Na ndiqni edhe në

Editorial

Një elegji për Dorian Mihalin, një mjek!

Një elegji për Dorian Mihalin, një mjek!

Nga Dritan Hila

Të shkruash për miqtë që ndahen nga kjo botë është gjithmonë e vështirë pasi fjalët janë të varfëra e klishe dhe nuk thonë asgjë për atë ç’ka njeriu që po ndahet nga kjo botë, përfaqëson për ty.
Dorian Mihali është një mik i imi. Do të flas gjithmonë në të tashmen për të, pasi nuk dua t’i them lamtumirë.
Mesazhin e fundit e shkëmbyem para një jave. E pyeta si është, pasi dy muaj më parë më kishte thënë që kishte mbaruar kemioterapinë, dhe rifilluar punën, për shkak se në fillim të vitit ishte diagnostikuar me tumor në veshka. Me shkrim të pasaktë, më thoshte se ishte gati i paralizuar dhe po i fillonin kurën paliative.

Doriani e di se çfarë do të thotë kjo! Ai është mjek onkolog i specializuar pikërisht në trajtimin me kura kundër dhimbjes së njerëzve terminalë. I thashë që pas disa ditësh do të vij në Milano bashkë me familjen; që do ta merrja hopa dhe shkonim në restorante si dikur dhe, do të shikonte sa ishte rritur vajza ime. Më nisi dy puthje të cilat nuk dua t’i marr si lamtumirë. Mund t’ia hidhja gjithkujt duke e gënjyer me shpresë, por jo atij.


Dorian Mihali është brezi i tretë i dinastisë se mjekëve në familjen e tij. Gjyshi i tij, Ali Mihali është themeluesi i psikiatrisë shqiptare. Në nderin e tij mban emrin edhe spitali psikiatrik i Vlorës. Aliu ishte mjek i armatës otomane që në luftërat ballkanike, mbronte Shkupin. Pas humbjes së luftës, ai u vendos në Vlorë ku hapi edhe spitalin e parë. Dori tregonte që sa herë qeveria e mbretërisë i vononte fondet, doktor Aliu e kthente portretin e Zogut me kokë poshtë. Mbreti ia kishte kuptuar mesazhet dhe sa herë prefekti i thoshte që Aliu të ka kthyer me kokë poshtë, i niste para për spitalin.

Një elegji për Dorian Mihalin, një mjek!

Babai i Dorit, Mehmeti, ishte mjek. Vetë Dori u shkollua si i tillë, për të filluar karierën si mjek fshati.
Do të vinte viti ‘90 kur hapja e kufijve do të sillte edhe eksodin e madh të shqiptarëve. Mes të ikurve ishte edhe Dori me bashkëshorten e tij, Selmën dhe djalin kërthi, Edgarin. Të fillosh jetën nga e para në moshën 39 vjeçare, moshë kur një profesionist italian e ka kaluar provën e zjarrit dhe shijon kënaqësitë e pozitës sociale, është e vështirë të imagjinohet. Por kjo nuk vlen për shqiptarët e hekurt. Bashkë me Selmën, të dy mbrojtën titullin e mjekut.

Më pas, jeta e tij është ajo e çdo ambasadori të Hipokratit ku në Itali qenia mjek shoqërohet edhe me kujdesin dhe qasjen kristiane ndaj pacientit.
Dorin asnjëherë nuk e mërzitën shqiptarët, megjithëse në rrëmujat e ‘91-‘92 i kishin zënë shtëpinë dhe një ditë të bukur kur erdhi vizitë në atdhe, e gjeti veten pa shtëpi.


Janë disa mjekë shqiptarë jashtë që bëjnë të pamundurën për bashkëatdhetarët e tyre, herë sipas rregullave të sistemit dhe herë duke e tribluar atë. Është fat që edhe italianët mbyllin një sy dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë. Pasi është një vend ku jeta e njeriut është mbi çdo ligj. Një ndër këta ëngjëj mbi tokë është edhe Dorian Mihali.
Në lavdinë kalimtare të kësaj bote, mjekët kanë privilegjin që emri i tyre transmetohet më gjatë sesa paratë dhe pushteti: kanë mirënjohjen e brezave. E ndaj, më shumë se askund, tek mjekët, mer kuptim proverba kineze se “Një njeri është i gjallë aq sa ai kujtohet”. Ndaj për Dorin nuk ka kuptim fjala ishte, por është./dritare.net