Republika, ta festojmë apo ta harrojmë?

Nga Xhevdet Shehu

Ka qenë një herë e një kohë, jo shumë larg, kur 11 janarin e përkujtonim me shumë gëzim dhe krenari. 11 janari është festa e shpalljes së Republikës dhe është festuar si një nga ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë moderne për më shumë se gjysmë shekulli.

Duket i thjeshtë ky fakt, ngjan edhe si nostalgji për një të kaluar komuniste. Në të vërtetë nuk është kështu. Harresa politike që i bëhet kësaj ngjarjeje të madhe është e qëllimshme, për më tepër kur jo më larg se vitin e kaluar, opozita aktuale u përbetua për krijimin e një republike të re. E aleatë të kësaj opozite janë edhe ballistët e zogistët e dikurshëm.

Gjithsesi anatemimet e gjithfarëllojshme dhe harresa e qëllimshme nuk ia zbehin aspak madhështinë kësaj dite. Është e pamundur që të ketë kthim prapa, për më tepër kur para disa vjetësh u bë një referendum për formën e regjimit dhe sërish fitoi bindshëm Republika.

11 janari i vitit 1946 është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Ja, sepse:

Një vit e pak nga çlirimi i vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë, Shqipëria kreu një akt madhor: ndarjen juridike me të kaluarën monarkiste. Në të vërtetë, monarkia kishte marrë fund më 7 prill 1939, kur Italia fashiste pushtoi vendin tonë ndërsa Ahmet Zogu e la popullin në mes të katër rrugëve, duke i rrëmbyer edhe floririn. Për këto arsye, më 24 maj 1944 në Përmet, ku u formua qeveria e dalë nga lufta (ndonëse lufta do të vazhdonte edhe gjashtë muaj të tjerë) një nga vendimet që u muar ishte ndalimi i kthimit në Shqipëri të Ahmet Zogut dhe familjes së tij.

Mirëpo në aspektin juridik kishte diçka që nuk shkonte. Duhej një vendim kushtetues që të rregullonte të ardhmen e qeverisjes së re. Prandaj dhe më 11 janar të vitit 1946, qeveria komuniste e Kryeministrit Enver Hoxha, me anë të një Asambleje Kushtetuese të përbërë nga 82 deputetë, të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, e shpalli Shqipërinë Republikë. Pikërisht atë ditë “vdiq” monarkia dhe u hap një kapitull i ri për këtë vend të vogël ballkanik që monarkinë nuk e kishte pasur traditë.

Mirëpo, si u zbatuan procedurat për ndryshimin e regjimit nga Monarki në Republikë Popullore, kush ishin përfaqësuesit e huaj që asistuan në atë mbledhje dhe çfarë u tha aty për Mbretin Zog?

Nga kronikat

Shpallja e Shqipërisë Republikë Popullore dhe atmosferën festive të asaj dite, është përcjellë në gazetën “Bashkimi” të datës 12 janar 1946. Ja çfarë shkruhej në faqen e parë të gazetës atë ditë:

“Që në mëngjez populli po grumbullohej përpara Sheshit të Math “Qemal Stafa”, përpara pallatit të Asamblesë Kushtetonjëse. Populli këndonte dhe asamblistët grupe-grupe po hynin në sallë. Edhe sot dita buzëqesh si shpirti i popullit t‘onë që më së fundi nisi të buzëqesh i lirë, zot i vëntit dhe i jetës së tij. Nëpunësit e punëtorët, të rinj e të reja, kanë mbushur Bulevardin Qemal Stafa. Dëgjojnë fjalën e delegatëve të tyre, dëgjojnë përfaqësonjësit e popullit të flasin në asamble, atë që u flet zëmra, të vendosin në Asamblenë për atë që u rreh zëmra. Thirrje, brohoritje, këngë ovacione për Republikën Popullore shpërthyen kur dëgjuan nga altoporlantet propozimin e delegatëve të Vlorës. Vlora siç e tha edhe Koçi Xoxe, ngriti zërin e saj për Republikën Popullore dhe tërë Shqipëria u bashkua me zërin e saj. Se zëri i Vlorës është edhe zëri i tërë popullit shqiptar. U dëgjuan krisma hareje, u dëgjuan këngë, u dëgjua që ushtoi tërë Tirana me RROFTË REPUBLIKA POPULLORE.

