Albin Kurti merr sot detyrën e kryeministrit
Dritare.net
Avdullah Hoti i dorëzon sot postin e kryeministrit kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Hoti u shpreh se do t’i dorëzojë Kurtit edhe informacionet lidhur me proceset që ka drejtuar ai duke qenë në krye të ekzekutivit.
“Mënyra e dorëzimit të detyrës përbën standard. Ky standard pres që të respektohet kurdoherë që ndërrohen qeveritë. Është tepër e rëndësishme për maturitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kryeministri i ri pres të sillet me përgjegjësi në dorëzimin e detyrës tek kryeministri i ardhshëm. Do t’ia dorëzoj informacionet e plota për IPAN-n, diskutimet që kemi bërë me vendet e BE-së veç e veç për procesin e liberalizimit të vizave. Do t’ia dorëzoj informacionet e plota për procesin e dialogut, marrëveshjen e Uashingtonit dhe realizimin e obligimeve të kësaj marrëveshjeje.”,- u shpreh Hoti.
Një ditë më parë deputetët e legjislaturës së tetë të Kuvendi të Kosovës zgjodhën qeverinë e re të Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim. Në qeverinë e re do të jenë 3 zvendëskryeministra dhe 15 ministri, ku ndër to 6 do të drejtohen nga gra./K.C/dritare.net