Historia e Marianës, vajzës me sindromën Down që i tregoi botës se ëndrrat bëhen realitet pavarësisht pengesave
Dritare.net
Modelja spanjolle Mariana Avila, një vajzë me sindromën Down po ndjek ëndrrën e saj të fëmijërisë pavarësisht se njerëzit me një diagnozë të tillë e kanë të vështirë të gjejnë çfarëdolloj pune. Kur ishte fëmijë, Mariana ëndërronte të pushtonte botën e modës. Ajo është më e shkurtër se modelet e zakonshme, por as kjo, as sindroma e saj nuk mundën dot ta ndalonin këtë vajzë të ndiqte ëndrrën e fëmijërisë. Në vitin 2016, ajo përfundoi një kurs profesional në një shkollë modelingu ku kishte studiuar për 10 muaj. Në të njëjtin vit, ajo sfiloi për herë të parë në një shfaqje bamirësie nga stilistja Lina Lavin, e cila u mbajt në Madrid. Një ditë Kenzie Dugmore, vajza e koordinatorit të Javës së Modës në New York, lexoi një artikull në Facebook në lidhje me Marianën dhe ëndrrën e saj për të marrë pjesë në Javën e Modës. Ajo ia realizoi ëndrrën Marianës duke e ftuar të merrte pjesë në këtë eveniment kaq të rëndësishëm në botën e modës.
“Asnjëherë nuk e kam menduar se dikush, pa më njohur mua fare, do të besonte kaq shumë tek unë dhe në aftësitë e mia. Ajo është engjëlli im! E gjithë kjo përvojë ka qenë shumë emocionuese për mua. Nuk kam fjalë për ta përshkruar. Doja t’i tregoja gjithë botës se nëse e dëshiron shumë diçka nuk kanë rëndësi pengesat.”,- thotë Marian Avila.
Më 8 shtator 2018, Mariana sfiloi në Javën e Modës në New York. Ajo tregoi se kishte dashur ta falënderonte personalisht Talishën pas shfaqjes, por u emocionua shumë gjatë takimit me të dhe filloi të qante. Kjo përvojë i hapi dyert në industrinë e modës Marianës.
Ajo është 23 vjeçe tani, jeton në Benidorm, Alicante, Spanjë dhe është fytyra zyrtare e fushatës së re të Levi’s. Përpara kësaj, ajo është shfaqur në botime si Vogue, The New York Times, Vanity Fair dhe Harper's Bazaar. Një vajzë me një forcë të tillë shpirtërore dhe me një dëshirë kaq të madhe për të ecur përpara pavarësisht vështirësive meriton gjithçka që ka: famën, respektin, mundësinë për të frymëzuar të tjerët dhe më e rëndësishmja, që bëri realitet ëndrrën e saj.
Historia e saj na ka treguar të gjithëve se në jetë, nuk ka rëndësi të jesh perfekt, por të ndjekësh ëndrrat e tua, pavarësisht pengesave./S.F/dritare.net