Ora 12, kur Tuk Jakova lajmëroi se Asambleja unanimisht vendosi çpalljen e Republikës Popullore, njeri më s‘u mbajt nga gëzimi. Dalin Asamblistët dhe Populli i rrethon, i përqafon përfaqësuesit e tij, djemtë që i plotësuan dëshirën, i ngre lart nëpër duar, ndërsa topi nis të zbrazë për të përshëndetur këtë fitore të madhe të popullit t‘onë. Manifestimet vazhdojnë…”

***

Kishin kaluar vetëm 14 muaj pas ardhjes së komunistëve në pushtet, kur Enver Hoxha dhe pasuesit e tij, me anë të një asambleje të përbërë nga 82 deputetë të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, të mbledhur në sallën e Shtëpisë së Arteve (aty ku sot është godina e Akademisë së Arteve në Tiranë), ndryshuan formën e regjimit, duke e shpallur Shqipërinë Republikë Popullore, nga Monarki që ishte që prej vitit 1928.

Po cilat ishin procedurat që u përdorën nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës 72 vjet më parë për të ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri? Ku u mblodh Asambleja e quajtur si Kushtetonjëse, cilët ishin eksponentët kryesorë në grupin prej 82 deputetësh që e formuan atë dhe çfarë u tha në fjalimet e tyre për paraardhësit e tyre në regjimet e kaluara? Cilët ishin përfaqësuesit dhe gazetarët e huaj që asistuan në mbledhjen e asamblesë, ku u proklamua shpallja e Shqipërisë si Republikë Popullore dhe çfarë tha në fjalën e tij Kryeministri, gjeneral-kolonel Enver Hoxha? Cili ishte reagimi i Mbretit Zog nga Anglia dhe çfarë thuhej në deklaratën e tij për gazetarët e huaj vetëm një ditë pas asaj ngjarjeje që u festua me bujë të madhe nga regjimi komunist i Tiranës me manifestime të mëdha në të gjithë vendin?

Formimi i Asamblesë Kushtetuese më 10 janar Shpallja e Shqipërisë si Republikë Popullore më 11 janar të vitit 1946 u përcoll me bujë dhe vëmendje të veçantë nga propaganda e regjimit komunist të Tiranës, e cila nëpërmjet Radio-Tiranës dhe gazetës “Bashkimi”, i bëri një jehonë të madhe asaj.

Nën titullin e madh: “Sot ora 10 çelet Asamblea Kushtetonjëse” dhe nëntitujt korsivë: “Ajo do t‘i japë popullit shqiptar Statutin Themeltar-Frut i luftës së përgjakëshme dhe i punës së tij të palodhur”, në gazetën “Bashkimi” të datës 10 janar 1946, ndërmjet të tjerash shkruhej: “Sot më 10 Janar, ora 10 çelet Asamblea Kushtetonjëse, në sallën e Theatrit të ri që është në Shtëpinë e Arteve në Sheshin “Qemal Stafa”. Ata që do të hyjnë në sallë kanë ftesa të posaçme. Populli do të dëgjojë çvillimin e seancave nga altoporlantët ose me anë të radios. Pas pesë vjet lufte të pashembullt dhe pas një viti e 44 ditë, që kur në truallin tonë nuk mbeti më këmbë shkelësi, pas një viti e 44 ditë fitoresh të mbëdha, erdhi më së fundi edhe data e 10 Janarit, dita që përfaqësonjësit e popullit mblidhen në Asamblenë Kushtetonjëse. Këtë ditë të shënuar për historinë t‘onë, populli ynë e krem-ton me një gëzim të patreguar se në Asamblenë e tij, që është e para Asamble me të vërtetë e tij, ay pret sanksionimin me ligj për ato që ay fitoi me gjak. 2 Dhjetori ishte për popullin t‘onë një festë e madhe. Atë ditë populli ynë i lirë zgjodhi të 82 përfaqësonjësit e tij që sot mblidhen në Asamble. Po dita e soçme është një festë akoma më e madhe, sepse Asamblea do të konsakrojë solemnisht frytet e luftës së përgjakëshme dhe të punës së palodhur të popullit tonë me Statutin Themeltar; është akoma më e madhe sepse kjo është e para Asamble e popullit. Asamblea e fshatarëve, punëtorëve dhe KUSHTETONJËSE”. Aty punëtorët akoma janë duke ndrequr diçka, akoma teknikët diçka zbukurojnë. Që në hyrje duken ekspozitat e ndryshme të Ministrive të ndryshme, midis të cilave çquhen ajo e Ministrisë së Bujqësisë, sepse mu në derë qëndron një bujk i pikturuar që ka këputur zinxhirët e feudalizmit dhe që mban në dorë tapinë e tokës së tij që ia dha pushteti i tij. Me të hyrë në sallën ku sot mblidhen asamblistët, të bije menjëherë në sy parrulla e madhe që qëndron në krye të skenës me: “Rroftë Asamblea Kushtetonjëse”, nga e djathta është parrulla “Rroftë pushteti popullor i punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve”, nga e mëngjërta parrulla “Rroftë Ushtria Kombëtare mburoja e Shqipërisë së Re”.

