Çfarë përfaqësojnë protestat e Teheranit dhe muxhahedinët e Tiranës

Nga Dritan Hila

Teherani ka disa ditë që është përfshirë nga protestat studentore. Kwto ditw është arrestuar ish presidenti i Iranit Mahmud Ahmedinaxhad, i akuzuar për mbështetje të tyre, çka mund të sjellë përshkallëzim ose topitje tw protestave.
Meqënëse një pjesë e popullsisë shqiptare është bektashi, pra sekti shiit, dhe përhapësit e parë të saj vinin pikërisht nga Persia, le të bëjmë një përshkrim të shkurtër politik të këtij vendi dhe çfarë po ndodh në të.
Irani është një pol i fuqishëm i botës islame edhe për faktin se është shteti me popullsinë më të madhe shiite, që është sekt me rreth 10% të besimtarëve islamikë. Karakteristikë e tij në dallim nga vendet e rajonit të Lindjes së Mesme është niveli i lartë i shkollimit dhe universitarizimit të popullsisë e cila ka një moshë mesatare 27 vjeçare. Ka ndikim në pjesën e Gadishullit Arabik për shkak të popullsisë shiite, por edhe në Siri ku sekti alevit i Bashar Al Asad sundon vendin dhe ne Liban ku përfaqësohet nga Hezbollah.
Në Iran janë 89 % shiitë, 9 % sunitë dhe po ashtu hebrenj, kristianë, zoroastrianë e bahai të cilët kanë lirinë e ushtrimit të besimit. Faktori fetar, ka ndihmuar në ruajtjen e koherencës së një vëndi të përbërë nga një konglomerat etnish me 51 % persë, 24% azerë, 8 % gilanë e mazandaranë, 7 % kurd, 3 % arab, 2 % lur, 2 % baloch, 2 % turkmen, etj;
Vetë Irani është një teokraci por që ka një kushtetutë të komplikuar e cila duke pasur frikën e përqëndrimit të pushtetit në duart e një personi si në kohën e Shahut, ka krijuar një mekanizëm ku i ruajturi ruan ruajtësin dhe askush nuk ka fuqi të pakontrolluar. Vendi ka një parlament prej 290 anëtarësh por ka fuqi konsultative dhe ligjet e tij duhet të kalojnë aprovimin e Këshillit të Rojeve. Këshilli i Rojeve ka 12 anëtarë të cilët 6 caktohen nga Lideri Suprem dhe 6 nga pushteti gjyqësor. Por ky Këshill Rojesh duhet të miratohet nga Parlamenti. Dhe sa herë këto dy organe kanë kontradikta, ja ku futet në lojë Këshilli i Kujdesit Kombëtar i cili bën rolin e ndërmjetësit por njëkohësisht edhe të këshilltarit të Liderit Suprem. Lideri Suprem është instanca e fundit që merr vendime dhe njëkohësisht President i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Por ja ku vjen Asambleja e Ekspertëve e përbërë nga 86 klerikë të zgjedhur me mandat 8 vjeçar i cili emëron Liderin Suprem por edhe mund t’ia revokojë mandatin. Por edhe Asambleja e Ekspertëve në instancë të fundit duhet të miratohet nga Këshilli i Rojeve.
E gjitha kjo e bën Iranin një shtet sui generis në hapësirën islame dhe duke pasur parasysh që nuk ka një udhëheqës të përjetshëm, nuk ngjason me shtete që e rrethojnë.
Kush është Ahmadinexhad? Student në vitin 1978 është pjesëmarrës në Revolucionin Iranian. Më vonë në vitin 1979 është ndër pengmarrësit e diplomatëve të Ambasadës Amerikane në Teheran. Ka qenë oficer i Gardës Revolucionare dhe pjesëmarrës në operacionet sekrete gjatë luftës me Irakun. Nga viti 1993-1997 ka qenë guvernator i provincës së Ardabil dhe kryetar bashkie i Teheranit 2003-2005, vit kur u zgjodh president i Iranit deri në vitin 2013. I përket krahut të fortë dhe puritan të rregjimit. Në vitin 2017 kërkoi të rikandidonte por Këshilli i Rojeve e hodhi poshtë andidaturën e tij.
Të gjitha sa më sipër janë të nevojshme për të kuptuar protestat e herëpasherëshme që ndodhin në Iran. Me një popullsi të mirëshkolluar por të pamundur të gjejë hapësirë për aspiratën e saj politike; një ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë por me mekanizëm të vjetëruar ekonomik (për herë të parë TVSH u vendos në mandatin e parë të Ahmadinexhas), Irani është një vend i cili kërkon reforma. Por mesa duket në rastin konkret nuk kemi një përplasje mes konservatorëve dhe progresistëve por konservatorëve dhe progresistëve që kalërohen nga një ultrakonservator. Kjo shpjegon edhe faktin pse BE është me çizme plumbi në qasjen ndaj këtyre fenomeneve ndërsa SHBA ngjan në pritje.
Sa i takon faktit nëse muxhahedinët e strehuar në Tiranë, që janë një lloj guerrilje antiqeveritare për sunduesit e Iranit, nuk duhet pasur shumë siklete. Janë në moshën e pensionit dhe të papërshtatshëm të desantohen. Kanë ardhur që pas disa brezash të quhen shtetas shqiptarë, ashtu si shumë minoranca të sjella dikur nga Perandoria e Otomanëve (mbiemrat Harasan, Turdi, etj janë pikërisht me këtë prejardhje persiane)./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*