Na ndiqni edhe në

Editorial

Targa e benzit dhe njerëzit që më shpëtuan jetën!

Targa e benzit dhe njerëzit që më shpëtuan jetën!

Nga Rudina Xhunga

Dje në Bulevard u pengova. Po vrapoja për të kapur semaforin jeshil dhe nuk pashë hekurin e verdhë që ndante korsinë e biçikletave. Pengesa më bllokoi këmbët dhe rashë në Bulevard, para një makine. Nuk kuptova çfarë ndodhi, po kalimtaret përreth bërtitën, ndaluan makinat e tjera dhe një vajzë më ndihmoi të çohem. Pastaj një zotëri m’u prezantua si mjek, më uli, në bordurën e Rognerit dhe më kontrolloi për shembje, thyerje nga rënia. Dhe në fund më dha targën e makinës, para së cilës rashë.

Gjeje, -tha kujt i përket. -Sepse nuk frenoi, nuk ndaloi, nuk ndihmoi. E pashë kur u pengove dhe e gjitha që me sekonda. Ai mund të të kishte vrarë sot. Ishte benz luksoz. Targa AA200XJ. I thashë faleminderit! Por më mirë se të gjej pronarin e atij benzi, kësaj dite do i mbaj mend fytyrën gjithë merak të vajzës që më dha dorën të çohem , kalimtarët që u mblodhën pa më njohur dhe bërtitën të ndalonin makinat, mjekun që mbajti këmbët, shënoi targën dhe më dha ndihmën e parë. Tirana është plot njerëz të mirë dhe jeta është shume çmuar të të ikë, sa hap e mbyll sytë. Nuk duhet lënë në mëshirë të benzave. Si ky që për pak më mori jetën, për pak, fare pak, distance fati, dje. Faleminderit!/dritare.net