Nga Dritan Hila
Shpesh herë terri informativ që mbulon një luftë është i mirë por jo pak herë edhe negativ.
I tillë ishte edhe mbulimi mediatik i fillimit të luftës në Ukrainë. Jo pak shqiptarë shikonin në sulmin e Rusisë një lloj të drejte që ajo kishte, e lidhur me shumë faktorë, sikurse kundër argumentet e palës filo-ukrainase mbështesnin ngjyrën për të cilën bënin tifo. Dhe secila me argumentet e saj.
Por besoj se çdo shqiptar me pak ndjenjë kombëtare do tërhiqej nga mirëkuptimi që ka për luftën e Rusisë, nëse do të dëgjonte të plotë fjalimin e Vladimir Putin ditën që i shpalli luftë Ukrainës.
Argumenti i parë i Putinit, ai që justifikonte sulmin mbi Ukrainë, nuk ishte as ndërhyrja në Irak, Afganistan apo Libi. Ishte pikërisht Kosova. Ishte ndërhyrja e NATO-s në Kosovë. Dhe këtë nuk e bënte aspak nga pozicioni justifikues se meqë perëndimi ndërhyri në Kosovë për të mbrojtur një popull nga genoncidi, edhe ai duhej të mbronte rusët në Krime dhe Donbas. Aspak. Vladimir Putin e cilësonte Kosovën si shembull të sulmit të perëndimit drejt lindjes, si shembull të cenimit të sovranitetit të një shteti (Serbia); si shkelje të së drejtës ndërkombëtare (a thua se ai në Ukrainë po dhuronte toka), si një sulm që kërcënonte hapësirën e tij mbrojtëse dhe si prelud të shtrirjen së NATO-s edhe në hapësirat e lindjes (Shqipërinë të parën).
Asgjë logjikë në fjalimin e tij por mjaftueshëm antishqiptare si dëshmi se Kremlini tashmë e konsideron hapësirën shqiptare si një hapësirë armiqësore dhe kundër interesave të tij.
Dhe nga ky aspekt, nuk na mbetet veçse që të ndajmë mendjen. Duke filluar nga lufta në Ukrainë.
Luftërat në vetvete nuk janë morale, përjashto atë të Kosovës dhe pastaj luftërat për çlirim. Por me hir apo pahir, shqiptarët kanë hyrë në lojën e madhe. Ata janë pjesë e bllokut perëndimor që ka interesat e veta në botë. Dhe si të vegjël dhe pa të drejtë shkrimi në librin e madh të historisë botërore, nuk na mbetet veçse t’i shkojmë pas lojës së të mëdhenjve.
Interesi i dytë është akoma më racional. Lufta e ukrainasve po e shkrin fuqinë ruse. Ukrainasit dita ditës po tregojnë se Ushtria e Kuqe nuk është më ajo e dikurshmja por vetëm forca e armatosur e një fuqie të mesme rajonale. Sa më gjatë të rropatet ajo fushave dhe qyteteve të Ukrainës, sa më shumë të bjerret miti i saj, sa më të mëdha humbjet e saj, aq më të pakta ndikimet e Rusisë në gjeopolitikën e jashtme dhe aq më të pambrojtur do të ndihen aleatët e Rusisë nëpër botë.
Edhe në u pushtoftë Ukraina nesër, lufta e atyshme do implikojë resurse të mëdha të Rusisë, ç’ka do ta bëjë të pamundur që të merret me luftëra apo interesa strategjike. Ndaj kjo luftë na intereson në planin strategjik edhe ne.
Shumë prej nesh citojnë faktin që nuk kemi pse bëjmë tifo për Ukrainën pasi ajo dikur ka ndihmuar sllavët. Me këtë logjikë as ne nuk duhet të na kishin futur në NATO pasi dikur kemi qenë në Traktatin e Varshavës. Politikat dhe rreshtimet ndryshojnë. Vetëm budallenjtë nuk e bëjnë.
Ndaj sot ne si shqiptarë na intereson të jemi në krahun e Ukrainës. Pastaj sa moral ka në këtë luftë, kush bën më shumë fake news, kush përdor më mirë rrjetet sociale, atëherë kjo është çështje e cila quhet mjegull e luftës e cila shpesh nuk sqarohet as me kalimin e shekujve./dritare.net