Na ndiqni edhe në

Editorial

Sezoni i ri, Rudina Xhunga: Bashkohu dhe ti në Dritare TV!

Sezoni i ri,  Rudina Xhunga: Bashkohu dhe ti në Dritare TV!

Nga Rudina Xhunga

Sot nisim sezonin e ri në Dritare. Por nuk e nisim si sezonin e shkuar me 1 milionë ndjekës. Brenda një sezoni jemi 20 milionë ndjekës, 20 herë më shumë. Dhe jam e sigurt se në fund të vitit do të kemi arritur të tjera shifra. Kjo është falë faktit që ndjekësit po na bashkohen duke na ndjekur, si të ftuar përmes rrëfimeve dhe historive dhe kjo ne na bën të lumtur. Na bën të lumtur sepse e ndjejmë që jemi të besueshëm. Jemi real, si tani, unë jam në Gjirokastër direkt në Lajmet e Dritare TV, për të treguar që qyteti që kemi treguar në një video “Po ke thënë Gjirokastër i ke thënë të tëra”, në fakt nuk i ke thënë të tëra. Të tëra janë për t’u treguar nga ky qytet, për këto dyer e dritare që janë hapur dhe unë me zor gjeta një vend pa zhurmë e pa muzikë, për të bërë këtë video.

Këtë do të bëjmë edhe në këtë sezon, do të themi të tëra ato që nuk kemi thënë, do të tregojmë çfarë ndodh në qytetet shqiptare, në fshatrat shqiptare, me historitë shqiptare sepse këtë bën Dritare TV, tregon histori. Asnjë vend nuk mund të ekzistojë pa treguar histori. Ose më saktë, si ekziston por po nuk tregove historinë e tij të tjerët nuk do ta marrin vesh që ti ekziston. Këtë bëjmë ne në Dritare TV, shohim vende të bukura, dëgjojmë histori interesante dhe i bëjmë ato të njohura. Po i bëjmë aq shumë të njohura, sa ata nuk e njohin më veten një sezon më pas.
Kështu ishte në Gjirokastër, kur të gjitha këto dyer dhe dritare ishin bosh, dhe asokohe kur realizova emisionin në këtë qytet, thashë “mos kini frikë, do të hapen një ditë”. U hapën dhe sot, nuk është më turizëm me karar siç thonë gjirokastritet, por një turizëm i jashtëzakonshëm, që tani po bëhet i qëndrueshëm. Për mua Gjirokastra ishte mbretëresha e turizmit të këtij sezoni, por le të presim shifrat.

Megjithatë sot doli një shifër e rëndësishme. Në konferencën për turizmin sot ku unë isha e ftuar së bashku me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, u tha që Shqipëria hyn në vendet me zhvillimin më të madh të turizmit. Pra ishte një prej sezoneve më të mira të Shqipërisë, krahasuar me vende të tjera në Europë.

Për lajme të mira do të flasim, nuk do t’i lëmë as të këqijat, por do të mundohemi të drejtohemi te lajmet e mira, se kjo është Dritare TV, dritare që jo vetëm informon por mirëinformon ./dritare.net