A jeni të ngazëllyer për 2021? Epo njerëzit në vitin 1921 ishin! Kemi hyrë në këtë vit të ri ende me plagët e vitit 2020 dhe me shpresën se gjërat do të përmirësohen. Besoj se jeni kuriozë për të lexuar se çfarë kishin menduar njerëzit e një shekulli më parë për vitin 2021. Ata në ato kohë sapo i kishin mbijetuar Luftës së Parë Botërore dhe gripit spanjoll të vitit 1918 dhe u bënë dëshmitarë të një revolucioni të madh teknologjik. Energjia elektrike, aviacioni tregtar, radioja dhe shumë inovacione të tjera sapo ishin shpikur. Ata hamendësonin shpesh se si do e transformonin botën këto gjëra të reja. Në vitin 1921 gazetat ishin plot parashikime, disa rezultuan të sakta, e disa shumë të gabuara, informon dritare.net. Gabimet janë ato që të intrigojnë më shumë natyrisht. Për shembull, Evening News i Harrisburg, parashikoi se Meksika do të ishte fuqia më e madhe botërore ekonomike në të ardhmen. Por dritare.net do të sjellë për ju disa parashikime të sakta që njerëzit në 1921 bënë për 2021.
1. Ne do të jemi në gjendje të kontrollojmë temperaturën
Charles Steinmetz, një inxhinier elektrik shkroi një artikull që u shpërnda gjerësisht në atë kohë. Ai foli për një revolucion në mjediset e shtëpive:
“Kur ngrohja do të bëhet e gjitha në mënyrë elektrike do të jetë shumë e lehtë për mua ta vendos termostatin në 25 gradë dhe ajri në dhomë do të ngrohet. Kjo temperaturë do të ruhet në mënyrë uniforme, pavarësisht motit jashtë. “Kjo do të vlejë edhe për ditët e nxehta. I njëjti aparat elektrik do të ftohë ajrin," parashikoi ai.
2. Argëtimi do të ndodhë në shtëpi
Steinmetz si duket mezi po e priste krijimin e televizorit dhe Netflix-it. Ja çfarë imagjinoi ai:
“Nuk do të kemi nevojë të shkojmë në ndonjë sallë të mbingarkuar për një koncert muzikor. Ne thjesht mund të shtypim një buton dhe mund ta sjellim koncertin në shtëpitë tona. Ndoshta ne do t'i pajisim shtëpitë me ndonjë aparat radio-marrës. Me anë të kësaj, ne do mund të dëgjojmë yje të mëdha të operës të ulur në shtëpitë tona, ndërkohë që ata këndojnë në kryeqytetet evropiane."
3. Fuqia e energjisë elektrike në makinat tona
Steinmetz e parashikoi transportin elektrik, edhe pse ne ende nuk e kemi arritur atë. Por si duket makinat Tesla do të jenë të parat që do të bëjnë dëshirën e Steinmetz realitet.
4. Librat do të lexohen vetë!
Në gusht të vitit 1921, Miami News publikoi një shkrim nga Moisiu Folsom të titulluar "Njëqind vjet nga tani". Parashikimi i tij më i madh ishte përshkrimi i librit audio.
"Deri në vitin 2021 librat më të mirë do të riprodhohen në pllaka fonografike dhe ne do mund të dëgjojmë vargjet e një poezie apo pjesë nga një dramë e njohur me anë të aparatit fonografik." parashikoi Folsom. Ai kishte 90 përqind të drejtë, pasi ne sot vërtet mund të dëgjojmë libra audio kudo që jemi, por jo nëpërmjet fonografit por nëpërmjet aparateve celularë./S.F-dritare.net