Ejani zhvendosemi të gjithë në La Palma

Nga Edit Kapcari

I dashur ditar | Dita 9: Madeira – La Palma

Pjesa I

Është dita e parë e Krishtlindjes, kështu quhet në Gjermani dita pas natës së Krishtlindjes. Sa mirë kam fjetur dhe sa gjatë kam fjetur. Që tani e kam me merak si do i përshtatë 8-9 orë gjumë, kur t’i kthehem aktivitetit normal ku dhe puna 8-9-10 orëshe është e përfshirë. Hmmm, ngjan e vështirë. Me siguri do më duhet të ul dozën e gjumit, por kur shoh veten në pasqyrë nuk është se më pëlqen si ide. Pushimet i bëjnë aq mirë lëkurës.

Bëhemi gati për mëngjes e duhet të nxitojmë sepse në 8:30 na pret autobusi që do na dërgojë në parkun nacional Caldera De Taburiente të ishullit La Palma. Marrim dhe ca fruta me vete, sidomos banane, që këtu janë më të shkurtra se ato që importohen zakonisht në Gjermani dhe kanë një shije tjetër që nuk di si të ta shpjegoj. Nuk janë më të ëmbla, por seç kanë një shije freskie.

Ah, merr një çaj, apo kafe më mirë e më lexo, se kjo ditë ka shumë për të treguar.

La Palma, edhe ky një ishull vullkanik, është ndër më të rinjtë e Kanarieve, prandaj dhe ka më shumë gjelbërim e toka më pjellore. Tipike e ishullit janë shtëpitë, kryesisht të bardha me ballkone të drunjtë.

Nuk mungon as një anije, e ankoruar në tokë kësaj radhe, që supozohet të jetë një nga tre anijet që Kolombi përdori në ekspeditën e tij të parë drejt zbulimit të botës. Quhet Santa Maria shkurt (La Santa María de la Inmaculada Concepción) dhe dukej goxha e madhe e simpatike nga afër, po të konsiderosh periudhën e ndërtimit (1460).

Pas një rruge të mirë me autobus, u ngjitëm në një lartësi mbi 2000m nga ku do fillonim ecjen dhe ngjitjen. Grupi ynë prej 20 vetash u nda në dy pjesë që të menaxhohej më lehtësisht dhe secilit na u ofrua një shkop i bërë me dru arre. Guida tha që do na duhej, sidomos gjatë ngjitjes në terrene të tatëpjeta. Këtu dhe guidat u ndanë dhe secili grup filloi rrugëtimin e tij.

Guida jonë quhej Johannes dhe ishte shumë i lezetshëm. Kishte theksin e tij të gjermanishtes, gjuhë e mësuar në një kurs intensiv që kishte bërë në Berlin për 8 muaj. Dhe këtu i njëjti steriotip, një njeri që shpjegonte plot pasion, me këmbë e me duar, llojet e bimëve që rriteshin, gjithçka mbi retë kalimtare, eksperienca me turistë të tjerë, marrëdhëniet e ishullit La Palma me ishujt e tjerë të Kanarieve dhe tek tuk i hidhte ca doza personale tregimit, duke e bërë të gjithin shumë interesant.

Si fillim u sigurua që asnjëri nga ne nuk ishte në këtë ishull rastësisht. “Më ka ndodhur të takoj turistë që kishin prenotuar pushimet e tyre gabim. Ka njerëz që nuk e kuptojnë se La Palma, Palma de Mallorca e Las Palmas, nuk janë e njëjta gjë. Duan të kalojnë 10 ditë në Mallorca e mbijnë papritmas këtu.”

Pa pritur që ne të përfundonim së qeshuri, filloi orën e biologjisë. “Do shikoni që në këtë pjesë të parkut ka shumë pemë të larta, arsyeja janë retë kalimtare. Çdo e mirë e këtij ishulli i atribuohet këtyre reve. Ata vijnë dhe për shkak të maleve të larta, qëndrojnë, duke ofruar lagështirën që i duhet bimësisë për t’u rritur. Prandaj dhe ka kaq shumë dafinë. Afrohuni t’ju tregoj se cila përdoret për gatim e cila jo”.

E na tregoi që nëse pas një gërvishtjeje të lehtë në gjethen e dafinës formohen ca gropëza të vogla në mes të saj, kjo do të thotë që ajo është e ngrënshme. “Se kuptoj fare dembelizmin e njerëzve sot. Në vend që të vijnë këtu, të bëjnë një xhiro në ajër të freskët, zhytur në këtë gjelbërim fantastik, të mbledhin degë dafine e të gatuajnë gjëra të shijshme në shtëpi, hapin derën e shtëpisë, bëjnë 3-4 hapa dhe e blejnë për 2 euro në treg. Ku ka më bukur se t’i mbledhësh gjërat vetë e të bësh dhe pak sport me atë rast?”. E fitoi një pikë Johannesi, edhe unë e mendoj njësoj si ai.

“Këtu rriten bimët shumë shpejt, e pabesueshme sa ajër çudibërës po thithni tani. Unë në fakt jetoj më afër detit, në një qytezë jo malore. Atje ka shumë diell e jo kaq gjelbërim, freski e shi sa këtu, prandaj dhe më pëlqen që për shkak të punës, me duhet të vij këtu pothuajse çdo ditë.

Por në ishull 30km rrugë në ditë janë përtesë e madhe. I them babait sot në mëngjes, hajde me mua në Santa Cruz, pimë një kafe e pastaj shkojmë bashkë me turistët e mi në park. Eja, bëj diçka ndryshe sot. Ai më sheh shtrembër e më kthehet: Je i çmendur? Të udhëtoj më shumë se 30km për një kafe? Ju në Gjermani me siguri kaq rrugë e bëni çdo ditë për të vajtur në punë”.