Janë 82 vënde të ndara në dhjetë grupe-grupe të asamblistëve të çdo prefekture dhe çdo vënt ka mbi tryezë emrin e përfaqësonjësit që është caktuar të rrijë. Në krye të tribunës janë dy seri vendesh. Përkundruall këtyre vëndeve qëndron kjo parrullë: “Asamblistë! Populli u besoi vullnetin e tij. Mbetet tek ju të bëni detyrën ndaj tij. I siguroni popullit me Kushtetutën, një jetë më të lumtur. Dhe fitoret e luftës e të rindërtimit le të bëhen mbështetje për fitore të reja…”

Si u zhvilluan punimet në sallë

Gjithnjë sipas gazetës ‘Bashkimi’ datë 12 janar 1946, shkruhet:

E PREMTE 11 JANAR, HAPJA E ASAMBLESË

Seanca e parë e Asamblesë Kushtetues u hap nga Dr. Omer Nishani Kryetar i Këshillit Antifashist, i cili pas një fjale të shkurtër, ftoi deputetin e Korçës, Dr. Petraq Popa, si përfaqësuesin më të vjetër në moshë që të kryesonte përkohësisht mbledhjen. Pas fjalës së tij, u zgjodhën tre sekretarë të përkohshëm. Lidhur me këtë seancë, në mes të tjerash në shtypin e asaj dite shkruhet: “U zgjodhën tre sekretarë të përkohëshëm. Përfaqësonjësit e popullit dorzojnë certifikatat e zgjedhjes së tyre të lëshuara nga komisjonet e qarqeve. U zgjodhën 20 veta për të vërtetuar mandatet. Dje në ora 10 paradite u bë mbledhja e parë e Asamblesë Kushtetonjëse. Kryesia e Këshillit Antifashist, në bazë të ligjit mi Asamblenë Kushtetonjëse numër 123 datë 27.IX.1945 propozoi këtë rend dite:

1)-Hapja e mbledhjes prej Kryetarit të Kryesisë së Këshillit Antifashist.

2)-Ftesa e përfaqësonjësit në moshë më të madhe për të kryesuar përkohësisht mbledhjen.

3)-Pranimi i tre përfaqësonjësve të propozuar nga Kryetari, për të kryer detyrën e sekretarit të përkohëshëm.

4)-Dorzimi i Kryetarit të Asamblesë nga ana e përfaqësonjësve të popullit të certifikatave të zgjedhjes së tyre të lëshua-ra nga Komisionet e Qarqeve.

5-)Zgjedhja nga ana e asamblesë e një komisioni prej 20 vetash për vërtetimin e mandateve dhe caktimi i kryetarit të këtij komisioni.

