioni i parë është parashikuar që të vijë në 21 qershor. Çmimet janë shumë të arsyeshme, fillohet nga 450€ përfshirë fluturimi dhe qëndrimi,”-shprehet ajo për Dritare.net.

Është shumë e rëndësishme për ne që  Ministria e Turizmit dhe Ambasada ruse, të nxjerrin që tani datat e sakta se kur mund të hyjnë rusët dhe bjellorusët pa viza në Shqipëri. Ne kemi publikuar datat e fluturimeve  nga 21 qershor deri në 20 shtator. Fluturimi do të jetë një herë në javë për 7 net, dikush mund të zgjedhë edhe më shumë. Nëse do të ecet mirë, ne do t’i shtojmë edhe deri në fund të shtatorit.

Turistët do të shpërndahen në të gjithë bregun, në varësi edhe të dëshirave që ata kanë. Sigurisht që më të kërkuarat janë Durrësi, Vlora, Saranda, Ksamili. Gjithashtu këtë vit në do të fillojmë bashkëpunimin me partnerët tonë në Korfuz, për të bërë ture të kombinuara.”

Tatyana thotë për Dritare.net se synimi i Aler Group është të zgjerohen sa më shumë në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, duke kryer fluturime jo vetëm nga kryeqytetet, por edhe qytete të tjera.

“Sezoni që shkoi ishte shumë i mirë, ne kemi pritur vetëm me avionë nga Ukraina dhe Bjellorusia, rreth 10 mijë turistë. Ndërkohë në 2018-ën planifikohet deri në 20 mijë.  Synimi ynë është që të zgjerohemi sa më shumë në këto shtete të ish-Bashkimit Sovjetik dhe fluturimet të bëhet nga qytete të ndryshme.

Rusët janë një avantazh shumë i madh për Shqipërinë, pasi ardhja e tyre lidhet drejtpërdrejtë edhe me buxhetin e shtetit. Turisti rus kërkohet nga e gjithë bota. Ne si kompani më shumë bashkëpunojmë me tregun rusishtfolës dhe kemi kuptuar që në vende si Ukraina, Bjellorusia, numri sa vjen e dyfishohet. Aq saqë ne kemi hapur shitjet e parakohshme që tani, pasi nuk ka vetëm kërkesa, por ka filluar edhe blerja e paketave për sezonin 2018. Ndërkohë jemi duke marrë masat edhe për plotësimin e personelit, me qëllim që çdo gjë të jetë gati për sezonin e ardhshëm.”

Stafi i Aler Group është kryesisht rusishtfolës dhe shumica e punonjësve në hoteleri janë studentë që bëjnë praktikën. Tatyana thotë për Dritare.net se janë të shumta kërkesat universiteteve në këto shtete që bëjnë kërkesa për bashkëpunim.

“Janë vetë universitetet që duan të sjellin studentët për të bërë praktikën, pasi përveç saj ata marrin një rrogë, janë të siguruar dhe përfitojnë një eksperiencë të pashoqe. Por, ne tani jemi në bisedime edhe me një universitet në Shqipëri, me qëllim që studentët të cilët vazhdojnë për hoteleri-turizëm, të vijnë të punojnë. Kushti kryesor është që të dinë rusisht, pasi për ne është shumë e rëndësishme që turistët të ndjehen sa më mirë e familjarë kur vijnë,”-tregon për Dritare.net ukrainasja.

Edhe pse në Shqipëri më shumë peshë i është dhënë turizmit veror, Tatyana thotë për Dritare.net se duhet të merren masat e nevojshme për të zhvilluar edhe atë dimëror. Pasi turistët janë të interesuar për Shqipërinë edhe në muajt e dimrit.

“Shqipëria nuk është ende gati për turizmin dimëror masiv. Mungojnë shumë elementë, si resortet për ski, e vetmja është Dardha, por aty ambjentet janë shumë të vogla. Duhet të jetë e gatshme infrastruktura, pasi në momentin që bie borë të mos jetë rreziku i bllokimit të rrugëve. Por, përsëri edhe në këtë periudhë vijnë grupe të vogla individuale, për ekskursione të ndryshme. Ne i çojmë në qytete të ndryshme, si Shkodër, Krujë, Gjirokastër, apo gjatë bregdetit. Pasi, në vendet malore risku është më i madh, sa i takon bllokimit të rrugëve.

Natyra ia ka dhënë të gjitha Shqipërisë, tani duhet të bëhen vetëm investimet e nevojshme. Turistët e kërkojnë. Shumë herë na pyesin se çfarë mund të bëjnë në Shqipëri gjatë dimrit, ku të shkojnë.

Por, unë jam optimiste, mendoj se pas disa vitesh gjërat do të ndryshojnë për sezonin dimëror, ashtu siç po ndodh me atë veror. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të shndërrohet në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit,”-shprehet besimplotë Tatyana, ukrainasja që i kaloi të gjithë shoqatat e burrave të turizmit shqiptar. Ata i çojnë paratë jashtë, zonja Bajraktari i sjell në Shqipëri./Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*