Na ndiqni edhe në

Emisionet

Nga Tirana në Oslo për të birin me autizëm! Rrëfimi i inxhinierit Markelian Zarka

Nga Tirana në Oslo për të birin me autizëm! Rrëfimi i

Në një rrëfim të ndjerë nga Norvegjia për emisionin “Shqip” në Dritare TV, inxhinieri elektrik Markelian Zarka ndau historinë e tij të emigrimit, një vendim i marrë jo për arsye ekonomike, por edhe personale. Të ardhmen e djalit të tij të madh, të diagnostikuar me sindromën e autizmit.

Zarka, i cili jeton dhe punon në Oslo prej tre vitesh, shpjegoi se largimi nga Shqipëria erdhi pas shumë vitesh përpjekjesh për të gjetur mbështetjen dhe trajtimin e duhur për djalin e tij. “Arsyeja e vërtetë që kam emigruar nga Shqipëria është sepse një nga fëmijët e mi, djali im i madh, u diagnostikua me sindromën e autizmit. Në Shqipëri, mundësitë janë të limituara për të trajtuar një sindrom të tillë,” tha ai.

Pavarësisht përpjekjeve në qendrat ekzistuese në Tiranë, progresi ishte i papërfillshëm, gjë që e shtyu të kërkonte një zgjidhje jashtë vendit. Sistemi norvegjez ofroi atë që Shqipëria nuk mundi. “Këtu sistemi mundëson. Aktualisht, djali im është në një shkollë speciale që është enkas për fëmijët me sindromën e autizmit,” shpjegoi Zarka, duke theksuar se shkolla ofron programe të përshtatura dhe një staf mbështetës, duke përfshirë psikologë e terapistë, me një raport të jashtëzakonshëm prej tre deri në katër profesionistësh për çdo nxënës.

Ky sistem, i financuar tërësisht nga shteti, ofron një shans real për fëmijët që të fitojnë pavarësi. Përtej sfidës personale, Zarka ka arritur të integrohet profesionalisht. Ai emigroi si punëtor i kualifikuar dhe sot punon si inxhinier elektrik në një kompani norvegjeze, duke u marrë me projekte komplekse si zgjerimi i impianteve elektrike në terminalin kargo të portit të Oslos.

Ai pranoi se ndërsa jeta në Norvegji ka kosto të lartë, me një qira rreth 1850 euro në periferi dhe taksa të larta, balanca mes të ardhurave dhe shpenzimeve është më e favorshme se në Shqipëri, duke i lejuar një jetë komode. Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte një projekt inovator në fushën e energjisë, të cilin Zarka po e zhvillon. I shqetësuar për çështjet e ndotjes dhe pavarësisë energjetike, ai ka konceptuar një sistem që synon të rrisë ndjeshëm efiçencën e prodhimit të energjisë nga burimet hidrike.

“Projekti im bazohet në shfrytëzimin e plotë të energjisë hidrike. Nëse aplikohet, kjo mund t'i japë Shqipërisë, një vend i pasur me burime ujore, një pavarësi të vërtetë energjetike,” tha ai. Zarka tashmë ka nisur kontaktet me Universitetin e Oslos dhe agjencitë norvegjeze të inovacionit për të zhvilluar dhe financuar këtë ide, e cila mund të jetë një zgjidhje revolucionare për shumë vende.

Në fund, Markelian Zarka theksoi se emigrimi nuk është domosdoshmërisht një proces i pakthyeshëm. Historia e tij është një dëshmi e sakrificës prindërore, por edhe e potencialit që shqiptarët kanë për të kontribuar me ide dhe punë kudo në botë, duke mos e harruar kurrë lidhjen me atdheun./dritare.net