Diplomatët që morën pjesë në shpalljen e Republikës

Në seancën e mbledhjes së datës 11 janar 1946, në sallën e Akademisë së Arteve ku ishte mbledhur asambleja me 82 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, asistonin edhe përfaqësuesit e misioneve të huaja të akredituara në Tiranë. Të bën përshtypje pjesëmarrja në këtë ngjarje e përfaqësuesve të fuqive më të mëdha të kohës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik, Francës dhe Jugosllavisë, si dhe përfaqësues të shtypit të këtyre vendeve. Dihet fakte se deri në atë kohë, por edhe shumë vite më pasë SHBA dhe Britania nuk do ta njohnin qeverinë komuniste të Tiranës, por pjesëmarrja e tyre në shpalljen e Republikës, tregon se sa me vëmendje i ndiqnin ata këto zhvillime duke analizuar juridikisht hapat e para të komunistëve në pushtet. Ata kishin qenë dëshmitarë në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 dhe i kishin konsideruar ato legjitime.  Lidhur me pjesëmarrjen e diplomatëve të huaj në mbledhjen e parë Asamblesë Kushtetuese, në gazetën “Bashkimi” të asaj dite thuhet:

“Para orës 10 të ftuarit kishin mbushur lozhat dhe galerinë. Në lozhën e parë, nga e mëngjërta në të hyrë, merrte vënt, Ministri i Jugosllavisë z. Josip Djerdj me sekretarin e Legatës; në lozhën e dytë, Gjeneral Brigadier D.E.P. Hodgson, Shef i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri dhe Kolonel Sokolov Shef i Misionit Ushtarak Sovjetik në Shqipëri; në lozhën e parë nga djathta zoti Jakobs, funksionar i Departamentit të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me zotin Stevens; në lozhën e dytë Kolonel Teyssier, Shef i Misionit Ushtarak Francez në Shqipëri dhe përfaqësues i UNRRAS. Në lozhat e tjera ishin shumë përfaqësues dhe personalitete si dhe korrespodenti i Agjensisë TASS, i ISVESTIA-s, dhe i BORBA-s.

Pikërisht në ora 10 përfaqësonjësit e popullit kishin zënë vendet e tyre të caktuara. Pas dy tre minutash, Kryetari i Qeverisë Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha ngrihet dhe shkon në tribunën e parë që është tribuna e Qeverisë. Përfaqësonjësit e popullit dhe tërë të ftuarit e duartrokitën pareshtur. Pastaj tërë anëtarët e qeverisë zunë vënt në tribunën e tyre duke patur në mes Kryetarin e Qeverisë. Pas kësaj tribune është tribuna e Kryesisë së Këshillit Antifashist ku qëndron Dr. Omer Nishani me tre nënkryetarët. Gjen. Leit. Koci Xoxe, Hasan Pulo dhe Kolonel Baba Faja. Kur të gjithë janë në vëntet e tyre, Dr. Omer Nishani ngrihet dhe thotë se asamblistat kanë përpara tyre rendin e ditës, të cilin e vuri për aprovim. Asamblistët e aprovuan unanimisht”.

Asambleja nuk pranon dorëheqjen e qeverisë

Pas fjalës së Kryeministrit Enver Hoxha, i cili kërkoi dorëheqjen e qeverisë së tij, kryetari i asamblesë ia dha fjalën përfaqësuesit të Korçës, Prof. Sali Mborja, përfaqësues i cili midis të tjerash u shpreh: “Qeveria Demokratike e sotme është një qeveri e popullit shqiptar që u emërua në Kongresin e Përmetit nga Këshilli Antifashist. Është qeveria që lindi nga gjiri i popullit shqiptar në zjarrin e luftës më të egër”. Më pas, me fjalën e deputetit Mborja, u solidarizuan edhe deputeti i Tiranës Abdyl Këllezi, Thoma Papapano deputet i Gjirokastrës, Rrahman Parrllaku deputet i Kukësit, Gjeneral-major Spiro Moisiu deputet i Durrësit, Kahreman Ylli përfaqësues i Beratit, Dr. Sezai Agalliu deputet i Vlorës, Kol Prela deputet i Shkodrës, Andrea Sahatçi përfaqësues i Beratit, Haki Stërmilli deputet i Dibrës dhe Xhemal Rusi përfaqësues i Korçës. Pas kësaj, kryetari i Asamblesë e hodhi në votë propozimin e deputetit Sali Mborja, nëse Asambleja nuk do ta pranonte dorëheqjen e qeverisë. Në këtë moment të gjithë deputetët u ngritën në këmbë dhe me ovacione të gjata që zgjatën disa minuta, pranuan unanimisht që qeveria nuk duhet të jepte dorëheqjen por të vazhdonte punën e saj.

