Përse është i shqetësuar Berisha për Pallatin e Bashës në Vlorë?

Nga Mero Baze

Nuk ka ndonjë lajm të ri rreth pallatit që figuronte në emër të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë. Të gjitha detajet rreth tij janë bërë publike me kohë. Ai u ndërtua duke zaptuar vijën bregdetare dhe ujin e detit, dhe duke fallsifikuar një pronë në breg të detit. Pronar formal ka figuruar vjehrri I Lulzim Bashës, por në Bashkinë e Vlorës njeriu që ka bërë pazare për pallatin, ka qenë djali i Sali Berishës, deri dhe tek oferta për të shkëmbyer nderin me investime publike për Vlorën.

Po ashtu, është e njohur botërisht se Edi Rama shmangu penalizimin e njerëzve të Lulzim Bashës për zaptimin e tokës dhe fallsifikimin e dokumenteve, pasi drejtësia ishte në dorë të Berishës, dhe e prishi me vetëdije pallatin për interes publik, pra për të liruar hapësirat e zaptuara, se do të ndërtohej “Lungomare”.

Për këtë shkak, Edi Rama i ka dhënë Lulzim Bashës një javë pasi doli nga çadra, 11. 3 milion euro dëmshpërblim për këtë pallat.

E reja e vetme është që nga 11. 3 milionë euro, Gjykata e Strasburgut ka shtuar dhe dy milionë të tjera.

Pra, këtu nuk ka ndonjë lajm të ri rreth legjitimitetit të pagesës së pronarëve të pallatit. E reja e vetme që u shfaq qysh në maj të vitit të shkuar, është pagesa e menjëhershme e qeverisë për Lulzim Bashën dhe tërbimi i Sali Berishës.

Tërbimi i parë i Sali Berishës ndaj Lulzim Bashës ndodhi pikërisht kur kuptoi se bashkë me daljen nga çadra, pronarët e pallatit kishin marrë dhe 11,3 milionë euro. Siç e kanë pas  zakon njerëzit e tij, i merrnin paradhënie nderet dhe nuk pretendojnë dot më të jenë tek përfituesit e dëmshpërblimit. Por kjo është arsyeja më e vogël për t’u tërbuar.

Arsyeja më e fortë dhe e besueshme, është se Berisha e shikon luajalitetin e Edi Ramës për t’i paguar paratë e një biznesi të paligjshëm një kundërshtari, si akt korruptimi. Pra, ai shikon se në marrëveshjen e 18 majit ka pasur më shumë pazar lekësh, se sa pazar zgjedhjesh.

Kjo nuk është realisht e vërtetë, por është bindëse për kulturën politike të Sali Berishës. Sali Berisha i përket një shkolle politike ku kundërshtari politik, mundësisht duhet vrarë e jo më të paguhet.

Ai nuk e pranon dot që të ketë ai në dorë t’i paguajë një vendim gjyqësor kundërshtarit dhe ta zbatojë vendimin. Ai është gati të shkeli dhe dhjetë vendime të tjera për të mos e paguar. Dhe duke pasur këtë kulturë politike, ai nuk e shikon si detyrim të qeverisë pagesën për pallatin, por si akt korruptiv të Ramës ndaj Bashës.

Ana tjetër që i frikësohet Berisha, është pavarësimi i Bashës nga një shumë kaq e madhe e ofruar legalisht. Ai e shikon këtë si një premisë që ai të pavarësohet prej Berishës dhe të ndjehet i pavarur prej tij.

Dhe nuk e ka vetëm me Bashën. Me këdo nga të vetët që mund të pasurohet për rrethana të ndryshme, ai tërbohet. Kjo shumë marramendëse e bën të ndjehet edhe më keq. Pastaj paranoja vjen i forcohet, se si para një proteste të re, atij i shtohen dhe dy milionë euro. Dhe këtu shpërthen duke bërë sikur u qan hallin shqiptarëve përse po u merr para Lulzim Basha me kunatin dhe vjehrrin e tij, kur më lehtë e ka tu thotë atyre t’ua kthejnë lekët shqiptarëve.

Ky është thelbi i protestës së Sali Berihës. Normalisht sot ai duhet të ishte kokëulur për këtë që po ndodh. Djali i tij ka qenë sekseri i këtij pallati, Habilajt kanë qenë roje të rrethimit të pallatit, kunati i Lulzim Bashës është pronari real, dhe përfituesit janë të gjithë rrethi i tyre. Edi Rama është përgjegjës që e prishi pallatin si ndërtim të ligjshëm, pasi drejtësinë e kishte në dorë Sali Berisha dhe do ta legjitimonte, paligjshmërinë e tij, edhe sikur Rama ta kishte çuar në gjykatë. Por sidoqoftë, ai duhet të provonte.

Por ai e prishi si një ndërtim që pengonte perspektivën e Vlorës, dhe për këtë duhet të paguante. Problemi i Berishës është se nuk i ka gjërat në dorë tani që po ndahen lekët. Dhe i trembet shumë idesë, që lekët janë në duart e vartësve të tij./ TemA

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*