A ia vlen Vlora 13 milionë ?!

Nga Dritan Hila

Ardhja e Edi Ramës në pushtet në vitin 2013 u prit me ankth, si gjithë ndërrimet e pushteteve në Shqipëri. Aq më shumë në një vend që kufirin mes të ligjshmes dhe të paligjshmes e ka evaziv.
Shpërthimet e dinamitit dhe matrapiku në ndërtimet pa leje ngjalli shpresë dhe frikë mes njerëzve. Viktima shpesh herë u bënë hallexhinjtë. Mes tyre kishte edhe të njomë bashkë me të thatët dhe të pafajshmit e varfër vështirë se do dëmshpërblehen, pasi Strasburgu është rrugë e largët. Por në këndvështrim të gjerë ajo raprezalje ndihmoi të ndërpritej epidemia e ndërtimeve apo shtesave pa leje.
Sa i takon Vlorës, ndihmoi në punën për kthimin e këtij qyteti në normalitet. Në vitin 2013 në qytet hyhej nga një shteg dhish i pamirëmbajtur. Ndërsa bregu i detit ishte një lëmsh ku fare kollaj ndrydhje këmbën dhe herën ngushtohej, sa të kalonte një person dhe herë mund të bije vetë në gropë. Ujërat e zeza derdheshin hapur.
Pas katër vjetësh qyteti mund të gjykohet se ka marrë investime të qenësishme. Është i vetmi qytet ku nuk është punuar për fasadë. Kanalizimet janë bërë me perspektivë dhe me themel duke i çuar në drejtim të detit. Aty do të mblidhen dhe dërgohen në përpunim në zonën e Sodës. Lungomarja është nga të paktat vepra që ka modernizuar vijën bregdetare të qytetit, megjithëse do ende punë. Po vazhdohet në drejtim të plazhit të vjetër rruga dhe shëtitorja. Kjo do rikualifikojë komplet zonën dhe do ta lidhë në mënyrë organike me Skelën dhe Lungomaren.
Rrugët paralele me Lungomaren dhe Bulevardin e Skelës po riparohen dhe asfaltohen të gjitha. A janë kostot e larta? A ka pasur klientelizëm në shpërndarjen e punëve? A e ka qelbur me tejzgjatjen e bypassit të Fierit dhe Vlorës ç’ka nuk e lejon qytetin të shfrytëzojë kapacitetet e tija turistike? Këto janë të gjitha pyetje që vështirë se Rama ju përgjigjet për notë kaluese. Por në Vlorë ka punuar duke e nxjerrë qytetin nga grija dhe pluhuri 27 vjeçar i tranzicionit.
Tani le të vijmë tek pallati i vjehrrit të Lulzim Bashës, dhe dëmshpërblimi i tij 13 milionë. Njerëzve ju ka bërë përshtypje. Në ato kohë u fol se ishte një akt edhe politik për t’i treguar kryetarit të opozitës se nuk ishte në gjendje të mbronte as familjen e vet lere pastaj demokratët e thjeshtë. Por e keqja e atij pallati nuk ishte se kishte shkelur rregullat dhe as sepse kishte abuzim në dhënien e lejes së tij. Kjo është një aferë më vete e cila nuk duhet ti shpëtojë hetimit. Arsyetimet se u bë një shkelje nga Shpëtim Gjika sepse Berisha nuk i jepte fonde, janë mbrojtje e dobët dhe nëse do ti shkohej kësaj llogjike, çdo abuzim justifikohet. Por ai pallat para së gjithash ishte pionieri sesi do të shkatërrohej vija bregdetare. Sepse derisa pa u ndërtuar ai, bashkijakë dhe ndërtues kishin abuzuar duke ndërtuar barbarisht, deri edhe duke u qasur me vijën e detit, por kurrë nuk kishin hyrë brenda në det. Nëse ai do mbijetonte, askush nuk do kishte guxim të blinte pallat buzë detit me shpresë se do shikonte agimet dhe perëndimet, pasi një i fortë rruge apo politik një ditë të bukur do hidhte beton brenda në det dhe do të ndërtonte duke zënë pamjen. Ai ishte një shembull sesi do të shkatërrohej natyra. Ndaj nëse ka disa miliona që shpenzohen me hak, ato janë këto 13 që do paguajë qeveria për të zbatuar vendimin e Strasburgut./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*