Kush është Gentian Kerri, i akuzuar në Prokurori dhe lidhjet me aksidentin ku vdiqën dy fëmijë!

Ditën e sotme, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori ish-Kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik Gentian Kerri, dy prej ish-anëtarëve dhe dy prej anëtarëve aktual të këtij institucioni.

Sipas auditit, në 7 vendime të KPP-së janë konstatuar shkelje të cilat i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik që arrin vlerën 248,868,262 Lekë. Gentian Kerri është një emër jo pak i lakuar në media e në rradhët e zyrtarëve të politikës.

Më datë 26. 09. 2016, kryeministri Rama e largoi Kerrin nga posti i kreut të Prokurimeve Publike duke emëruar në vend të tij Evis Shurdhan, e cila më herët ka mbajtur pozicionin e drejtores së Administratës dhe Shërbimeve në Kryeministri.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha, disa muaj më vonë pas largimit nga kreu i KPP, konkretisht më datë 02.11.2016, denoncoi emërimin e Gentian Kerrit në postin e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë.

Sipas Berishës, Kerri është vendosur në këtë post edhe pse nuk ishte kualifikuar në fazën e parë të DAP. Berisha tha asokohe se Kerri ishte paravendosur që do të fitonte.

Në 4 vite në krye të prokurimeve Publike, ish-kreu i KPP është akuzuar për abuzime me tendera dhe për favorizim, siç është rasti i dhënies së tenderave firmës “Salillari” por dhe firmës së xhaxhait e djalit të tij Pilo dhe Krislen Keri, ky fundit, i emëruar drejtor i Aviacionit Civil dhe i përfshirë në skandalin që u mori jetën dy fëmijëve në rrugën dytësore Golem-Kavajë.

TENDERAT E BUJSHËM- SIPAS KLSH, evidentohet vendimmarrja e paligjshme e KPP:

1.         Vendimi nr. 302 datë 6.5.2016 në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “B3- Blerje barna gjaku dhe organet formuese të gjakut për nevoja spitalore” – Loti 12, me fond limit 55,127,233 lekë, i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) në vitin 2016.

2.         Vendimi nr. 84 datë 19.2.2016 lidhur me procedurën e tenderit me objekt “Blerje furgon i blinduar i përdorur (copë 5)” – Loti II, me fond limit 15,500,000 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 29.12.2015, nga autoriteti kontraktor Posta Shqiptare sh.a.

3.         Vendimi nr. 43/2016, datë 22.01.2016, në lidhje me ankimin e bërë në lidhje me prokurimin me objekt: “Mirëmbajtje bazuar në performance segmentet rrugore Tirane-Ndroq-Romanat, Plepa Ura e Farkës etj 58,3 km (AK-Drejt. Rajonale Qendër Tirane)”, me fond limit 47,357,107 lekë.

Në vendimet e mësipërme, KPP ka shpërfillur në mënyrë flagrante dokumentacionin bashkëlidhur ankesave të operatorëve ekonomik si dhe atë të operatorëve të tjerë ekonomik ndaj të cilëve drejtohej ankimi duke konkluduar më pas në mënyrë të paargumentuar në kualifikimin dhe skualifikimin e tyre, kjo e konfirmuar në një rast edhe nga vendimmarrja e Gjykatës Administrative, Tiranë./D.M-Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*