
Mandat arresti për Putinin dhe pasojat që vijnë pas kësaj!

Dritan Hila
Në rubrikën “Komenti i ditës”, gazetari Dritan Hila foli për mandat-arrestin e lëshuar ndaj presidentit të Rusisë Vladimir Putin, nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës. Sipas gazetarit ky është një moment ku Rusia ose duhet të dorëzohet, ose ta vazhdojë luftën deri në vdekje me Ukrainën. Gazetari komentoi vizitën e fundit të presidentit të Kinës, Xi Jinping në Moskë, ndërsa u shpreh se vetë Kina ka interes që lufta Rusi-Ukrainë të vazhdojë.
"Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës ka nxjerrë një mandat arresti ndërkombëtar për shefin e Kremlinit, presidentin e Rusisë Vladimir Putin dhe për një nëpunëse të tij. Ata akuzohen për trafik fëmijësh, rrëmbim me forcë të tyre dhe dërgimin në qendra pritëse ku dhe adoptohen. Është një ndër krimet e luftës për të cilat Ukraina akuzon Rusinë që ka kryer gjatë kësaj lufte. 71 mijë pretendon Ukraina. Pavarësisht se sa të sakta janë këto të dhëna dhe sa të vlefshme janë nga pikëpamja juridike këto kanë më tepër veprim dhe pasoja politike. Shpallja e Putinit person në kërkim për krime lufte është në fakt një deadline, që vendoset që mos ketë bisedime paqeje me Rusinë. Është një hap i ndërmarrë më parë edhe ndaj shteteve më të vogla. Por nuk kishte ndodhur kurrë që në një pozicion të tillë, ndaj presidentit të Rusisë, një ndër 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, i fuqisë së parë botërore përsa i përket fuqisë bërthamore, por edhe një nga fuqitë më të mëdha të globit dhe shteti më i madh përsa i përket sipërfaqes së tij. Ky zhvillim tregon që mbas kësaj do te jetë shumë e vështirë zhvillimi i bisedimeve të paqes me Rusinë. Vetëm nëse ndodh që Putin ndërrohet, pra rrëzohet. Mund të jetë edhe një lloj goditje që kanë bërë perëndimorët me synimin që Putini mos jetë më, dhe elita ushtarake dhe ekonomike ruse të mendojë që duhet të lëvizë Putinin nëse duan t’i japin fund kësaj lufte. A është e mundur kjo? Është pak e vështirë në shtetet autokratike sidomos në Rusi ku Putini vjen nga aparati i shërbimeve sekrete dhe janë ato që përfaqësojnë fuqinë okulte të Rusisë. Është pak e vështirë në një kohe që Rusia kontrollohet nga Putini dhe dy figurat kryesore të saj, nga Rasimov dhe Shoigu, të cilët nuk paraqesin ndonjë peshë politike të tillë që të mund të rrezikojë Putinin. Partitë parlamentare nëse dikur kishim pasur një lloj pluralizmi duke llogaritur që ishte Zhirinovski që vdiq në kohen e Covid-19, pastaj ishte Partia Komuniste, pesha elektorale e të cilës ka rënë në mënyrë të ndjeshme dhe madje lideri i saj bëri thirrje që ne duhet të përkrahim presidentin e Rusisë në këto momente lufte. Pra jemi në një moment që duket si një rrugë pa kthim. Një moment ku Rusia ose duhet të dorëzohet, ose ta vazhdojë luftën deri në vdekje. Është vendosur në mënyrë që të ngacmohet elita e brendshme e Rusisë. Mirëpo nuk e di se sa informacion kanë pasur këta të gjykatës qe e kanë bërë shpalljen e mandatit, sepse të jemi të bindur që gjykatësit e prokurorët nuk veprojnë sipas mendjes së tyre dhe të lëshojnë mandat-arreste që trazojnë botën, që e çojnë botën në një konflikt shumë afër atij bërthamor. Kanë pasur rekomandime. Nuk dihet nëse shërbimet sekrete kanë një informacion se është gati një grusht shteti kundër Putinit dhe pritet një shkëndijë. Nga analizat e jashtme duket se pushteti i Putinit është solid. Synimi është me siguri që përveç palës ruse, t’i japë një bindje edhe palës ukrainase dhe aleatëve të tyre, që në ketë rast janë perëndimorët, që lufta do të jetë deri në fishekun e fundit. Ky është një lajm i mirë për ukrainasit, por një lajm që nuk është pritur me entuziazëm në shumë nga këto vende perëndimore, të cilat sido që të përfundojë lufta, kanë për të qenë në një moment politik, diplomatik, ku nuk do të kenë mundësi të zhvillojnë bisedime me Putinin. Kjo forcon pozitën e SHBA-ve, në Evropë, kompakson radhët e Evropës, zhdekurajon çdo personazh i cili deri vonë ka qenë ambig sa i takon marrëdhënieve me Putinin, përmend këtu kryeministrin e Hungarisë, Orban, i cili njihet për qëndrimet e tij të lëkundura, edhe vende të tjera ish-sllave, përjashto Poloninë, e cila është një nga armiqtë me të egër të Rusisë. Jemi në një situatë ku konflikti rëndohet akoma më tepër, sepse palët tashmë po shkojnë drejt asaj që quhet pike pa kthim. Ndërkohë kemi një vizitë të presidentin kinez në Rusi. Është një kthim i vizitës që i ka bërë Putini më përpara, ku me siguri do të diskutohen për të ardhmen e këtij konflikti dhe të marrëdhënieve dypalëshe.