Fjala e Enver Hoxhës

Pasi asambleja nuk e miratoi dorëheqjen e qeverisë, fjalën e mori Kryeministri, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, i cili në mes të një entuziazmi të madh dhe duartrokitjeve të pareshtura të asamblistëve, iu drejtua të pranishëmve me këto fjalë:

“Shokë Asamblistë. Në emër të shokëve të Qeverisë ju faleminderit shumë për besimin e madh që treguat karshi nesh. Ne do të vëmë të gjitha forcat tona për të mirën e popullit, ne do të çkrijmë të gjitha energjitë tona që gjendja ekonomike e kulturave e popullit tonë të përmirësohet. Ne kërkojmë ndihmën tuaj e gjithë popullit, për këtë vepër të madhe që do të ndërrmarim dhe s‘kemi asnjë dyshim që nuk do të na kurseni (Zëra: Pa fjalë). Ne do t‘i qëndrojmë besnikë të vendimeve që do të merren nga Asamblea Kushtetonjëse dhe këtë do ta zbatojmë pikë për pikë si ushtarë besnikë të popullit”.

Pas këtyre pak fjalëve të Kryeministrit Enver Hoxha, për disa minuta salla oshëtiu nga duartrokitjet e vazhdueshme të asamblistëve.

Pasi pushuan duartrokitjet dhe në sallë u vendos qetësia, kryetari i asamblesë ia dha fjalën Dr. Omer Nishani, i cili në mes të tjerash u shpreh: “Përpara se të filloj këtë raport do t’ju them pak fjalë se këtu kam bërë vetëm një tabllo të shkurtër të aktivitetit të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist N-Ç që nga Kongresi i Përmetit gjer në ditën që u mblodh Asamblea Kushtetonjësve. Kjo periudhë ndahet në tri pjesë. Në Përmet u muar vendime me rëndësi historike. I pari vendim ka qenë emërimi i Komitetit Antifashist Nacional Çlirimtar me atribute të një Qeverie Provizore. Ky kurorëzim i përpjekjeve të mbëdha të popullit tonë, se pas kësaj dite Shqipëria kishte në krye pushtetin e saj ekzekutiv më të lartë, Komitetin Nacional-Çlirimtar që e përfaqësonte brenda dhe jashtë. Atje u vendos ndalimi i Zogut në Shqipëri, anulimi i traktateve të bëra, i gjithë koncesioneve të dhëna gjatë regjimeve të kaluara, ia dhanë gradat Ushtrisë sonë heroike dhe u emërua Komandanti ynë i përgjithshëm, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha”.

