Kuptimi i fotos së dinozaurit, që u shpërnda gjerësisht në rrjet!
Dritare.net
Nga shkëmbinjtë e Ganzhou në Kinën jugore, studiuesit kanë zbuluar një embrion 72 deri në 66 milionë vjeçar brenda një veze dinosauri të fosilizuar. Embrioni, i quajtur Baby Yingliang i përket një grupi dinosaurësh theropodë pa dhëmbë të quajtur oviraptorosaur. Oviraptorosaurët jetuan gjatë periudhës së Kretakut (145 deri në 66 milionë vjet më parë) në Azi dhe Amerikën e Veriut. Embrioni është afërsisht 27 cm i gjatë nga koka te bishti dhe shtrihet brenda një veze 17 cm të gjatë. Gjetja më interesante ishte qëndrimi i embrionit. Ekipi shkruan se "koka e tij shtrihet poshtë trupit, me këmbët në të dyja anët dhe shpinën e përdredhur përgjatë skajit të hapur të vezës".
Identifikimi i tij është botuar në revistën iScience nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Universiteti i Birminghamit dhe Universiteti Kinez i Gjeoshkencave në Pekin.
«Shumica e embrioneve të dinosaurëve janë të paplotë me skelete të shkëputura. Ne u befasuam shumë kur pamë këtë embrion të ruajtur në mënyrë të përsosur në vezën e tij, në një qëndrim të ngjashëm me atë të zogjve; është diçka që nuk është parë kurrë më parë në dinosaurët jo-aviarë”, komenton Ëaisum Ma nga Universiteti i Birminghamit. Fosili, i gjetur në provincën Jiangxi, u ble në vitin 2000 nga drejtori i një kompanie të quajtur Yingliang Group, por më pas përfundoi në një magazinë ku u gjet vetëm një dekadë më parë nga stafi i Muzeut Historik të Natyrës Yingliang Stone në Xiamen, ku ruhet edhe sot./L.F-dritare.net