Natyrisht që nuk di të diskutohet plani për paqe me 12 pika i paraqitur nga kinezët, sepse tashmë edhe vetë Kina nuk është e interesuar për paqe. Por edhe për faktin që SHBA-të nuk do të pranonin kurrë që Kina të hynte dhe të bëhej një fuqi evropiane qe vendoste paqen midis dy shteteve evropiane. Edhe vetë kinezët e dinë shumë mire që ky është një plan i vdekur. Është një plan që as vetë ata nuk do të donin të jetësohej. Shpallja e Putinit si person i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës nga pikëpamja praktike për momentin nuk mund të realizohet, sepse Rusia vetë nuk e njeh këtë gjykatë, as Kina, madje edhe SHBA-të. Por është një akt simbolik i cili e hedh akoma më tepër Rusinë në krahët e Kinës. Momentalisht Kina po furnizon me pjesë Rusinë, me dronë, pjesë elektronike për montimin e armëve të ndryshme në territorin rus që po përdoren në luftën në Ukrainë. Kina po blen gaz nga Rusia me çmime të ulta, në krahasim me tregun botëror dhe kuptohet që kjo luftë, që Kinës i intereson të vazhdojë gjatë, i lidh akoma më tepër dy vendet, duke e kthyer Rusë në nje shtet vasal, ose gjusmëvasal të Kinës. Tashmë një Rusi e cila nuk ka më mundësi që të marrë fjalën e fundit të teknologjisë perëndimore për industrinë e saj, po do jetë e detyruar që ta marrë me spond nga Kina, dhe ajo do t’i japë Rusisë atë që mendon ajo që mund t’i japë por jo fjalën e fundit. Një Rusi e cila dikur ishte furnizuesja e Kinës me teknologji ushtarake, me teknologjinë për tanket, për avionë, për anije e deri për aeroplanmbajtëse ka ndërruar rolet me Kinën. Putini ka zgjedhur rrugën e Azisë. I mbylli rrugët me Evropën dhe ky mandat ndërkombëtar arresti është një mandet më tepër për Rusinë. Vazhdimi pritet të ndodhë më pranverë, ku kemi mbarimin e ngricave. Do vijë vera, ku Rusia pritet të hedhë rreth 1 milion ushtarë në front dhe armatimin e saj më të fundit, përdorimin e aviacionit i cili deri vonë, ka qenë përdorur në mënyrë sporadike, jo për shkak të superioritetit në ajër të Ukrainës, por për shkak se teknika e luftës, e rusëve ka qenë e tillë deri në këtë moment. Mirëpo futja e aviacionit bën që të jenë më efektive edhe tanket. Dhe pa mbulim nga këmbësoria, janë thjesht objektiva që një helikopter luftarak, ose aligator mund të eliminojë 5 të tillë brenda 10 minutash, të paktën këtë thonë ekspertët ushtarakë. Ose anasjelltas, rusët dhe ukrainasit mund të eliminojnë tanket pa mbulim ajror. Pra ky do të jetë një zhvillim i ri i luftës dhe mandati për Putinin pritet që ta bëjë këtë luftë akoma më vdekjeprurëse.”, tha gazetari Hila në rubrikën “Komenti i ditës” në DritareTv./K.C/dritare.net

















