
Një postim i publikuar nga Elon Musk në platformën e tij sociale X ka ndezur polemika të reja në arenën ndërkombëtare. “BE-ja duhet të shfuqizohet dhe sovraniteti t’u kthehet vendeve individuale, në mënyrë që qeveritë të përfaqësojnë më mirë popujt e tyre”, ka shkruar Musk, në një mesazh që po interpretohet si një sinjal i qartë politik në raport me të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Deklarata vjen në një moment delikat për marrëdhëniet transatlantike, menjëherë pas publikimit të Strategjisë së re për Sigurinë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, dokument i cili, sipas shumë analistëve, përmban tone kritike ndaj Evropës dhe thekson nevojën për mbrojtjen e “karakterit dhe historisë individuale të kombeve evropiane”.
Sipas vëzhguesve politikë, mesazhi i Musk shihet si një pasqyrim i një qasjeje më të gjerë të Uashingtonit, e cila synon riformatimin e ekuilibrave politikë në kontinentin evropian. Qëndrimi i tij ka ngjallur reagime të shumta, si mbështetje ashtu edhe kritika, duke rihapur debatin mbi sovranitetin kombëtar dhe të ardhmen e projektit evropian.
Debati pritet të intensifikohet në ditët në vijim, teksa institucionet evropiane dhe liderët e vendeve anëtare pritet të reagojnë zyrtarisht ndaj kësaj deklarate./K.C/dritare.net