Amerikania e Tropojës, apel shqiptarëve: Sfidoni qeverinë, shpëtoni Valbonën!

Nga Lluiza Pinderi

Ishte janari i vitit 2016, kur banorëve të luginës së Valbonës, do t’iu binin rastësisht në dorë plan projektet e Dragobia Energy. Prej aty, mësuan rrezikun që po i kanosej Parkut Kombëtar të Valbonës, nga ndërtimi i hidrocentraleve. Edhe pse zonë e mbrojtur, ndërtimet filluan në shtator të 2016.

Ndërkohë, banorët, në bashkëpunim me artistë, emigrantë dhe shqiptarë të të gjithë Shqipërisë, kërkuan nëpërmjet thirrjeve, protestave, koncerteve që të ndaloheshin punimet. Kjo betejë shoqërore dhe njerëzore, u bë edhe ligjore.

Më 16 maj 2017, 27 banorë të fshatrave Rrogam, Valbonë, Dragobi dhe Çerem, Bashkia Tropojë, dhe Shoqata TOKA: Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare depozituan në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, një kërkesë padi kundër qeverisë. Ata kërkuan kundërshtimin e projektit të ndërtimit të 2 hidrocentraleve, Dragobia dhe Çerem, nga shoqëria koncesionare Dragobia Energy SHPK. Por, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, e cilësoi të ligjshme punën e kësaj kompanie dhe lejuan vazhdimin e këtyre punimeve.

Tashmë banorët e Valbonës i kanë drejtuar sytë nga ndërkombëtarët, ndërkohë që përpjekjet e tyre nuk ndalen. Pas vendimit të fundit Administratives, më 3 nëntor, vazhdon organizimi i protestave në Tropojë dhe Tiranë, të cilat do të kulminojnë me protestën e 21 dhjetorit.

Shqiptarë nga të gjitha qyteteve, do të mblidhen më 21 dhjetor për të kërkuar ndalimin e punimeve, por edhe për të shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si po qeverisen ata dhe Shqipëria.

Catherine Bohne, amerikania e Tropojës, e cila ka luftuar më shumë se gjithë shqiptarët për Valbonën, tregon situatën aty. Sipas saj, katastrofa që po sjellin këto hidrocentrale, nuk është vetëm natyrore. Prej disa muajsh, punimet po vështirësojnë jetën e banorëve, po ndërpresin ujin e pijshëm dhe po prekin tokën e tyre.

Ajo tregon se konfliktet mes banorëve dhe punëtorëve të kompanisë Gener-2 po rriten, ndërkohë disa medie po sulmojnë banorët e Tropojës. Catherinë tregon se kanë një plan për t’i dhënë fund këtij shkatërrimi, prandaj iu bën thirrje shqiptarëve që të kuptojnë se çfarë po ndodh, të reagojnë dhe të marrin në dorë fatin e tyre.

Dritare.net: Çfarë po ndodh për momentin në Valbonë?

Situata në Valbonë është me të vërtetë shumë e tensionuar. Përkundër asaj që pritej, banorët janë bërë më të përkushtuar dhe të sinqertë. Ka pasur një përkeqësim të konfrontimeve ndërmjet banorëve dhe punëtorëve të Gener-2, pasi banorët kërkojnë që ndërmarrja të largohet nga tokat private. Madje ka pasur raste, që punonjësit e kompanisë, duke punuar për rrugën kanë rrëzuar shkëmbinj dhe gurë në drejtim të shtëpive të banorëve në Dragobi. Për shkak të dëmit që i kanë sjellë, një banor është detyruar t’iu bllokojë rrugën punëtorëve, duke mos i lejuar të punojnë. Pavarësisht se ka shkuar policia dhe ai është siguruar për dëmshpërblim, asgjë e tillë s’ka ndodhur. Ky është vetëm një shembull, por ka shumë raste të tilla.

Dritare.net: Në çfarë pike janë punimet për hidrocentralet?

Me sa di unë, ata po punojnë intensivisht në 4 vende të ndryshme, duke mos llogaritur vendin e shëmtuar që ngjan si një burg, ku ata ruajnë makineritë e tyre dhe duke krijuar një pamje aspak  tërheqëse për turizmin.

Kjo punë po përparon shumë shpejt dhe kjo është frika jonë më e madhe. Për shkak se sistemi ligjor është kaq i ngadalshëm, ndoshta do të duhen dy vjet që ankesa jonë të shkojë në Gjykatën e Apelit.

Dritare.net: Ndërkohë që punimet vazhdojnë, as ju nuk ndaleni. Pas vendimit të Gjykatës Administrative, ju keni filluar me organizimin e protestave. Si po shkon organizimi i tyre?

Kemi organizuar protesta të përditshme në Tiranë dhe këto organizime do të kulmojnë më 21 dhjetor. Gjithashtu në Tropojë, është krijuar lëvizja e parë e shoqërisë civile, e cila iu ka ofruar informacion njerëzve që janë kuriozë dhe duan të angazhohen. Ata kanë vendosur një tabelë informacioni në Bajram Curri, në datat 17, 18 dhe 19 dhjetor.