Pika kryesore: Zogu të mos kthehet më në Shqipëri dhe anulimi i koncesioneve

N ë formulën e vendimit të shpalljes të formës së re të regjimit në Shqipëri, nga Monarki në Republikë Popullore, e cila u lexua me zë të lartë nga kryetari i asamblesë, thuhej: “Përpara kësaj lufte, Populli Shqiptar, për 15 vjet me rradhë lëngoi nën regjimin monarkist të Ahmet Zogut. Ky regjim antipopullor, i vendosun në Vëntin t‘onë kundër vullnetit të Popullit, me anën e forcës dhe bajonetës së huaj, shtypi pa mëshirë dhe çfrytëzoi në mënyrë çnjerëzore popullin shqiptar. Aspiratat e popullit shqiptar u shtypën pa mëshirë dhe politike sociale reaksionare dhe brutale e Zogut e dobësuan pa masë popullin t‘onë. Regjimi i Zogut përgatiti invadimin e Shqipërisë prej Italisë fashiste duke u bërë vegla e politikës fashiste të Musolinit. Nën regjimin e Zogut, Shqipëria u bë një koloni e Italisë e cila hodhi në duart e saj të gjitha pasuritë e Shtetit Shqiptar, ekonominë e vendit, financat, pasurinë e nëntokës, Ushtrinë, e tjera. Regjimi i Zogut e izoloi Shqipërinë tërsisht nga shtetet e tjera përparimtare dhe demokratë. Një gjendje e tillë pati si rezultat katastrofën e 7 prillit 1939. Më 7 Prill 1939, Ahmet Zogu kurorëzoi tradhëtinë e tij duke lënë popullin të papërgatitur që t‘i kundërshtonte me armë okupatorin dhe duke e braktisur popullin shqiptar në fatin e tij, ay iku fshehurazi jashtë kufirit. Gjatë luftës heroike Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar, Ahmet Zogu ka ndihmuar tradhëtorët e popullit shqiptar që në bashkëpunim me okupatorët kanë penguar luftën kundër okupatorit dhe kanë luftuar me armë kundër popullit dhe Ushtrisë së tij Nacional-Çlirimtare. Populli Shqiptar rroku armët dhe u hodh në luftë kundër okupatorëve dhe tradhëtorëve të vendit, për të çliruar Atdheun, për të fituar lirin e popullit dhe indipendencën e Sovranitetin e vendit. Me luftën e tij heroike, populli ynë jo vetëm fitoi kundër okupatorëve dhe tradhëtorëve, por njëkohësisht likuidoi atë regjim që në të shkuarën e kishte shtypur pa mëshirë. Populli Shqiptar u bë zot i fateve të tij për të rregulluar gjendjen e brendshme që do të ndihmojë në zhvillimin e drejtë të së ardhmes së tij të lumtur. Sovran për fatin e tij, Populli Shqiptar me një zë dhe lirisht me anën e Asamblesë Kushtetonjëse që përfaqëson vullnetin e tij vendosi që:

  1. SHQIPËRIA EMËROHET REPUBLIKË POPULLORE ME EMRIN REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË.
  2. ME KËTË VËNDIM NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR, HIQET PËRGJITHMONË MONARKIA NË SHQIPËRI. AHMET ZOGU DHE TRASHËGIMTARËT E TIJ HUMBASIN TË GJITHA TË DREJTAT QË KISHIN PASUR DHE U NDALOHET PËR GJITHMONË HYRJA E TYRE NË SHQIPËRI.

Protesta e Ahmet Zogut nga Anglia

A jo që ndodhi më 11 janar të vitit 1946, kur komunistët e Enver Hoxhës të sapoardhur në pushtet ndryshuan formën e regjimit, duke e shpallur Shqipërinë Republikë Popullore, nuk do të kalonte pa reagime nga kundërshtarët e tyre politikë. Kryesisht nga ata të Legalitetit, që ndodheshin në ekzil në shtete të ndryshme të botës. Vetëm një ditë pas asaj ngjarjeje, që u festua me bujë të madhe nga regjimi komunist i Tiranës duke bërë manifestime në të gjitha qytetet e vendit, reagimi i parë erdhi nga vetë Mbreti Ahmet Zogu, i cili jetonte në azil politik në Angli. I kontaktuar nga disa gazetarë të huaj në ambientet e rezidencës së tij të përkohshme në Londër, Mbreti Zog ndërmjet të tjerash u shpreh: Me ndryshimin e formës së regjimit nga komunistët e Tiranës nga Monarki në Republikë, po vihet në pikëpyetje serioze integriteti toksor i shtetit Shqiptar”.

Vetëm tre-katër ditë pas deklaratës së Zogut erdhi reagimi zyrtar nga qeveria komuniste e Tiranës, e cila nëpërmjet gazetës “Bashkimi”, (organ zyrtar i Frontit Demokratik) të datës 14 janar 1946, i kushtonte një artikull të gjatë deklaratës së Zogut. Në atë artikull, i cili ishte i mbushur fund e krye me sharje dhe akuza nga më të ndryshme për Zogun si: tradhtar, fashist, kriminel, hajdut etj., i thuhej atij që të mos ia qante hallin popullit shqiptar, pasi ai e kishte zgjedhur vetë formën e regjimit duke luftuar me armë në dorë./L.P./DITA

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*