Falimentimi i “Plus” dhe kapitali i “madh” tragjikomik shqiptar

Nga Dritan Hila

Pas 27 vjetësh sistemi kapitalist, sipërmarrësit shqiptarë dështuan në mënyrë spektakolare në një sipërmarrje të përbashkët në fushën e telefonisë celulare. Kompania celulare “Plus” e cila lindi si një bashkim kapitalesh shqiptare, falimentoi pa iu dridhur syri në mbyllje të vitit që shkoi duke lenë abonentët në mes të rrugës. Nuk bëhet fjalë vetëm për kontratat, por kush ka një biznes serioz dhe i besoi kësaj kompanie duke marrë numra prej tyre, befas i duhet të lajmërojë gjithë kontraktuesit apo kolegët e tij për ndryshimin e kontakteve të tij. Dhe kështu mosserioziteti i “Plus” transmetohet edhe tek njerëz seriozë.
Por “Plus” tregoi edhe një plagë të kapitalizmit shqiptar. Ky është një kapitalizëm që në fillimet e tij operoi si në perëndimin e egër me metoda që më shumë sesa mendim sipërmarrës kishte psikologji grabitësi. Kjo pasqyrohej në shmangien e taksave, shmangien e doganës, mashtrimet me cilësinë e mallit dhe shumë të tjera. Sa më sipër ka vazhduar edhe më pas. Ku fantazia e pasanikëve të rinj shqiptarë është për t’u pasur zili. Por mënyra më e përhapur ka qenë presion ndaj politikës për t’i dhënë tendera dhe përdorim i saj për të shkatërruar kundërshtarët apo siguruar pozicione monopol.
Dhe ja ku jemi në një fushë ku bizneset më të mëdhaja shqiptare u mblodhën për të bërë një sipërmarrje të përbashkët. Nuk i pengonte as çështja e pronave dhe as tatimet apo doganat, pasi e kishin mirë me çdo parti. Por duhet të konkuronin ndaj tre shoqërive të tjera si “Vodafone”, “Telekom” dhe “Eagle”.
Janë që të treja ndërkombëtare, dhe si të tilla nuk mund t’iu çohet policia financiare për t’i kontrolluar faturat; as policia e shtetit për probleme të shpikura me pronën apo entin e frekuencave. Dhe Plus falimentoi. Duke treguar se kur bëhet fjalë për tregëti të ndershme, investime në kërkim, konkurencë e hapur, teknologji bashkëkohore, burime njerëzore në bazë të aftësisë, kapitali shqiptar është primitiv dhe si i tillë, humbës.
E kanë treguar edhe më parë si në naftë, miniera apo transporte, ku e vetmja gjë që dinë të bëjnë është shkatërrimi i trashëgimisë, mospagimi i taksave , rrogave dhe grabitja e shtetit.
Por nëse këto të parat ndodhin humbëtirave të Bulqizës apo Ballshit, falimentimi i “Plus” ndodhi në mes të Tiranës dhe na la pas shijen e kaptalizmit tragjikomik shqiptar, që nuk fiton dot, po s’ia futi dikujt, qoftë edhe vetes. Të një kapitalizmi që kur përballet me konkurentë seriozë zbaton parrullën “Të iki kush të mundë dhe të marrë çfarë të mundë”. Ja pse ne nuk bëjmë dot një industri të madhe apo konkuruese në rajon, as në atë mekanike, të veshjes apo qoftë edhe atë ushqimore që të përfaqësojë brandin shqiptar. Sepse hajdutllëku dhe paaftësia nuk mund të rregjistrohet si markë./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*