Si e fitoi Shqipëria luftën kundër ISIS-it

Nga Flogert Muca

Ishte 5 qershori i 2015, kur në të gjithë mediat shqiptare qarkulloi për herë të parë një video në shqip e Shtetit Islamik që kërcënonte me sulme terroriste Shqipërinë dhe trojet e tjera etnike.

Në atë moment, sipas të dhënave të Shërbimit Informativ Shtetëror, 140 shqiptarë i ishin bashkuar në total Shtetit Islamik dhe kishte arsye reale për të qenë të shqetësuar.

Megjithatë, ajo video përkoi gjithashtu me një pikënisje të një qasje të re të shtetit shqiptar ndaj fenomenit të luftëtarëve të huaj e si rezultat, në dy vitet e fundit, numri i shqiptarëve që i janë bashkuar organizatave terroriste ka rënë në zero.

Por, si e fitoi shteti shqiptar luftën kundër terrorizmit? Përgjigja është komplekse dhe lidhet me disa hapa të ndërmarra paralelisht brenda vendit dhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Për të luftuar këtë fenomen të ri, për herë të parë në vitin 2015, Shqipëria aprovoi një strategji dhe plan veprimi kombëtar për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Kosova përshtati të njëjtin plan një vit më vonë. Kjo strategji e gjithanshme hodhi edhe bazat e një bashkëpunimi më të thellë me agjensitë ligjzbatuese dhe me agjensitë e inteligjencës së vendeve të NATO-s.

Megjithatë, ajo nuk u ndal vetëm në bashkëpunimin e fushës së inteligjencës.

Një vit më vonë, në 2016-n, për herë të parë u zgjodh një koordinator kombëtar për çështjet e ekstremizmit të dhunshëm, i cili do të koordinojë kryesisht aktivitetet e luftës kundër terrorizmit në fushën e edukimit dhe në sfërën sociale.

Si i tillë, koordinatori bashkërendon aktivitetin e komuniteteve lokale, mësuesve dhe përfaqësuesve të tjerë të shtetit, me qëllim çrrënjosjen e këtij fenomeni.

Zgjedhja e koordinatorit parapriu themelimin e qendrës koordinuese të ekstremizmit të dhunshëm, përmes një VKM në shkurt 2017. Qendra nisi nga puna duke nisur nga 1 janari 2018.

Gjatë këtij viti, fokusi i kësaj qendre do të jetë i lidhur me zbatimin e një projekti mbarëkombëtar në të gjitha shkollat në rang vendi dhe në sistemin parauniversitar, ku fëmijëve do t’i mësohet se si do të identifikojnë, si të luftojnë dhe si t’i shmangen radikalizimit të mundshëm nga individë me pikëpamje radikale.

Një plan i tillë ka nisur të zbatohet me sukses edhe në një numër vendesh perëndimore, përfshi Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Australinë, etj./d.m-lexo.al

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*