Nga Dritan Hila
Vendosja e statujës së Mbretëreshës Geraldinë në Bulevardin Zogu i I-rë ka ngjallur zhurmërim në atë pjesë të popullatës që është antizogiste dhe të majtëve në përgjithësi.
82 vjet pasi i shoqi i Geraldinës pushoi së ushtruari pushtetin real të tij do të kishin mjaftuar që shqiptarët të shikonin me një sy më të qetë historinë e tyre, duke i vënë në peshoren reale anët e ndritura dhe të errëta të Ahmet Zogut dhe anën e dhunshme dhe progresive të pushtetit të tij.
Por në Shqipëri inati është i gjatë, sidomos kur nuk paguhet gjë.
Por e shoqja e tij, Geraldina, nuk ka qenë një personazh që mund të ngjallte urrejtje. Në ato pak dalje të saj ne kemi parë një të moshuar të qeshur dhe të qetë e cila nuk përcillte mesazhe konfliktuale.
Shqipëria është në vetvete ende një vend i varfër me monumente, statuja apo qoftë buste për heronjtë e saj. Aq më pak ka për gratë me emër, të cilat janë të pakta në një vend maskilist si ky yni. Dhe në mes tyre vendi ynë ka pasur gra më domethënëse në historinë e tij, duke nisur nga Donika Kastrioti e më vonë veprimtare të pavarësisë, shkrimtare, politikane e luftëtare. Veç statujat e tyre numërohen me gishtat e duarve.
Gjithsesi monumenti i Geraldinës nuk ofendon as historinë tonë dhe as ndjenjat e shqiptarëve.
Por çfarë e shtyu shtetin shqiptar të bëjë monumentin e saj?
Më shumë sesa ndjenjat artistike, këtu hyn në punë diplomacia.
Para disa vitesh u tund opinioni publik shqiptar për një memorial me emrat e turqve të vrarë në grushtin e shtetit kundër Erdogan. Sot është harruar se ku është dhe e kanë mbuluar barërat. Por shërbeu për të kënaqur egon e drejtuesit të një shteti që është aleat strategjik yni.
Edhe Hungaria ka qenë dhe është një aleat historik i shqiptarëve dhe një kundërbalancë ndaj sllavëve të jugut që ndodhen mes nesh dhe Hungarisë. Një monument i një shtetaseje fisnike hungareze, është edhe një kujtesë për historinë që na lidh. Ndaj edhe ishte prezent një zëvendësministër hungarez, në vend të ambasadorit të tyre në Tiranë, siç ndodh zakonisht në këto raste.
Gjithsesi të paktën këtë radhë opozita nuk mori yrysh e ta quante monumentin si lidhje mes autokratit Orban dhe neokomunistit Rama. Siç duket janë kujtuar se po të jetë për antikomunizëm, hungarezët janë më të thekur se gjithë lindorët që nga viti ‘56./dritare.net