Protestat janë duke u bashkuar dhe organizuar nga forca anembanë Shqipërisë. Mendoj se sapo njerëzit panë imazhet e asaj që po ndodh në Valbona, aty kuptuan realitetin dhe seriozitetin e kësaj çështjeje. Nuk ishte vetëm frika e çuditshme e disa njerëzve, por një realitet i tmerrshëm.

Dhe sapo ky realitet filloi të diskutohej në fazën e parë, kuptuam se problemi është i njëjtë në të gjithë Shqipërinë, i njëjti problem me të cilin SHBA u përball në vitin 1921 me të famshmen  “Skandali i Teapot Dome”, ku njerëz me pushtet të përkohshëm shisnin asete afatgjata, të vendit, për përfitime afatshkurtra.

E njëjta gjë po ndodh edhe këtu, po shkatërrojnë Valbonën, që të përfitojë Gener-2 dhe Bashkim Ulaj, ashtu siç janë duke ia shitur Divjakën kompanisë së Pacollit, e Vjosën etj.

Njerëzit në pushtet po krijojnë probleme për të ardhmen. Ekziston një mungesë vizioni, ose planifikimi afatgjatë, ose investimi, ose besimi, ose dashurie në Shqipëri.

Dritare.net: Cilat janë kërkesat dhe qëllimet tuaja, që synoni t’i realizoni nëpërmjet këtyre organizimeve?

Protestat bëjnë thirrje për të ndaluar urgjentisht punimet në Valbonë, në pritje të një rivlerësimi të projektit. Ne jemi përpjekur të përdorim sistemin ligjor dhe sistemi ligjor më 3 nëntor hodhi poshtë të drejtat tona. Por, protestat tona gjithashtu bëjnë thirrje për një qeveri të përgjegjshme, në të cilën zyrtarët e zgjedhur e kuptojnë se ata nuk janë krye të një mafie të gjithëdijshme, por janë përfaqësues të popullit.

Ne jemi shumë të arsyeshëm. Dokumentet publike për zhvillimin e punimeve në Valbonë, nuk japin siguri se nuk do të dhunohet/zhvishet lugina. Ky është gabimi i tyre.

Ne, si popull, kërkojmë që projektet ose të konkludojnë konkretisht, se ata në një farë mënyre bien në kontradiktë me ligjin aktual shqiptar: se zhvillimi i hidrocentraleve është krejtësisht i papajtueshëm me një zonë të mbrojtur, ose se i gjithë projekti është zhvendosur në një zonë jo të mbrojtur.

Meqenëse ligji është shumë i qartë tani për këtë pikë, mendoj se rivendosja është e vetmja alternativë e arsyeshme. Valbona mund të jetë ose një Park Kombëtar – një zonë e mbrojtur për faktin se është e paprekur – ose mund të jetë një park industrial. Nuk mund të jetë të dyja. Por, ndërsa qeveria nuk lëviz , duke shpresuar që dikush tjetër do ta trashëgojë rrëmujën, kostoja vazhdon të rritet.

Dritare.net: Ju zhvilluat një takim me ambasadorin amerikan Donald Lu. Çfarë mbështetje morët prej tij?

Donald Lu dhe ambasadorët e tjerë të pranishëm e bënë të qartë pozicionin e tyre: Ata mund të na japin të gjithë mbështetjen, por ata nuk janë shtetas shqiptarë dhe nuk mund ta rregullojnë këtë rrëmujë. Është detyrë e popullit shqiptar të frenojë qeverinë e tij arrogante dhe të papërgjegjshme. Sigurisht që qeveritë e huaja dhe agjencitë ndihmëse, të cilët kanë investuar mbi 1 miliardë euro në zhvillimin e qëndrueshëm, po pyesin tani sesi do të vazhdojnë, pasi investimet e tyre po digjen në mënyrë efektive si p.sh, për të financuar perandorinë e Bashkim Ulaj.

Dritare.net: A është rritur mbështetja nga shqiptarët që jetojnë jashtë apo edhe ata që jetojnë brenda vendit?

Mendoj se ka shumë mbështetje nga shqiptarët që jetojnë në Evropë. Ndërsa, shqiptarët që jetojnë në SHBA janë jashtëzakonisht të vetëkënaqur. Një mik shqiptar më tha: “Ata në Amerikë,  janë më të lumtur të shpenzojnë 200 $ për të ngrënë drekë me Sali Berishën dhe nuk iu intereson, nëse Valbona e tyre shkatërrohet”.

Unë mendoj se kjo ka të bëjë me faktin, që shqiptarët që lënë Shqipërinë, nuk kujdesen për atë që ndodh këtu. Ndoshta për faktin se nuk ka pasur aq investime, sa për të pasur një Shqipëri funksionale. Nëse do të kishte, ndoshta ata do të duhej të ndiheshin keq për largimin e tyre? Unë vërtet nuk e di.