E drejtë! Në Gjermani kam vënë re që vendasit mundohen t’i shmangin sa më shume metropolet, apo qendrat e zhurmshme, sidomos kur krijojnë familje, apo kur duan të kenë shtëpitë e tyre private. Është më se normale të udhëtosh 40-50km çdo ditë për të vajtur në punë. Unë si pasagjere e shijoj këtë kohë sepse mëngjeseve, gjatë rrugës për në punët respektove, flasim mbi gjërat që do bëjmë, bëjmë planet e fundjavës dhe kur kthehemi në shtëpi, muhabete të tipit, si ia kalove sot në punë, të cilat konsumohen rrugës. Por sigurisht kuptoj shumë mirë dhe komoditetin e të jetuarit shumë afër me punën, supermarketet, qendrën e qytetit etj. Sidoqoftë, unë jam më shumë tipi i të jetuarit në qytezë, fshat, apo qendër shumë të vogël banimi, afër natyrës e larg urbanizimit.

U ngjitem 450m. Në majë, Johannes merr shkopin e njërit nga ne dhe vizaton ishujt Kanarie. Na shpjegon se si lëvizin retë kalimtare, cili ishull është më i vjetër, pse Fuerteventura ka gjasa të zhduket (qetësohu ditar i dashur, kjo do ndodhë në qindra mijëra vjet), si e ndihmuan Kolombin retë kalimtare që të zbulonte kontinentin amerikan, se si në vijë paralele shteti më i afërt amerikan ishte Florida, pse këto ishuj ishin pikë strategjike lidhëse në rrugë ujorë të Amerikës me Evropën. Nga kjo pikë shikonim majën më të lartë të Kanarieve, Teide, që ndodhej në ishullin e Tenerifes. Atje do shkojmë nesër.

Sa ndjesi e mirë është kur po përjeton një ditë fantastike e kur e mendon të nesërmen që do jetë njësoj. Nuk e di a duhet ta presësh gjithë qejf, apo të ndalesh e të shijosh të sotmen. Çfarë të shijosh më parë!

Edhe zbritja ishte interesante. Pamë të tjera bimësi në zbritje, pemë avokadoje të mëdha sa një pemë arre, lulja e Krishtlindjes këtu ishte pemë. Vizituam dhe një fshat të vogël të quajtur San Bartolome, me një pijetore të vogël me pije tipike. Pije tipike në ishull ishte Cortado de Leche y leche (kafe e shkurtër me qumësht të ëmbël të kondensuar dhe qumësht normal), ndërkohë unë porosita një birrë.

Goca që qëndronte në banak quhej Albani. “Hej Albani, kjo goca me flokët kaçurrela vjen nga Shqipëria (Albania)” – dëgjoj të thërrasë Johannes. Ndërkohë ai e dinte prejardhjen time sepse bashkëshorti im po i tregonte pse gjithë shqiptarët flasin spanjisht. Për më tepër e dinte ku shtrihej Shqipëria. “Ti je shqiptarë? Ua, shumë interesante. Mesa duket gjithë Ballkani flet spanjisht. Një shoqe e imja kroate më habiti kur më tha që e kishte mësuar nga TV. Si mund të mësosh një gjuhë nga TV?”. “Unë e kam këshillë për këdo që do të mësojë një gjuhë të re” – i them. “Ashtu kemi mësuar italishten e më pas spanjishten. Dhe me të njëjtën filozofi po përmirësoj tani gjermanishten, duke parë seriale. Funksionon mrekullisht!”.

Dhe ti ditar i dashur, po deshe të mësosh a përmirësosh një gjuhë të re, sa më shumë seriale, këngë, audiobooks në atë gjuhë. Vendosi në sfond ndërkohë që po merresh me diçka tjetër. Do shikosh që disa struktura fjalish do të të nguliten në kokë dhe kur gjuhën po e dëgjon në mënyrë të pandërgjegjshme.

Nga San Bartolome kishte një pikë të lartë shikimi (Mirador në spanjisht), rreth 5 minuta spanjolle (term që Johannes e përdorte gjithë kohës, normalisht minutat spanjolle i bie të ishin më të shkurta se ato gjermane, sipas tij) larg pijetores, nga ku mund të shikoje se si ndërthureshin oqeani me pyjet dhe me zonat e banuara. Pamja ishte aq e bukur sa u harruam duke bërë foto. “Oh dreqin, duhet të ikim” – thërret bashkëshorti. E zbritëm maloren me vrap, ndërkohë poshtë po na priste Johannes me dorën në bel e me buzën në gaz. “Do e shikoni kur të futemi në autobus si do ankohen. Sidomos kur të shohin që jeni të rinj. Gjithmonë këta të rinjtë vonohen.” – tha duke shpotitur turistët më të mëdhenj në moshë. Unë nga ana tjetër po falënderoja punën në palestër këto kohë, ku kam filluar të vrapoj rregullisht. Zbritja ishte goxha e pjerrët, por as kisha probleme me frymëmarrjen e as lodhje.

Rrugës për në qytetin e Santa Cruz, ku dhe anija jone ishte ankoruar, shoh disa plazhe të vogla.

“Do shkojmë në anije, do veshim rrobat e banjës e do lahemi” – i them bashkëshortit.

“Është ftohtë, në 20 gradë do lahesh?”

“Nesër mund të jetë më ftohtë dhe nesër është mundësia ime e fundit në këtë udhëtim, që të lahem në oqean”.

“Të shohim, por se besoj se do lahesh dot.”/dritare.net

… (vijon nesër)

 

Edit Kapcari 

Instagram: https://goo.gl/kDZJuw

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*