Na ndiqni edhe në

Editorial

Çfarë po u bëjmë prindërve tanë! Nga Rudina Xhunga

Çfarë po u bëjmë prindërve tanë! Nga Rudina

Nga Rudina Xhunga

U mundova të mos prekem, sepse dua të flas, jo të shpreh emocionet e mia, për këtë ngjarje kaq dëshpëruese. Sepse të rënda ngjarje kemi parë plot, por kjo është dëshpëruese. Ky është reagim ndaj një të pambrojture, dy herë e pambrojtur. Sepse është e moshuar dhe e sëmurë. Ne kemi prindërit tanë, dhe e mendojmë herë pas here, si do ia bëjmë, me pleqërinë dhe problemet që sjell ajo, sepse jemi të rrethuar nga puna, nga një jetë shumë e vrullshme që të merr me vete dhe të bën të ndryshosh qytetin, shtetin dhe prindërit nuk di ku t’i lësh, se të ngjajnë barrë. Mendon po i lë në një azil, në një shtëpi të kujdesit, por shiko çfarë iu bëjnë aty. Një nëne që fëmijën e saj e ka lënë dëshmor në luftë me serbët, të tjera nëna i që kanë humbur fëmijët në emigracion, shiko çfarë iu ndodh.

Shqipëria e 30 vjetëve, Kosova e këtyre viteve, është e shkatërruar nga varfëria, nga kërkimi i identitetit. Të rinjtë janë në kërkim të vetes nëpër botë dhe prindërit i kanë lënë pas. Një prej arsyeve nuk është mungesa e dashurisë, por mungesa e mundësive për të mbijetuar. Por sot të gjithë kudo, në Tiranë, Prishtinë, në Pejë ku ndodhi ngjarja e tmerrshme, po flasin për këto vajza qelbësira. Kaq dhe nuk dua të flas për to. Me to duhet të merret drejtësia. Pleqëria dhe sëmundja është diçka që do të ndodhë, do të vijë një ditë për të gjithë. Ti po qëllon veten tënde. Ajo ditë do të vijë edhe për ty.

Për ata që më ndjekin veçanërisht nga diaspora, dhe prindërit i kanë lënë këtu, që ju vdesin se harrojnë sobën hapur, ju vdesin të karbonizuar, ju vdesin nga vetmia, ju vdesin nga demenca, thjesht ju vdesin, pa folur e ankuar. Dhe ne themi; kjo është jeta. Por nuk është kështu. Jeta e këtyre njerëzve që e kanë lënë jetën peng për të rritur fëmijë, nuk e meritojnë ikin kështu! Pa folur dhe kur i rrahin. Nuk e meritojnë të vdesin azileve me kushte skandaloze. Ku njerëzit paguajnë. Nuk japin pensionin, por trefishin e pensionit.

Këta njerëz që po trajtohen në këtë mënyrë nuk kanë pension. Ime më, një ish-mësuese e nderuar nuk ka pension dinjitoz. Nuk jeton dot me pensionin e saj, Ajo nuk ka pension të paguante azilin e saj nëse një ditë do të shkonte .

Dhe po të shkonte dhe ta trajtonin në këtë mënyrë, si do të jetoja unë?

Kjo është pyetja që duhet t’i bëjmë sot vetes. Si do të jetojmë ne, si do të vazhdojmë të flasim për politikë, kur politikat tona janë të pandjeshme, së pari për atë që nuk mundet, që është i moshuar, i sëmurë, fëmijë me nevojë për kujdes të veçantë. Kur prindërit tanë po trajtohen në këtë mënyrë dhe ne flasim për satelitë e instalacione. Nuk mund të gënjejmë më veten. Kjo është e pandershme, e padrejtë. Ne duhet të flasim me empati, me dhembshuri, ne duhet të flasim për njeriun. Mjaft gënjyem veten! /dritare.net