E rëndësishme është që mbështetja brenda Shqipërisë po rritet. Sepse janë qytetarët e Tiranës, të cilët po kuptojnë se qeveria e tyre nuk funksionon. Janë banorë të pellgut të lumit Vjosa, të Divjakës, të pellgut në lumin Shala ose në Dibër, të cilët shohin se përballemi me të njëjtat kërcënime. Janë banorët e Tropojës, të cilët ngadalë, por të sigurt po i hedhin ndjenjat e frikës dhe presionit të për të qëndruar në këmbë, për veten e tyre, për të ardhmen e tyre, për fëmijët e tyre.

Unë duhet ta them, nuk është aq e lehtë për t’u organizuar. Çështja e Valbonës, e cila është çështja e qeverisjes së mirë, nuk ka lidhje me partitë politike dhe nuk ka mbështetje nga mediat. Tërë kjo lëvizje është bërë nëpërmjet rrjeteve sociale.

Dritare.net: Ndërkohë që ju organizoni protesta të vazhdueshme, Top Channel nxori një emision ku thuhet se hotelet e banorëve janë pa leje dhe ju jeni ilegale.

Po sigurisht, ne këtë e prisnim. Ka 30 bujtina në Valbonë dhe 1000 banorë të cilët, dëshirojnë të mbijetojnë një dimër tjetër, prandaj kanë vendosur të përdorin shtëpitë e tyre pa certifikata. Janë kriminelë të mëdhenj, se nuk duan të ngrijnë deri në vdekje, me një qeveri që ofron 29 euro në muaj si ndihmë ekonomike.

Dhe pastaj jam unë, që kam jetuar pa leje qëndrimi për disa vjet. A është vërtet i madh krimi, të jetosh disa vite pa dëmtuar gjë, krahasuar me shkatërrimin që po i bëhet luginës, sidomos kur nuk ka një leje të vlefshme ndërtimi ose mjedisi?!

E di, qëndrimi im pa leje mund të sjellë largimin tim nga vendi që unë e dua. Por ju a e dini që këto krime nuk janë të krahasueshme?

Nga ana tjetër, Fiks Fare u përqendrua vetëm te njerëzit që luftonin për hidrocentralin. Ata mund t’iu ishin referuar shumë ndërtesave të tjera pa leje.

Ne e presim këtë gjë dhe  jemi gati për të. Por njerëzit që shikojnë , duhet të pyesin veten se çfarë po ndodh.

Sepse ne, banorët e Valbonës e kemi paditur shtetin. Vetëm pasi padia jonë u ngrit mbi baza të qarta, ne filluam të flisnim për kompaninë. Si mund të ndodhë, që kur ne sfidojmë një kompani private, qeveria lëviz institucionet dhe mediat e ndjekin atë?

Dritare.net: Pse mendoni ndodh e gjithë kjo?

Sepse atje ka shumë para. Kjo është sfida për demokracitë e tregut të lirë, gjë që unë mendoj se Shqipëria nuk po e kupton ende.

Njerëzit gjithmonë duhet të sfidojnë pushtetarët e tyre të majmur nga qeverisja. Nuk mund të rrish në shtëpi dhe të besosh se ata që janë në pushtet, do të kujdesen për ty. Sigurisht që ata nuk do ta bëjnë. Ata as nuk të njohin. Ata janë njerëz, individë, të cilët kujdesen për punët e tyre. Kjo është dobësia e demokracisë përfaqësuese. Nëse nuk e shikojmë qeverinë, nëse nuk e kontrollojmë dhe penalizojmë atë, sigurisht që do të shkëputet nga shinat për 5 minuta.

Dritare.net: Mendoni se këto protesta do të shpëtojnë Valbonën?

Jo vetëm Valbonën, edhe Vjosën, edhe Divjakën. Mendoj se protestat janë çelësi. Sepse ato përfshijnë njerëzit. Protestat i bëjnë njerëzit të ndihen koshientë dhe me shpresë. Dhe Shqipëria ka nevojë për njerëz me besë e me shpresë. Unë isha e pranishme në një konferencë për demokracinë, në shkurtin e kaluar dhe zyrtarë të PS, PD dhe LSI, thanë se shqiptarët janë shumë të trashë për të sunduar vetë. Unë nuk e besoj këtë.

Vendimet për të shkatërruar Valbonën, për të shkatërruar Divjakën, për të shkatërruar Thethin, Shalën, Shebenicën dhe Vjosën, për t’i dorëzuar fitimet kompanive dhe individëve privatë, janë lloji i vendimeve që i marrin këta hipokritë të vetëkënaqur.

Prandaj, sa më shpejt që njerëzit ta kontrollojnë pushtetin, aq më mirë për ta. Kjo gjë do të fillojë me protesta dhe do të përfundojë me një demokraci të vërtetë, pjesëmarrëse dhe informuese. Unë e besoj këtë./Dritare.net

 

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*