Nga Dritan Hila
Ka një lloj pompimi nga ana e opozitarëve se zgjedhjet e pjesshme lokale janë një test për Shqipërinë.
Është një lloj ngatërrese e qëllimshme nisur nga fakti që në Shqipëri rezultati i lokaleve të përgjithshme ka treguar trendin sesi është humori i elektoratit dhe si do të shkojë rezultati te të përgjithshmet.
Por kjo nuk është edhe për zgjedhjet e pjesshme, sado të shpërndara gjeografikisht të jenë ato. Në përgjithësi zgjedhjet e pjesshme gjithmonë i ka fituar ai që ka pushtetin qendror.
Sivjet në mars nuk do jetë ndonjë çudi që opozita të fitojë Shkodrën, për shkak të diferencës së madhe që ka me socialistët, çka nuk ndikon përçarja. Mbase edhe Vorën për shkak të qënies më shumë një fshat i madh sesa qytet. E megjithatë edhe këto fitore janë të dyshimta, pasi ende nuk dihet sa e madhe është përçarja e opozitës në bazë dhe motivimi i elektoratit të saj të dalë në votime.
Kurse për qarqet e tjera, e majta i ka fituar edhe në kushte të tjera. Ndaj vështirë të ketë ndonjë surprizë.
A do të kemi këto zgjedhje një tregues sesi do të shkojnë zgjedhjet lokale të 2023-it dhe të përgjithshmet e 2025-ës?
Zor se janë një tregues, pasi nuk ngjan që socialistët e kanë bërë qejfin qeder për marsin. Ngjan ajo situata e zgjedhjeve lokale të 2019-ës kur vetëm 20% e elektoratit doli në votime dhe demokratët u zalisën duke thënë që 80% e shqiptarëve i refuzuan socialistët, duke futur në hesap edhe 50% të shqiptarëve që kanë ikur. Për të ngrënë pastaj, si asnjëherë tjetër, golin e tretë në zgjedhjet e prillit që shkoi./dritare.net