Sulme që farkëtojnë një vëllazëri të re politike

Nga Mero Baze

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë më në fund një qëndrim të qartë të përbashkët politik për Prokurorin e Përgjithshëm. Ata kërkojnë të mos ketë Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, por një shtyrje të këtij procesi deri sa të jetë ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe të fillojë procesi i Vettingut. Nuk është më debat kushtetues, pasi Kushtetuta na ka lënë detyrë aktualisht të gjejmë një prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Bëhet fjalë për një qëndrim politik.

Përballë këtij qëndrimi politik, është qëndrimi ligjor i shumicës në pushtet, si dhe ai i SHBA dhe Bashkimit Europian, që kërkojnë zbatimin e Kushtetutës që e përshkruan rastin në dispozitat tranzitore, si dhe oferta politike e Edi Ramës për konsensus.

Nëse procesi do të ecë në shtratin ligjor, procedura ka nisur, 7 vetë kanë aplikuar për Prokuror të Përgjithshëm sipas kritereve që parasheh Kushtetuta, dhe një prej tyre do të jetë prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm.

Por ajo që bie në sy është se më shumë se betejë kundër prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, PD dhe LSI janë investuar në një betejë kundër SHBA dhe BE, për qëndrimin e tyre ndaj këtij procesi. Edi Paloka në emisionin e mëngjesit në Vizion Plus ka akuzuar Donald Lu dhe Romana Vlahutin, se paguhen prej Edi Ramës, kurse së paku katër figura politike të LSI-së, të rrethit të ngushtë të familjes Meta, kanë shkuar në ekstrem, duke i akuzuar për afera korruptive të lidhura me Prokurorinë.

Ky qëndrim ekstrem ndaj tyre, ndaj qëndrimit zyrtar të BE dhe SHBA, është më i egër edhe se ndaj Edi Ramës, dhe nuk ka ndonjë shpjegim racional. Deri më sot, sa herë që Vlahutin dhe Lu janë sulmuar nga opozita, është thënë se ata nuk përfaqësojnë vijën zyrtare të BE apo SHBA, por qëndrime personale. Tani ata po mbrojnë qëndrime të misioneve të ndihmës ligore të BE dhe SHBA, EURALIUS dhe OPDATE, dhe beteja personale ndaj tyre është pa kuptim.

I vetmi shpjegim racional mund të jetë dyshimi që LSI ka, se Basha mund të bëjë marrëveshje në minutat e fundit me Ramën, dhe po e vë atë në provë të inkriminohet në betejë me bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim që të mos bëjë dot hapa pas. Kjo lexohet qartë në shtypin afër LSI, që flet për një betejë paranojake të Ramës kundër Berishës dhe pro Bashës, dhe detaje të tjera artistike të kësaj paranoje.

Sulmet ndaj ambasadorëve janë aq të pakuptimta dhe ekstreme, sa jo vetëm që nuk u prishin punë atyre personalisht, por tregojnë se në çfarë pozitash të vështira po punojnë në Shqipëri, me një opozitë që refuzon një reformë të udhëhequr nga Perëndimi.

Ideja se fronti i përbashkët kundër Perëndimit, mund të forcojë besnikërinë e frontit të brendshëm opozitar, është i vetmi shpjegim. Lu dhe Valhutin, janë prova se nëse qëllon me gurë e baltë mbi ta, ke bërë betimin e opozitarit kundër reformës në drejtësi në Shqipëri.

Dhe kjo po ndodh. Kjo luftë ndaj tyre, nuk u ngjan luftrave të tjera që janë bërë ndaj tyre. Nuk i përngjan letrave që janë shkruar në Uashington kundër ambasadorit Lu, lobistëve që janë paguar për të denigruar atë në gazeta periferike të Uashingtonit, apo sulmet personale ndaj Vlahutinit, deri dhe për blerje të selisë së BE në Tiranë. Ato kanë qenë sulme për të dëmtuar ata personalisht dhe për t’I “ndarë” nga qëndrimi zyrtar i BE dhe i SHBA, kurse këto nuk kanë më lidhje me ato sulme. Këto janë sulme që duan të farkëtojnë një “vëllazëri” të re politike, që betohet duke gjuajtur me gurë mbi selitë e Perëndimit në Shqipëri. Jemi ose para një guximi të madh, ose para një halli të madh që i ka zënë!/ TemA

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*