Feministja e shekullit: Nuk duam pushtetin e burrave, por ta shkatërrojmë atë

Nga Gëzim Hoxha

Shumë është folur për pushtetin dhe për barazinë në përgjithësi. Edhe nocioni i barazisë në vetvete mund të shtjellohet dhe mund të ndahet në disa llojesh. Kështu flitet natë e ditë për barazinë gjinore e për dhunën në familje. Po kaq flitet për një vlerë tjetër (ndër të rrallat që manifestohet në Shqipëri) për tolerancën fetare që unë do e quaja si një barazi besimesh. Flitet ose më mirë duhet të flitet edhe për barazi sociale.

E kjo e fundit u takon vetëm ëndërrimtarëve pasi është më e vështira prej barazive për t’u arritur, sepse në vetvete kapitalizmi është ngritur në pabarazi. Barazia sociale as që do të arrihet ndonjëherë në një shoqëri ku çdo gjë matet me para. Ky është metri ynë i përbashkët, kjo është njësia jonë matëse për gjithçka. Ekziston edhe një lloj barazie tjetër që shumë njerëz në ditët e sotme synojnë ta arrijnë – barazia në sukses.
Për disa lakmia më e madhe është arritja e një lloj pushteti që do t’iu siguronte plotësimin e çdo dëshire të mundshme. E megjithatë edhe kapja e pushtetit atyre nuk iu mjafton. Por ka edhe një lloj tjetër kategorie njerëzish që iu intereson një lloj tjetër pushteti, ai social. Ashtu si mund të kuptohet, ky lloj pushteti ngrihet mbi besimin dhe pushton zemrat e njerëzve në dallim me pushtetin tjetër, trysninë e të cilit e ndjejmë të na rëndojë mbi supe çdo ditë. Ky lloj pushtetit është më i vështiri për t’u rrënjosur sepse buron nga mirësia dhe mbjell kudo që endet dashuri dhe jo urrejtje, smirë, frikë a ku ta di unë se çfarë.

Pushteti social që synohet të arrihet vetëm nga një grusht njerëzish nuk të sjell asgjë si kthim prandaj është edhe më i padëmshmi dhe më i palakmueshmi ndër ne. Ai që ka arritur këtë fazë ose që mund ndihmojë këdo që kërkon të ndihmohet, ai shikohet edhe si zot në sytë e një tjetri. E kur flasim dhe themi se ai bëhet zot në sytë e dikujt, atëherë këtu frikësohemi dhe më kot i fusim shkopinj nëpër rrota sepse gjithsesi ata e arrijnë atë që duan.
Dhe përgjithësisht njerëzit që synojnë të kenë pushtet social mbi njerëz apo masa të caktuara njerëzish, janë njerëz të mirë edukuar, njerëz që i përkasin elitave, njerëz që ëndërrojnë ta ndryshojnë botën, njerëz që ëndërrojnë dhe jetojnë në botë dhe kohëra të tjera. Nëse do të rrekeshim e të përmendnim emra do e fillonim me Krishtin e do mbaronim me Nënë Terezën apo me Martin Luther King. Mund të përmendnim edhe shenjtor të ndryshëm të vjetër e të rinj. Ajo që i bashkon të gjithë ata, është aspirata për një botë më të drejtë, ëndrra për të ndryshuar botën.

Një prej tyre është edhe Simone de Beauvoir e cila me punën e saj inspiroi me mijëra gra në mbarë botën, që të ngrihen e të luftojnë për të drejtat e tyre. Ajo është shkrimtare dhe filozofe franceze, gjithashtu edhe një feministe e shquar që ka luftuar për mbrojtjen e të drejtave të gruas, duke e parë femrën shumë më tepër se sa një qënie e predispozuar për të kënaqur dëshirat seksuale të burrit. Dhe kur Simona flet për pushtetin ajo shprehet qartë: “Çështja për gratë nuk është thjesht rrëmbimi i pushtetit nga duart e burrave përderisa ne nuk mund t’i ndryshojmë asgjë kësaj bote. Çështja konsiston pikërisht në shkatërrimin e nocionit të pushtetit”.

Eh pra, Simona e ka kuptuar, mund të jetohet edhe pa pushtet. Dhe këtu, ajo e ka fjalën (ashtu si e kuptoj unë) për atë lloj pushteti që të robëron e që të shtyp, që e deformon dhe e përçudnon natyrën njerëzore. Të jetë vallë thjesht çështje pushteti, apo të drejtash? Sërish kjo punë bëhet lëmsh e dikush mund të ngrihet e të thotë: E shikoni, dikush të qeverisë e dikush duhet të qeveriset. Mallkuar qoftë ai që shpiku pushtetin! Mallkuar edhe ai që shpiku mjetet për ta mbajtur dhe për ta forcuar atë.

Kushedi sa Krishtër e Martin të tjerë do duhej të kish kjo botë që të ndryshonte e të bëhej pak më e mirë./Dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*